Kosova

Sinani: Në Luginë të Preshevës po bëhet spastrim i ftohtë etnik, duke anuluar adresat e banorëve shqiptarë


Ish-kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

Këshilltarja politike e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe ish-kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka alarmuar se Serbia është duke bërë “spastrim të ftohtë etnik”, kështu duke i pasivizuar adresat e banorëve shqiptarë në Luginë të Preshevës.

Sinani, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se autoritetet serbe, qëllimshëm nuk po i regjistrojnë banorët shqiptarë në Serbi, kjo me qëllim që numri i zyrtarëve të jetë sa më i vogël.

“Në Luginën e Preshevës, në Bujanoc, Medvegjë dhe Preshevë po bëhet spastrim i ftohtë etnik i heshtur administrativ, duke anuluar adresat e banorëve shqiptarë. Nëse policia ju troket në derë dhe nuk jeni aty, ju fshijnë nga regjistri. Ata duan të thonë se askush nuk jeton këtu”.

“Në njëfarë mënyre, për t’u regjistruar atje si banor, duhet të jesh gjatë gjithë kohës në shtëpi”, ka shkruar ajo në rrjetin social ‘Facebook’. 

Ajo shtoi se Beogradi nuk dëshiron ta hapë çështjen e reciprocitetit për shkak se “në Serbi ka më shumë pakica kombëtare sesa në Kosovë”.

Teksa ankesa ka pasur edhe për mjekët në këtë pjesë, duke vlerësuar se nuk ka asnjë mjek shqiptar.

“Në spitalin e Vranjës, i cili mbulon Preshevën dhe Bujanocin, në rrethin e Pçinjit, nuk ka asnjë mjek shqiptar, ndërsa së paku një e treta e pacientëve janë shqiptarë”.

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës vazhdimisht kanë ngritur shqetësime lidhur me pasivizimin e adresave të banorëve shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Sipas të dhënave të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, janë mbi 3 mijë adresa që janë pasivizuar në Medvegjë dhe mbi 2 mijë në Preshevë e Bujanoc.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi i cili filloi në vitin 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka për synim që të arrihet marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore