Shqipëria

Shumica e turistëve në Shqipëri për periudhën Janar-Maj 2023 nga Evropa Jugore


Pesëmujori i parë i vitit 2023 ka parë një rritje prej 42,5 për qind të numrit të shtetasve që kanë hyrë në territorin shqiptar.

Referuar të dhënave nga Instituti i Statistikave (INSTAT) numri i shtetasve që kanë hyrë në Shqipëri është në total 2 milionë e 389 mijë e 899.

Pjesën më të madhe e zënë shtetasit e ardhur nga Evropa, respektivisht 2 milionë e 300 mijë e 588, nga të cilët 1 milion e 920 mijë e 14 janë nga Evropa Jugore.

Sakaq, në muajin maj të këtij viti, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin e vendit janë 1 milion e 230 mijë e 165.

Ky tregues rezulton me një rritje prej 14,5 për qind, krahasuar me majin e vitit 2022.

Për të njëjtën periudhë kohore, daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë janë 1 milion e 120 mijë e 387, duke shënuar një rënie me 0,1 për qind, krahasuar me një vit më parë.

Hyrjet e shtetasve

Në muajin maj të këtij viti, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 525 mijë e 86. Ky numër është rritur me 11,6 për qind, krahasuar me majin e vitit 2022.

Ndërsa numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 705 mijë e 79. Ky numër është rritur me 16,7 për qind, krahasuar me majin e kaluar .

Gjatë pesëmujorit të parë 2023, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 2 milionë e 389 mijë e 899. Ky numër është rritur me 42,5 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Daljet e shtetasve

Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit maj të vitit 2023 janë 490 mijë e 41.

Krahasuar me majin e vitit 2022, ky tregues ka rënë me 5,3 për qind.

Kurse daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë janë 630 mijë e 346. Krahasuar me majin e kaluar, ky tregues është rritur me 4,4 për qind.

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë pesëmujorit të parë 2023, është 2 milionë e 447 mijë e 719, duke u rritur me 21,1 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Muajin maj të vitit 2023, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 673 mijë e 706 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 19 mijë e 68 dhe 5 mijë e 293 shtetas.

Krahasuar me majin e vitit 2022, hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur për qëllime personale me 16,6 për qind, për qëllime pushime, vizitë tek të afërm, me 12,8 për qind dhe për biznes dhe qëllime profesionale me 20,3 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore