Lajme

Si ndodhi që u fshehën prova shfajësuese për Thaçin dhe të tjerët në Speciale? Përgjigjet presidentja e gjykatës Trendafilova


Avokati amerikan Gregory Kehoe, i cili mbron ish-Presidentin Hashim Thaçi, në një seancë gjatë shkurtit të këtij viti, u pa në kulmin e frustrimit, pasi kishte zbuluar se Prokuroria Speciale kishte mbajtur të fshehta disa prova shfajësuese për të akuzuarit – mes të cilave edhe ajo e dhënë nga ish-diplomati i lartë i OSBE-së, Dan Everts.

Everts, që ka shërbyer në Kosovë menjëherë pas luftës, mes të tjerash, i kishte thënë Prokurorisë se veprimtaritë kriminale, pas qershorit të vitit 1999, janë kryer nga individë që kërkonin një rast për përfitime personale, e nuk ishin pjesë e një fushate të organizuar nga udhëheqja shqiptare.

“Asgjë nga kjo nuk na u dorëzua, teksa po i shtjellonim dhe diskutonim provat. Asgjë nga kjo nuk i është dhënë shkëlqesisë suaj. Asgjë. Dhe ata e kishin këtë informacion për katër vjet. Dhe Prokurori Special supozohet se e kërkon të vërtetën. E, megjithatë, shkëlqesia juaj kurrë nuk e kishit këtë dokument. Ai, madje, nuk ju tha as juve se provat që kishin në posedim – dëshmojnë se ata nuk janë fajtorë, se ka një dyshim të arsyeshëm për të gjitha këto. Por, po i mbajnë në burg pafundësisht”, ka deklaruar Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe.

“Pjesa tjetër e dëshmitarëve të OSBE-së, që ata mendojnë se përbëjnë prova fajësuese, u dorëzuan. U dorëzuan në gusht 2021. Të vetmin që lanë jashtë ishte ai. Pse? Pse e lanë jashtë?”, është shprehur Kehoe.

Ekaterina Trendafilova

Prokuroria është akuzuar se ka mbajtur të fshehtë një letër të Departamentit Amerikan të Shtetit, e datës 4 maj 1999, në të cilën thuhet se nuk kishte strukturë politike ose komandë dhe kontroll efikas të UÇK-së.

I fshehur ishte mbajtur edhe një raport i CIA-s, i janarit të vitit 2000, në të cilin thuhej se UÇK-ja nuk kishte kryer akte terroriste kundër caqeve civile.

Për të gjitha këto, presidentja nuk ka përgjigje direkte. Pohon se “nuk mund të komentoj për procedurat në vazhdim”.

Megjithatë, thotë se “e vetmja gjë që mund të them, është se i takon gjyqtarit të procedurës paraprake të sigurojë që palët t’u përmbahen rregullave e afateve dhe rregullave që ai ka vendosur në lidhje me zbulimin e provave”.

“Siç u përmend më lart, korniza shumë e mirë ligjore e DHSK-së ofron disa garanci për të akuzuarit, për të adresuar çdo mosmarrëveshje që ata mund të kenë”.

Lexojeni intervistën e plotë të Trëndafilovës dhënë ekskluzivisht për Albanian Post.

Shënim: Ndiqeni dokumentarin “Devijimi Special” punuar nga Albanian Post në bashkëpunim me emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore