Shqipëria

Si dhe sa do të funksionojë heqja e roaming-ut në Ballkan?


Në kuadër të heqjes së tarifave Roaming për shërbimet telefonike me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, kompanitë kryesore telefonike në Shqipëri kanë nxjerrë njoftimet e tyre lidhur me procedimin e planeve tarifore pas datës 1 korrik.

Kompania telefonike, One Telecommunications, ka bërë të ditur për klientët e saj, përmes faqes zyrtare në internet, se tanimë ata mund të përdorin numrin e tyre për telefonata, internet dhe SMS edhe kur udhëtojnë drejt Ballkanit Perëndimor, ngjashëm sikur të jenë në Shqipëri.

Të gjithë klientët One me parapagesë dhe kontratë mund të përdorin falas shërbimin “ONE Roam Like Home” në Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, shkruhet në faqen zyrtare të One-it.

Gjithashtu është sqaruar se, nëse abonentët e vet kanë aktivizuar një nga paketat dhe planet e ofruara nga kompania, ata do të mund të përdorin njësitë e tyre pa kosto shtesë edhe në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Një tjetër kompani e telefonisë që operon në Shqipëri, Vodafone, ka njoftuar planin e tarifimit pa pagesë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Tashmë të gjithë klientët Vodafone me parapagesë dhe me kontratë, të cilët do të udhëtojnë në vendet e Ballkanit Perëndimor, do të mund të përdorin përfitimet e planit tarifor gjatë qëndrimit të tyre në Roaming pa pagesë shtesë”, thuhet te njoftimi zyrtar i kompanisë Vodafone.

Kompania ka specifikuar se përfitimet e planit tarifor do të mund të përdoren të plota, përveç datave (Internetit), për të cilat do të aplikohet një politikë e përdorimit të drejtë, në mënyrë automatike për çdo plan.

Ashtu sikurse ka deklaruar edhe One-i, Vodafone-i ka bërë me dije se heqja e tarifave Roaming është e vlefshme për të gjitha rrjetet në shtetet e Ballkanit Perëndimor si Kosovë, Bosnjë Hercegovinë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi dhe Serbi.

Edhe ALBtelecom-i ka ndjekur po të njëjtën rrjedhë. Në faqen e vet zyrtare në internet ka deklaruar se abonentët mund të përdorin falas shërbimin e dedikuar “Roam Like at Home”.

Si për kryerjen e telefonatave edhe për përdorimin e internetit dhe SMS-ve, klientët e ALBtelecom-it mund ta përdorin numrin e tyre ngjashëm si në Shqipëri edhe kur të ndodhen në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi apo Bosnjë dhe Hercegovinë.

Nëse ata do të kenë aktive një nga paketat 30-ditore standarde me parapagesë, do të mund t’i përdorin njësitë e saj në Roaming-un për Ballkanin Perëndimor pa asnjë tarifë shtesë.

Situata në Kosovë

Edhe në Kosovë janë ndjekur të njëjtat hapa drejt heqjes së tarifave Roaming për shërbimet telefonike me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Një nga kompanitë e atjeshme, IPKO, ka njoftuar për pakot e komunikimit për Ballkanin Perëndimor, duke u bazuar në marrëveshjen e zvogëlimit të çmimeve të shërbimit të Roaming-ut.

IPKO ka sqaruar se këto pako përfshijnë minuta, SMS dhe internet në telefon, të cilat mund të shfrytëzohen në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Bosnjë Hercegovinë dhe Serbi.

Kjo ka ardhur pas deklaratës së Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) që gjendet në Kosovë.

Sipas tij, nga data 1 korrik 2021, konsumatorëve të telefonisë mobile, gjatë qëndrimit në njërin nga vendet e Ballkanit Perëndimor, u mundësohet të mos paguajnë asnjë tarifë shtesë për shërbimet e rregulluara të Roaming-ut, përveç tarifës e cila aplikohet në Republikën e Kosovës.

“Operatorët kanë të drejtë që në planet e tyre tarifore të ofrojnë pako pa Roaming. Kalimi/transferimi midis planeve tarifore me ose pa shërbime Roaming, duhet të ndjekë të njëjtat procedura si kalimi midis planeve tarifore të tjera të zakonshme në Republikën e Kosovës”, deklaron ARKEP-i.

Autoriteti specifikon se vetëm konsumatori ka të drejtë të nisë një proces ndryshimi të planit tarifor dhe, gjithashtu, konsumatori duhet të japë pëlqimin e shprehur përpara çdo ndryshimi të planit tarifor.

Ndërkohë që ofruesit e shërbimeve të telefonisë mobile nuk duhet të aplikojnë tarifë shtesë për SMS-t e pranuar dhe voicemail nga parapaguesit gjatë shfrytëzimit të shërbimeve të Roaming-ut.

Ndërkaq, dëgjimi i “Voicemail” mund të jetë objekt i tarifimit nga operatori.

Sipas autoritetit, pas datës 1 korrik 2021, operatorët nuk mund të aplikojnë tarifa shtesë për parapaguesit pa autorizim paraprak për një veprim të tillë nga ARKEP-i në përputhje me politikën e përdorimit të drejtë FUP (Fair Usage Policy).

Sidoqoftë, operatorët mund të aplikojnë tarifa shtesë në rastin kur niveli i konsumimit të të dhënave e kalon volumin e lejuar (fair use volume limit), i cili është i specifikuar në kontratën me parapaguesin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore