
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani priti në takim Koordinatoren për Zhvillim të OKB-së, znj. Ulrika Richardson me të cilën ka diskutuar për rëndësinë e prioritizimit të menaxhimit të suksesshëm të pandemisë, sigurimit sa më të shpejtë të vaksinës si dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional në këtë drejtim.
Kjo është bërë e ditur nga Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun, nga zyra e Presidencës.
Njëkohësisht është theksuar nevoja për bashkërendim të politikave publike dhe projekteve të ndryshme zhvillimore me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Në këtë drejtim, u diskutua edhe për avancimin e pozitës dhe mirëqenies së fëmijëve dhe të grave.
Po ashtu edhe rëndësia e shndërrimit të pritshmërisë së qytetarëve në punë dhe në projekte konkrete, ishte pjesë e bashkëbisedimit te tyre.
Me këtë rast, znj. Richardson i përcolli urime u.d. Presidentes Osmani për rezultatin në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit si dhe e uroi atë dhe popullin e Republikës së Kosovës për një proces të qetë e demokratik zgjedhor.
Albanianpost.com