Lajme

Si nisi dhe si (nuk) përfundoi aksioni i policisë në Veri?


Pjesë e një aksioni më të gjerë ishte edhe ky intervenim i njësiteve elite të Policisë në Veri të Kosovës.

Aksioni që filloi si luftë kundër kontrabandës me mallra ka përfunduar me incidente e tensione të mëdha.

Gjatë kontrollimit të bizneseve në Veri të Mitrovicës, Policia hasi në rezistencë të qytetarëve serb, të cilët filluan të gjuanin në drejtim të tyre, gurë, mjete pirroteknike e granata luftarake të dorës.  U dëgjuan edhe të shtëna me armë zjarri.

Nga këto sulme, mbetën të lënduar 10 zyrtar policor në mesin e tyre edhe komandanti i Njësisë Speciale Operative, Besart Ahmeti. Ky i fundit është lënduar nga granata e dorës, nga e cila ka pësuar lëndime në kokë, në qafë dhe në vesh.

Kolegët e tjerë janë lënduar në duar e këmbë.

Nga kjo përleshje me Policinë në Veri të Mitrovicës, mbetën të lënduar edhe disa civil, protestues, për të cilët nuk është dhënë numri i saktë. Në këtë aksion u dogj edhe një veturë e doganës së Kosovës.

Pas përfundimit të aksionit, të gjitha njesitet policore u larguan nga vendi i ngjarjes.

Për institucionet e Kosovës, ky aksion ishte i koordinuar me ndërkombëtarët, derisa për Bashkimi Evropian veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, janë të papranueshme.

Ndërkaq krerët e shtetit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, deklaruan se grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe se lufta ndaj krimit të organizuar nuk e ka siglën e përkatësisë etnike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore