Shije

Si i ktheu pandemia pijedashësit në më aventurierë?


Biznesi i pijeve të Sam Cooper është sikur koha mesjetare të takohet me kohën e internetit.

Kështu ka shkuar e përditshmja “BBC” për biznesin me bazë në Ceredigion në Uellsin perëndimor, i cili prodhon një pije alkoolike të krijuar nga fermentimi i mjaltit dhe ujit.

Si një bletërritës profesionist, Cooper arrin të sigurojë mjaltin për gamën e tij të pijeve duke u kujdesur për më shumë se 500 koshere në 50 vende të ndryshme, ose ndryshe bletore, në të gjithë Uellsin.

Sipas tij, shitjet kanë pësuar rritje që nga fillimi i pandemisë së coronavirus-it.

“Kemi vënë re një rritje të madhe të porosive në internet që nga fillimi i bllokimit të parë. Dhe kjo nuk është zbehur”, ka treguar Cooper.

“Shumë njerëz që e lidhin pijen me kohët mesjetare dhe padyshim është një pije e lashtë alkoolike…por tani po pihet gjithnjë e më shumë nga të rinjtë”, ka dalluar ai.

Prej fillimit të pandemisë, ka pasur dy lloje kryesore të lajmeve kur bëhet fjalë për zakonet e pirjes. Ose të gjithë pinin shumë gjatë ngecjes në shtëpi ose vendosnin të pinin më pak, pa tundimin e bareve dhe restoranteve.

Çka është raportuar pak është se pandemia ka bërë shumë prej nesh pijetarë më aventurierë, me shitjet e pijeve më të pazakonta që janë rritur fuqishëm, së bashku me verërat nga vendet që zakonisht nuk u interesojnë konsumatorëve të zakonshëm, shkruan “BBC”.

Dhe ky trend e kapërceu Atlantikun. Në Manhattan, New York, Park Avenue Liquor Store hapi për herë të parë dyert në vitin 1934.

Në pronësi të familjes, shefi aktual, Jonathan Goldstein, ka një teori prapa dashurisë së sapo gjetur për pijen eksperimentale.

“Kur të gjitha baret duhej të mbylleshin, njerëzit kishin ngecur në shtëpi duke u shtirur si banakier ose mjeshtër koktejesh dhe të gjithë u bënë kreativë”, ka shpjeguar ai.

Shefi ka vijuar se “papritmas, njerëzit donin të eksperimentonin, kështu që pamë një rritje të madhe të porosive online për gjëra më të pazakonta”.

“Në kategorinë tonë të pijeve alkoolike, gjëra të çuditshme si gjalpi i kikirikut ose uiski me shije bananeje, u bënë papritmas shumë të njohura. Kështu ishin pijet e frutës së pasionit”, ka shtuar ai.

Por a janë rikthyer klientët e Goldstein pijeve më tradicionale teksa bota vazhdon ngadalë dhe me shpresë të kthehet në normalitet?

Sipas tij, ende nuk janë kthyer te to.

“Po mbajmë një sy të mprehtë se ku po lëvizin tendencat e pijeve dhe mendojmë se aventurieri i ri do të vazhdojë. Falë industrisë së birrës, njerëzit janë mësuar më shumë të provojnë marka më të vogla dhe gjëra të reja”, ka treguar ai.

Në Mbretërinë e Bashkuar, shitësi me pakicë i verërave, The Wine Society, ka treguar se që nga fillimi i pandemisë ka parë një rritje të madhe në shitjen e verërave austriake dhe greke.

“Një nga objektivat fillestare kur Shoqëria e Verës u krijua në vitin 1874, ishte të prezantonte verërat e panjohura ose ato pak të njohura në këtë vend”, ka thënë Ewan Murray, menaxheri i saj i marrëdhënieve me publikun.

“Kjo vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe anëtarët e Shoqatës së Verës janë eksplorues të etur. Që nga bllokimi i parë, shitjet e verës janë rritur dhe teksa anëtarët tanë fillimisht kërkuan ngushëllim në verërat klasike, eksplorimi ka dalë sërish në plan të parë”, ka vijuar ai.

Dhe dy nga vendet që kanë përfituar më shumë janë Austria dhe Greqia, shkruan “BBC”.

Shitjet e verërave greke të Shoqërisë së Verës arritën në 500 mijë paund nëvitin 2019, duke u rritur në 700 mijë paund vitin e kaluar dhe dy milionë paund deri më tani.

Ndërkaq, kërkesa për shishet e saj austriake u rrit nga 900 mijë paund në vitin 2019, në 1.4 milionë paund në vitin 2020 dhe 2.1 milionë paund këtë vit.

Nga ana tjetër, popullariteti i verërave greke ka të ngjarë të përfshijë njerëz të cilëve u janë mohuar pushimet verore në Greqi, kurse rritja e kërkesës për verëra austriake është befasuese.

Në Devon, në jugperëndim të Anglisë, skuadra Russ dhe Gemma Wakeham, po krijon një frymë që duket paksa e papërshtatshme për Mbretërinë e Bashkuar.

Rumi, I bërë nga melasa, duket më i lidhur me Karaibet.

Ata ishin adhurues të pijeve, kështu që vendosën të përpiqeshin ta bënin të tyren dhe shishet e tyre të para, Two Drifters, doli në shitje në prill 2019.

“Prej marsit 2020, kemi vënë re 200 për qind rritje të shitjeve në internet nga muaji në muaj”, ka thënë zonja Wakeham.

“Para COVID-it nuk kishim shitur fare në internet, vetëm një ose dy shishe në muaj dhe më pas, befas, po shihnim shitje dyshifrore çdo ditë dhe ato thjesht rriteshin dita-ditës”, ka shtuar ajo.

Ajo ka treguar gjithashtu se “nuk kemi paguar për asnjë reklamë, thjesht jemi shumë të mirë për të treguar historinë tonë në të gjitha platformat e mediave sociale dhe njerëzit mësuan për ne përmes asaj mënyre”.

Në Uells, Cooper bën nëntë lloje të ndryshme të pijeve tradicionale, natyrale dhe me shije. Këto përmbajnë afro 13 për qind alkool dhe duhet të pihen në temperaturën e dhomës. Ngjashëm si vera e kuqe.

Ai ka pranuar se “pandemia ka ndihmuar vërtet në rritjen e interesit për pijet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore