Lajme

Si ndodhi aksidenti në Klinë mes një furgoni e treni ku vdiqën dy persona?


Të shtunën dy persona kanë vdekur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në fshatin Krushevë e Madhe në Klinë, pasi furgoni i tyre është përplasur me një tren.

“Aksidenti dyshohet se ka ndodhur pasi drejtuesi i automjetit, tanimë i ndjeri, nuk e ndali automjetin në shenjën ‘stop’ para vendkalimit mbi hekurudhë, me ç’rast është goditur nga treni”, ka njoftuar policia në raportin 24-orësh.

Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa me urdhër të prokurorit trupat e pajetë janë dërguar për obduksion.

Në këtë pjesë ku kalon treni janë raportuar aksidente të shumta në vazhdimësi në Klinë.

Ndërkaq në Malishevë, një fëmijë është dërguar pa shenja jete në Qendrën e Mjekësisë Familjare.

Policia ka njoftuar të dielën se viktima është dërguar nga familjarët rreth orës 14:00, ndërsa vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku kujdestar.

Por, shkaqet e vdekjes nuk janë bërë të ditura.

Ndërsa në Gjilan, sipas organeve të rendit, një person është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë.

“Një i dyshuar është arrestuar për arsye se derisa kishte sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë derisa po e transportonin për tretman mjekësor. I dyshuari paraprakisht ishte sjellë në stacion lidhur me një rast tjetër”.

Dy policët kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërkaq i dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit dhe pas inicimit të rastit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore