Euro 2020

Si, Si, Si…Italia është kampione e Evropës, titulli shkon në Romë


Italia është shpallur kampione e Euro 2020, pasi mundi Anglinë në “Wembley” pas ekzekutimit të 11-të metërshave. Anglezët nuk ia dolën të thyenin mallkimin, për të marrë një trofe në Kampionatin Evropian.

Nuk mjaftuan as 90-të minuta lojë dhe as 120-të, ishin 11-të metërshat që ndanë gjithçka dhe e dërguan trofeun në Romë.

Italia fiton kështu për të dytën herë Kampionatin Evropian në historinë e saj, nga katër finalet e luajtura.

Edhe pse e gjetën veten në disavantazh, që në minutën e dytë, falë golit të Luke Shaw-t, italianët arritën të barazonin ndeshjen me anë Leonardo Bonucci-t,  në të 67-të minutë.

Raste pati pafund, për të dy skuadrat, por gola të tjerë jo. Kështu pas përfundimit të kohës së rregullet dhe asaj të 30-të minutave shtesë, dy skuadrat u drejtuan nga pika e bardhë e penalltive.

Për Italinë: Domenico Berardi shënoi i pari, pas tij gaboi Andrea Belotti, ndërsa shënuan dy të radhës, Bonucci dhe Federico Bernardeschi, por gaboi Jorginho penalltinë e pestë.

Nga Anglia, shënoi fillimisht Harry Kane dhe Harry Maguire, por gabuan tre penalltitë e radhës, me anë të Marcus Rashford, Jadon Sancho dhe Bukayo Saka.

Gareth Southgate u “tradhëtua” nga Rashford dhe Sancho. Të dy lojtarët u futën në fushë vetëm për të gjuajtur penalltitë, por të dy gabuan. Anglia arrin finalen e parë në Evropian, por do i duhet të presë për të marrë trofeun.

Italia e Roberto Mancini-t është e pathyeshme në 34 ndeshje tashmë. Gladiatorët nuk u dorëzuan dhe ia dolën.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore