Lajme

Si e “goditën” deputetët e VV-së kryeministrin Kurti duke provuar ta mbrojnë


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për herë të parë prejse ka filluar dialogun në Bruksel është treguar më i hapur në seancën e kësaj të hëne duke folur edhe për përmbajtjen e Propozimit Evropian edhe për pranimin në parim që ia ka bërë këtij propozimi, i cili në pikën e 10 përcakton se të gjitha marrëveshjet e arritura paraprakisht mes Kosovës e Serbisë, përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duhet të zbatohen.

Kurti pos që tregoi se e ka pranuar, sqaroi po ashtu se ishte vështirë të mos e bënte.

“Ata”, tha Kurti duke folur për ndërkombëtarët që i priti në takim me 20 janar, “ma bën të qartë që propozimi kryesor këtë herë është fare pranë formatit merre ose leje”.

Kryeministri tregtoi edhe t’i kenë thënë se “nuk mund të pritet një ‘jo’ nga Kosova, sepse do të hynin në një rrugë të konfrontimit me ta”.

E kjo rrugë, siç prapë e elaboroi Kurti, i bie që “çfarëdo refuzimi i propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues dhe ndëshkues”.

Marrëveshja e ka Asociacionin brenda, është merre ose leje dhe po u zgjodh “leje” pasojnë hapat ndëshkues e konfrontimi me ndërkombëtarët, ishte mënyra si e shpjegojë Kurti pse është i pashmangshëm pajtimi për këtë propozim.

Ishte hera e parë që e tha troç, por për pranimin që i ka bërë propozimit tashmë qytetarët e dinë nga emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe këshilltari i Departamentit Amerikan, Derek Chollet, që e falënderuan Kurtin për këtë pranim.

Kush nuk e di ende se Kurti e ka pranuar Marrëveshjen me Asociacionin si pikë brenda ka mundësi të jenë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Menjëherë pasi kryeministri tregoi pse e pranoi propozimin, morë fjalën disa nga deputetët.

Ata tregonin se si Asociacioni nuk bën të pranohet assesi, sepse është de-funksionalizim i shtetit të Kosovës dhe këtë e bënin vetëm pak pasi kryeministri e shpjegoi se e ka pranuar tashmë.

Adnan Rrustemi, deputet i Vetëvendosjes, që shihej se fjalimin e kishte përgatitur paraprakisht, tha qartësisht se për të nuk bën assesi që në Kosovën shumë etnike të ketë Asociacion një etnik dhe se “marrëveshja anti kushtetuese nuk mund të jetë detyrim, por as nuk mund të implementohet”.

Madje, “edhe po të duam, ai (Asociacioni) nuk është i bëshëm”.

“Vendosja e një trupi të huaj një etnik do të ishte bazë për një Republika Serpska në rajon që do të përdorej si levë nga Serbia”, vazhdonte Rrustemi duke treguar pse askush s’bën të pranojë atë që e ka pranuar tashmë Kurti, siç e shpjegoi edhe vetë dhe për çka e kanë falënderuar Lajçak dhe Chollet.

“Strukturat ilegale na kanë treguar se çfarë bëjnë edhe pa Asociacion, paramendojeni çfarë do bënin me Asociacion. Kjo strukturë duhet të kundërshtohet nga të gjitha”, përfundoi fjalinë  tij, por s’ishte i vetmi me këtë qëndrim.

Gati se identik me të në përmbajtje, por shumë më i ashpër në retorikë ishte Arbër Rexhaj, deputet tjetër i Vetëvendosjes.

“Zajednica do ta de-funksionalizonte republikën e Kosovës”, tha ai duke mos harruar t’i referohet Asociacionit me emrin e tij në serbisht.

“Do ta ndërtonte një shtet si Bosnja, një autonomi për serbët në Kosovë. Modeli i shtetit të Bosnjës Kosova nuk duhet ta pranojë as ta marrë për bazë”, këshilloi me ton dhe vazhdojë t’i thërras në imagjinatë deputetët e tjerë.

“Pa Asociacioni vetëm për këto dy vite kemi parë se çfarë kanë bërë strukturat serbe në veri, imagjinoni këtë gjendje me Asociacionin me kompetenca ekzekutive që krijon pushtetin e tretë në Kosovë”, tha Rexhaj.

Kur u duk se Rexhaj mbase ka bindje të tjera për Asociacionin në raport me kryeministrin e Kosovës, ai tha një fjali që dëshmonte të kundërtën.

“Është fat që këtë njeri (Albin Kurtin) e kemi kryeministër”, përfundoi fjalimin.

Kurti më vonë prapë u ngrit për të folur, prapë ndër tjera për të treguar se për themelimin e Asociacionit ka vënë gjashtë kushte, rrjedhimisht e sheh të pranueshëm brenda këtyre kushteve dhe brenda Marrëveshjes Bazë të mbështetur në propozimin franko-gjerman.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore