Shëndet

Si të parandalohet shfaqja e kancerit oral?


Parandalimi i kancerit përfshin edhe vëmendjen ndaj  shëndetit oral.

Rastet e reja me këtë lloj kanceri shpesh diagnostikohen në një fazë të avancuar edhe për shkak se shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm që kanceri mund të prekë edhe këtë zonë presin muaj përpara se të kërkojnë një mendim nga mjeku.

“Diagnoza e hershme e kësaj lloj neoplazie është e thjeshtë dhe nuk kërkon metoda invazive”, ka specifikuar Andrea Edoardo Bianchi, drejtor i Komitetit Teknik Shkencor të Institutit Stomatologjik Italian të Milanos.

Sipas tij, nëse tumori identifikohet në fazat e hershme, jo vetëm që shanset për shërim përfundimtar janë më të mëdha, por është e mundur edhe ndërhyrja me kirurgji dhe shmangia e trajtimeve me pasoja serioze.

Zgavra e gojës përfshin gjuhën, mishrat e dhëmbëve, faqet, pjesën e poshtme të gojës, qiellzën dhe buzët.

Ënjtjet, lezionet e bardha ose të kuqërremta ose plagë mund të jenë manifestim i lezioneve tumorale dhe shpeshherë mjafton një vizitë te mjeku i përgjithshëm ose dentisti për të identifikuar shenjat e dyshimta dhe për të filluar hetimet e nevojshme.

Të kuptuarit nëse diçka nuk është në rregull është “e thjeshtë”, sepse këto janë shqetësime qartësisht të dukshme, por megjithatë shumë njerëz i neglizhojnë.

Me rastin e Ditës Botërore të Kancerit, e cila festohet më 4 shkurt, Instituti Dentar rikujton rregullat kryesore parandaluese për të kufizuar rrezikun e kancerit të gojës.

“Për të parandaluar këto tumore, është e rëndësishme të keni një mënyrë jetese korrekte, të kujdeseni për higjienën orale, t’i kushtoni vëmendje të veçantë mikrotraumave kronike të mukozës së gojës për shkak të protezave dentare”, ka veçuar Bianchi.

Sakaq, pirja e duhanit dhe alkoolit rrisin shanset për t’u sëmurur.

Infeksionet më të shpeshta të zgavrës së gojës kanë të bëjnë me dhëmbët dhe indet mbajtëse periodontale si mishi i dhëmbëve, ligamenti periodontal dhe kocka.

Po ashtu disa studime kanë demonstruar një lidhje midis periodontitit të rëndë dhe tumoreve të zonave të tjera, një lidhje që mund të shpjegohet me kalimin e baktereve patogjene nga goja në pjesën tjetër të trupit.

Ruajtja e shëndetit të mirë oral është gjithashtu e rëndësishme për të parandaluar inflamacionin e indeve të forta dhe të buta të zgavrës nga ndërmjetësimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i patologjive të largëta.

Kërkimet shkencore ofrojnë të dhëna që ilustrojnë gjithnjë e më shumë si përqendrimin e mikrobiotës së gojës për shëndetin e të gjithë organizmit dhe ndikimin e fortë që mund të ketë sëmundja periodontale jo vetëm në rrezikun e kancerit, por edhe në përkeqësimin e sëmundjeve kronike inflamatore dhe mbi mekanizmat e rezistencës ndaj insulinës që mund të përkeqësojnë diabetin.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore