Lajme

Si po ia kthen shpinën Holanda gazit natyror?


Përpjekja për t’u shkëputur nga lëndët djegëse fosile në Loppersum të Holandës është tejet me vlerë.

Fshati ndodhet në krye të depozitës më të madhe të metanit ose gazit natyror, në Evropë.

Rezervuari gjigant shtrihet thuajse nën të gjithë provincën e Groningen-it dhe ka ushqyer kaldajat e vendit me gaz, termocentralet dhe industritë e rënda të vendit që nga vitet 1960, shkruan e përditshmja “BBC”.

Mirëpo, nxjerrja bëri që toka nën krahinë të fundosej. E për rrjedhojë, në dekadat e fundit, tërmetet janë rritur në fuqi dhe frekuencë në të gjithë veriun, duke dëmtuar shumë prej shtëpive.

“Nganjëherë kemi tre tërmete në një ditë”, ka treguar Fanny Flikkema, banorja 41-vjeçare, duke shtuar se “ata mund t’ju zgjojnë natën dhe duhet të kontrolloni për çarje të reja në mure”.

Në Groningen, përforcimi i shtëpive për të qenë rezistente ndaj tërmeteve është i shtrenjtë dhe është më e lirë të ndërtosh shtëpi të reja elastike nga e para. Kjo u jep atyre mundësinë për të shkuar pa gaz natyror.

Shtëpitë në majë të depozitës së gazit që janë pa gaz ngjajnë si një shenjë e qartë se në Holandë ka mbërritur tranzicioni i nxehtësisë. Vendi është në mesin e shumë të tjerëve që nis një zhvendosje drastike drejt alternativave me karbon të ulët ose zero emetim për ngrohjen e shtëpive.

Holanda ka një nga përqindjet më të ulëta të burimeve të rinovueshme në përdorimin e saj total të energjisë në Evropë. Kështu që ky tranzicion do të nënkuptojë një rregullim të plotë të sistemit të saj të ngrohjes.

Me disa nga objektivat më ambicioze të klimës për sektorin e saj të ngrohjes së banesave, kombi po shpreson të vendoset si një kryesues klimatik në këtë fushë. Në qendër të debatit të tranzicionit të nxehtësisë është pyetja se çfarë mund ta zëvendësojë bojlerin me gaz.

Atje, protesta në rritje për rrezikun e tërmeteve në Groningen, vulosi vendimin në vitin 2019 për të mbyllur depozitën e gazit tetë vjet më herët se data e planifikuar e mbylljes e vitit 2030.

Në fushat e misrit dhe kullotat me bar, afro 350 puset do të vihen në gjumë deri në vitin 2022. Megjithatë, një numër i vogël do të qëndrojë në gatishmëri për disa vite, me nxjerrjen në minimum.

Tanimë, komunitetet anembanë vendit po përballen me marrjen e vendimit se me çfarë ta zëvendësojnë këtë gaz natyror.

Fshati Loppersum është një nga 50 “qarqet pa gaz natyror” që po pilotojnë teknologji alternative me karbon të ulët, të mbështetur nga 400 milionë euro në financimin e qeverisë deri në vitin 2030.

Deri në vitin 2028, qeveria shpreson që këta pilotë t’i tregojnë vendit se si të përmbushin objektivin për të hequr çdo shtëpi nga karburantet fosile deri në vitin 2050.

Për Casper Tigchelaar, studiues i vjetër mbi energjinë në mjedisin e ndërtuar në Organizatën Holandeze për Kërkime Shkencore të Aplikuara (TNO), ky “do të jetë një ndryshim i jashtëzakonshëm. Pesë vjet më parë ky lloj skenari ishte thjesht hipotetik”.

Holanda ka një varësi thuajse totale nga gazi si burimi i saj i energjisë për ngrohje, ravijëzon “BBC”.

Sipas Byrosë Qendrore Holandeze të Statistikave, 92 për qind e familjeve përdorin gazin për ngrohje, duke e bërë atë të vetmin vend në Evropë me më shumë shtëpi të lidhura me gaz sesa në Mbretërinë e Bashkuar.

Me rënien e prodhimit vendas të gazit, Holanda po mbështetet gjithnjë e më shumë në gazin e importuar. Por për shkak të uljes së përdorimit të qymyrit, konsumi i përgjithshëm i gazit në vend nuk ka rënë ende ndjeshëm.

Megjithatë, vendi ka propozuar një sërë politikash ambicioze për ngrohjen nën Aktin e tij të Klimës të vitit 2019, i cili synon të arrijë një reduktim të përgjithshëm prej 49 për qind të emetimeve të karbonit në të gjithë ekonominë e vet deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e vitit 1990.

Momentalisht, 38 për qind e energjisë së konsumuar në Holandë përdoret për ngrohjen e ndërtesave, ku gjysma e kësaj shkon në shtëpi. Qeveria vendosi në vitin 2018, që të gjitha shtëpitë e reja nuk duhet të lidhen me rrjetin e gazit.

Deri në vitin 2030, 1.5 milionë shtëpi ekzistuese duhet të kenë ndryshuar burimin e nxehtësisë. Dhe të gjitha ndërtesat në Holandë duhet të përdorin një alternativë me karbon të ulët deri në vitin 2050.

Sfida është e madhe.

Që nga prezantimi i Aktit të Klimës, më pak se 10 mijë shtëpi janë rinovuar për t’u bërë pa karbon. “Për të përmbushur këto objektiva, do të duhet të përshpejtojmë normën në 200 mijë rinovime pa karbon në vit”, ka thënë Tigchelaar.

Ndryshe nga vendet e tjera si Britania e Madhe, e cila ka politika më të centralizuara, përgjegjësia i takon secilës prej 355 bashkive lokale të Holandës të vendosin se cilin lloj ngrohjeje do të përdorin.

Të gjithëve u kërkohet të hartojnë planet e tyre të tranzicionit të nxehtësisë deri në fund të këtij viti.

“Kjo është një detyrë e re për ne”, ka thënë Anne Marie van Osch, menaxhere e projektit për energjinë e qëndrueshme për komunën Almere, duke shtuar se “duhet të mësojmë për të gjitha këto teknologji dhe t’i kërkojmë ato për komunitetet”.

Të shoqëruara me shumë debate rreth asaj se cilat teknologji janë alternativa më e mirë, këto nuk janë vendime të lehta, dallon “BBC”.

Nga ana tjetër, familjet që janë të izoluara mirë dhe që do të ishte e ndërlikuar për t’u lidhur me një rrjet më të gjerë ngrohjeje, një pompë nxehtësie individuale mund të jetë zgjidhja.

Pompat e nxehtësisë funksionojnë si një kondicioner, duke transferuar nxehtësinë nga jashtë në ambiente të mbyllura nëpërmjet një ftohësi që rrjedh përmes një qarku të brendshëm.

Nxehtësia mund të lirohet në shtëpi në mënyra të ndryshme, si uji i ngrohtë në radiatorë, ngrohja nën dysheme ose ajri i ngrohtë në shtëpi. Ata përdorin energji elektrike, e cila mund të vijë nga rrjeti ose nga panelet diellore, por janë deri në katër herë më efikase se një depozitë me gaz.

Nuk duhet të anashkalohet as fakti se ato janë të shtrenjta.

Ka edhe alternativa të tjera. Në teori, kaldaja me gaz mund të jetë me karbon të ulët nëse përdoret një gaz jo-fosil i prodhuar nga burime të pastra. Kjo do të thotë se gazi i prodhuar nga fermentimi anaerobik i biomasës si pleh organik dhe mbetjet e fermave mund të luajë një rol.

Sipas Aktit të Klimës, industria e biogazit në vend synon të japë dy miliardë metra kub gaz të gjelbër deri në vitin 2030, nga të cilat një sasi e konsiderueshme mund të përdoret për ngrohjen e ndërtesave.

Kurse prodhimi aktual vjetor ende qëndron në 0.14 miliardë metra kub. Për krahasim, ndërtesat në Holandë aktualisht përdorin rreth 11 miliardë metra kub gaz natyror.

Në disa zona, hidrogjeni është gjithashtu një pikë diskutimi si një alternativë e karburantit fosil.

Në fshatin rural të Valthe, në provincën verilindore Drenthe, një grup inxhinierësh po shfaqin një “shtëpi të vogël hidrogjeni”, e cila udhëtoi në provincë në anën e pasme të një kamioni.

Hidrogjeni siguron energji elektrike dhe ngrohje në shtëpi. Tërheqja kryesore është një produkt i lakmuar rreth shpinës: një elektrolizer i vogël, zbulon “BBC”.

Në sajë të paneleve diellore në çati, elektrolizeri ndan ujin në hidrogjen dhe oksigjen nëpërmjet një rryme elektrike. Më pas, gazi i hidrogjenit mund të digjet për ngrohje në një kazan të veçantë.

“Shtëpia tregon në një shkallë të vogël se çfarë mund të bëni për qytetet”, ka treguar Remco de Vries, një specialist i energjisë së rinovueshme që projektoi sistemin.

Tanimë, Holanda ia ka vënë synimet e saj ngrohjes qendrore, e cila dërgon nxehtësinë nga një burim i madh dhe i vetëm në shumë shtëpi nëpërmjet një rrjeti nëntokësor tubacionesh.

Sistemi ka provuar një opsion efikas të energjisë në vende të tilla si Danimarka, ku dy të tretat e shtëpive janë pjesë e rrjeteve të ngrohjes.

Një analizë nga Agjencia Holandeze e Vlerësimit të Mjedisit vlerëson se një e katërta e shtëpive do të lidhen me rrjetet e ngrohjes deri në vitin 2030, nga rreth pesë për qind që është aktualisht.

Për shkak se rrjetet e ngrohjes kërkojnë gërmimin e rrugëve dhe vendosjen e tubave të ngrohjes midis shtëpive, ato do të jenë më efektive në zonat urbane me popullsi të dendur.

Në Maasland, një qytet në perëndim të vendit pranë brigjeve të lumit Rotte, serra të mbushura dendur shtrihen nga horizonti në horizont, të avulluara nga nxehtësia. Pamje të tilla janë prapa pozicionit të Holandës si eksportuesi i dytë më i madh i bujqësisë në botë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ato kërkojnë shumë energji termike.

Serat në Maasland ngrohen pa karbon, veçon “BBC”.

Në cepin jugor të kompleksit është një pus gjeotermik, i cili pompon ujë të nxehtë prej 90 gradësh celsius nga nëntoka. “Për çdo kilometër më poshtë, ju merrni ujë rreth 30 gradë celsius më të ngrohtë”, tregon Danny van den Berg, këshilltar politikash në Geothermie Nederland.

Sistemi përdor një proces të thjeshtë, të ngjashëm me një pompë ngrohjeje shtëpiake. Uji i nxehtë pompohet nga një pus i jashtëm dhe kanalizohet përmes një grupi të madh në formë dysheku, i cili është i mbushur me pllaka të alternuara.

Ky transferim vepron si dy radiatorë të ndërthurur. Pllakat e nxehta gjeotermale ngrohin një qark me pllaka më të ftohta të ujit të ëmbël. Uji i freskët i ngrohur, më pas futet në rrjetin e serrave, ndërsa uji gjeotermal pompohet përsëri nën tokë.

Industria gjeotermale beson se teknologjia ka potencial të madh për shtëpitë në të gjithë vendin, të cilat aktualisht përdorin pak energji gjeotermale. “Një pus si ky mund të ngrohë tre mijë deri në katër mijë shtëpi”, ka thënë van den Berg.

Në vitin 2018, industria gjeotermale krijoi një masterplan, duke pretenduar se mund të plotësonte shatë për qind të nevojave për ngrohje të banesave deri në vitin 2030 dhe 35 për qind deri në vitin 2050.

Hans Bolscher, kryetar i Geothermie Nederland, ka dalluar se pengesat më të mëdha janë gjetja e investimeve të nevojshme dhe planifikimi që ka nevojë të zhvillohet në nivel lokal.

Por ka edhe burime të tjera energjie për ngrohje qendrore.

Amsterdami, i cili është i rrethuar nga një bashkim qendrash të dhënash, mund të jetë një rast interesant. Qindra dhoma të veshura me serverë që vezullojnë kombinojnë fuqinë përpunuese, duke e kthyer atë në  një nga shkëmbimet më të mëdha të internetit në botë.

Ato gjithashtu krijojnë një sasi të konsiderueshme nxehtësie, ama aktualisht nuk ka asnjë infrastrukturë që i lidh ato me shtëpitë aty pranë.

Në vizionin e tranzicionit të nxehtësisë së Amsterdamit, bashkia vlerëson se deri në 2.2 milionë kilovat orë – rreth 30 për qind e kërkesës për ngrohje të qytetit – mund të gjenerohen nga qendrat e të dhënave.

Sipas “BBC”, djegia e bimësisë në impiantet e biomasës është një tjetër burim i ngrohjes qendrore që po eksplorohet, por kjo paraqet ndërlikimet e veta.

Në Holandë, Akti i Klimës qëndron i ndarë nga ligjet e vendeve të tjera për klimën kur bëhet fjalë për rolin e bashkive lokale.

Marrëveshja i vendos rrethet në krye të zgjedhjes së sistemit të tyre të ngrohjes, me pjesëmarrjen e një parimi kyç të marrëveshjes përfundimtare. “Është e re për komunat”, ka treguar Tigchelaar, duke vijuar se “burimi i furnizimit të tyre me energji nuk ishte diçka në të cilën ata ishin përfshirë më parë”.

Els Stuiving, themeluesi i një kooperativë të mundshme lokale energjetike në Paddepoel, beson se sfida për t’u kërkuar banorëve të ndryshojnë burimin e tyre të nxehtësisë është sa një çështje sociale, aq edhe një çështje klimatike ose teknologjike.

Dështimi për të arritur konsensus dhe mbështetje lokale po bën që disa nga lagjet pilot pa gaz të mbeten prapa planit të tyre prej 50 mijë banesash nga disa mijëra familje.

Afro shtatë për qind e familjeve në Holandë, rreth 550 mijë shtëpi, jetojnë në varfëri energjetike. Dhe rritja e çmimeve të gazit e rrit këtë në nëntë për qind, 150 mijë familje të tjera.

“Një pyetje e madhe për qasjen e distriktit është se si mund t’i ndihmojmë njerëzit që thjesht nuk kanë mundësi të investojnë në shtëpitë e tyre”, ka thënë Tigchelaar.

“Familjet me të ardhura të ulëta duhet të konsiderohen më mirë në planet e tranzicionit”, vazhdon ai, duke besuar se projektet pilot kanë qenë të vlefshme, pavarësisht vonesave.

Këta pilotë sjellin me vete edhe një ndjenjë se objektivat abstrakte klimatike të mëparshme, përmbushin realitetin e shtëpive dhe stilit të jetesës së njerëzve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore