Shqipëria

Shuhet tërësisht zjarri masiv në Shkodër, por shkrumbohen 5 banesa dhe 25 njësi tregtare


Një zjarr, i cili përfshiu një treg rrobash të përdorura në Shkodër pasditen e 14 qershor, është arritur të shuhet tërësisht nga zjarrfikësit, edhe me ndihmën nga ajri të një helikopteri Cougar, por jo përpara se të shkrumbonte tërësisht pesë banesa.

Si pasojë e flakëve po ashtu u shkrumbuan 25 njësitë tregtare që ishin brenda tregut.

Nga flakët një banore e zonës dhe dy zjarrfikës kanë shfaqur probleme si pasojë e zjarrit dhe po marrin ndihmë mjekësore në spital, ku ndodhen në gjendje të stabilizuar.

Në terren për vënien në kontroll të flakëve ishin 21 mjete zjarrfikëse, të repartit të Shkodrës, nga Malësia e Madhe, Lezha, Ulqini dhe Tivari, 110 efektivë të forcave zjarrfikëse, 30 efektivë të Policisë Shkodër, 20 efektivë të repartit të FNSH, 3 autoambulanca me personel nga Spitali i Shkodrës, 110 punonjës të Bashkisë Shkodër, 30 efektivë të Repartit Ushtarak Vau Dejës dhe 1 helikopter i ushtrisë.

Dëmet materiale llogariten të jenë të shumta, ndërsa fatmirësisht nuk ka pasur viktima. Kjo sepse në momentin e zjarrit tregu ishte i mbyllur. Dyshohet se zjarri është ndezur qëllimisht, por ende nuk ka informacione të zyrtarizuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore