Shqipëria

Si do funksionojë legalizimi i kanabisit mjekësor


Qeveria shqiptare miratoi gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit të Ministrave projektligjin për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale.

Por si do funksionojë në thelb legalizimi i të ashtuquajturit “kanabis mjekësor”.

Fillimisht, projektligji detyron ngritjen e një strukture të quajtur “Agjencia Kombëtare për Kontrollin e Kanabisit”.

Kjo e fundit, do të jetë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë.

Agjencia në bashkëpunim me Agjencinë e Barnave Mjekësore, Agjencinë e Fidanëve në Ministrinë e Bujqësisë, si edhe me strukturat e tjera si Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme është e ngarkuar për të kontrolluar dhe monitoruar procesin në të gjitha hallkat që nga farërat, mbjellja, korrja, tharja dhe destinacioni fundor i kanabisit.

Në projektligj janë parashikuar të gjitha kushtet për aspektet e dhënies së licencave dhe lejeve për subjektet e interesuara.

Pranë Agjencisë Kombëtare për Kontrollin e Kanabisit do të ngrihet edhe Komisioni i Licencave.

Ky komision do të administrojë dhe verifikojë kërkesat që do të paraqesin subjektet dhe do të vendosë edhe sanksione për ato subjekte që pajisen me leje dhe licenca por që shkelin kushtet ose dalin përtej kuadrit ligjor të përcaktuar.

Ndër të tjera, parashikohet edhe ngritja e regjistrit të posaçëm të subjekteve të licencuara dhe të lejuara, i cili do jetë i aksesueshëm nga gjithë strukturat përkatëse të shtetit, në mënyrë që ky proces të jetë i monitoruar.

Licenca për çdo kompani të interesuar miratohet nga qeveria bazuar mbi disa kritere dhe procedura përzgjedhëse  të organizuara nga Agjencia Kombëtare e Kanabisit.

Vendimi i qeverisë për pajisjen e një kompanie për licencën për kultivimin e kanabisit propozohet nga Ministri i Shëndetësisë, në rastin konkret nga ministrja Ogerta Manastirliu.

Detajet e projektligjit

Në ligj është vendosur gjithashtu një kufizim sa i takon sipërfaqes maksimale të tokës që mund të kultivohet me kanabis.

Konkretisht, sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 200 hektarë në rang kombëtar.

Gjithashtu, sipërfaqja e njësisë së licencës të aktivitetit për qëllime mjekësore nuk mund të jenë më të vogla se 5 hektarë dhe jo më të mëdha se 10 hektarë.

Licenca jepet për një periudhë 15-vjeçare. Kërkuesi, për t’u pajisur me licencë, paguan në momentin e paraqitjes së kërkesës një tarifë e cila është e pakthyeshme.

Masa e tarifës, procedura dhe mënyra e përdorimit të kësaj tarife përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Çdo 3 vjet, kushtet e licencës rivlerësohen nga agjencia, e cila, nëse konstaton mos-përmbushjen e kushteve dhe kritereve, propozon, sipas rastit, pezullimin ose shfuqizimin e licencës apo i kërkon subjektit plotësimin e kushteve brenda një afati 30-ditor.

Jo më vonë se 6 muaj përpara përfundimit të afatit të vlefshmërisë së licencës subjekti mund të kërkojë rinovimin e saj kur provon se plotëson kushtet e pajisjes me licencë, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Për t’u pajisur me licencë, sipas ligjit subjekti, administratori, anëtarët e organeve drejtuese, ortakët apo aksionarët nuk duhet të jenë në ndjekje penale apo në gjykim për ndonjë vepër penale.

Në raste shkeljesh do të angazhohen penalitetet nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë, si dhe ndalimi i përkohshëm i kryerjes së veprimtarisë për një periudhë nga 6 muaj deri në 3 vjet.

Ministri përgjegjës për shëndetësinë vendos për shfuqizimin e licencës nëse subjekti shkel në mënyrë të përsëritur kushtet e licencës, legjislacionin në fuqi për ushtrimin e aktiviteteve, për të cilat është licencuar, nuk fillon zhvillimin e aktivitetit brenda një afati prej 12 muajsh nga miratimi, nëse subjekti e ka marrë licencën nëpërmjet mashtrimit apo deklarohet i falimentuar.

Në ligj janë vendosur kritere të forta për t’u pajisur me licencë. Praktikisht, asnjë kompani shqiptare nuk i plotëson kushtet, pasi kriteri i parë është që kompania duhet të ketë eksperiencë 3-vjeçare në kultivimin, prodhimin, përpunimin, qarkullimin dhe administrimin e bimës së kanabisit.

Kompania ose aksioneri me 51 për qind të aksioneve të shoqërisë duhet të jetë ushtrues i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së kanabisit në një nga 38 vendet pjesë të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik për të paktën 5 vite.

Subjekti duhet të jetë i pajisur me certifikatë të paktës së mirë të prodhimit lëshuar nga Agjencia Evropiane e Barnave ose Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat.

Gjithashtu, kompania duhet të ketë një kapital jo më të vogël se 100 milionë lekë.

Eksperienca e Maqedonisë së Veriut

Kroacia dhe Maqedonia e Veriut, si Çekia, Lituania dhe Polonia, janë ndër vendet e pakta në Evropë që kanë legalizuar përdorimin e marijuanës për qëllime mjekësore.

Ish-kryeministri maqedonas Zoran Zaev premtoi asokohe se do ta transformonte Shkupin në një “Amsterdam në Ballkan”.

Propozimi i Zaev-it, ishte që marihuana të bëhej plotësisht e ligjshme për t’u përdorur dhe të ishte e disponueshme gjerësisht në kafenetë e stilit holandez.

Në një intervistë për Deutsche Welle-n, Zaev mohonte se pas legjislacionit të tij të propozuar qëndronin interesa personale.

Ai premtoi se do të bëheshin përpjekje për të siguruar që fitimet e mundshme të riinvestoheshin në vend.

Posedimi dhe përdorimi i bimës nuk është ende i ligjshëm në të gjitha rrethanat.

RMV-ja u frymëzua nga qasja kanadeze e tregut të lirë për kultivimin dhe shitjen e kanabisit, me kompanitë private që lejohen të kultivojnë dhe shpërndajnë bimën.

Në vitin 2018, Korporata Ndërkombëtare Kanabis Kanadeze (ICC) ra dakord të blejë 100 për qind të “Balkan Cannabis Corp”.

Kjo e fundit, ka licencën maqedonase për kultivimin dhe nxjerrjen e kanabisit mjekësor, si dhe licencat bullgare të kultivimit të kanabisit mjekësor dhe kërpit.

Raporti

Më shumë se gjysma e popullsisë evropiane mbështet legalizimin e përdorimit të kanabisit për të rriturit.

Kjo, sipas të dhënave të konsulentëve të kësaj industrie, e cila u publikua të enjten e 7 prillit nga agjencia e lajmeve “Reuters”.

Qasja liberale e Evropës mund të korrë përfitime të shumta financiare dhe ekonomike siç shihet në Shtetet e Bashkuara.

Shumica e evropianëve mbështesin dyqanet e rregulluara të kanabisit, ndërsa një pjesë prej tyre nuk janë pro rritjes së bimës në shtëpi.

Raporti erdhi pasi Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-ve miratoi një projektligj për t’i dhënë fund ndalimit federal të marihuanës.

Shumë vende evropiane, përfshirë Gjermaninë, e kanë legalizuar kanabisin për qëllime të kufizuara mjekësore.

Malta u bë vendi i parë evropian që lejoi kultivimin e kufizuar dhe përdorimin personal të kanabis-it.

Tregu evropian i kanabis-it pritet të kalojë 3 miliardë euro të ardhura vjetore deri në vitin 2025.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore