Lajme

“S’i lëmë të futen as në Kuvend, as në Qeveri” – veteranët tregojnë për hapat e ardhshëm në kundërshtim të ligjit


Faton Klinaku, ud-Kryetar i OVL – UÇK-së

“Nuk kemi me i lanë as në Kuvend e as në Qeveri me hy”, ka thënë Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, kur është pyetur nga Albanian Post se cili është hapi i tyre i radhës pas protestës së 6 qershorit kundër ndryshimit të Ligjimit për Pagën minimale, ligj që lë jashtë skemës pensionet e veteranëve të luftës.

Ndryshimet ligjore që e ngritin pagën minimale mbi 250 euro, por që pensionet e veteranëve i lënë në 170 euro, duhej të votohej të hënën, por protesta e veteranëve të luftës para dyerve të Kuvendit të Kosovës, i detyroi deputetët që ta shtynin votimin, meqë opozita lëshoi sallën dhe më nuk kishte kuorum të procedohej tutje.

I pyetur për hapat e mëtutjeshëm, Klinaku i tha AP-së se zgjidhje tjetër nuk kanë, pos se “do dalim sërish në rrugë”.

“Nuk do të ndalemi, në rrugë do të jemi. Si të tentojnë për ta ndryshuar ligjin ne do të organizohemi prapë. Prapë do të protestojmë”.

“Ky është qëndrimi ynë, nëse gjithsesi e ndryshojnë ligjin, ne do t’i bllokojmë dhe në fund nuk kemi me i lënë me hy as në Kuvend e as në Qeveri. Kemi me i blloku me hy brenda”, deklaroi Klinaku.

Gjithsesi, aktualisht datë për një tjetër protestë nuk kanë, meqë nuk ka as datë se kur do jetë sërish Ligji për Pagën minimale në rend të ditës në Kuvend.

“Zakonisht, disa deputetë na lajmërojnë paraprakisht nëse Ligji i Pagave është në rend dite apo jo. Sa herë të jetë në rend të ditës, ne kemi me protestu”.

Protesta e veteranëve

Protesta e djeshme e veteranëve të UÇK-së nisi në Sheshin “Skënderbeu” e përfundoi para dyerve të Kuvendit.

Në një moment, protesta edhe eskaloi dhe policia zyrtarisht njoftoi se dy pjesëtarë të kordonit, që po ruanin hyrjen te Kuvendi, kanë pësuar lëndime.

Veteranët, gjatë protestës, thanë se ndihen të indinjuar që qeveria nuk i ka përfshirë në ligjin e ri të pagave, si kategori e veçantë e përcaktuar me ligj, për t’ua mundësuar rritjen e pensionit që marrin, njëjtë si të gjitha kategorive të tjera.

Numër i madh i forcave të Njësive Speciale të Kosovës u panë para hyrjes së Kuvendit dhe në afërsi pati edhe autoblinda e topat e ujit, që rrinin në gjendje gatishmërie.

Por, ishin deputetët e opozitës, të cilët u kërkuan të mos dëmtonin asgjë në objekt e as afër tij, e as të mos përlesheshin me policinë, sepse, “prekin në gjak dëshmori”.

Veteranët qëndruan në oborr, derisa u mbyll seanca e Kuvendit dhe duke dalë pastruan vendin, ku zhvilluan protestën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore