Kulturë

Shuhet kompozitori Agim Krajka


Kompozitori i mirënjohur Agim Krajka, ndahet nga jeta në moshën 84-vjeçare.

Lajmi u bë i ditur nga i biri, Ulis Krajka, nëpërmjet një postimi në median sociale, Facebook.

“U prefsh në paqe i dashur baba”, shkruan ai.

Agim Krajka u lind në Kavajë, më 3 maj 1937, në një familje me origjinë dibrane. Babai i tij ishte i apasionuar pas muzikës dhe, si amator, luante në disa instrumente muzikore si violinë, mandolinë, fizarmonikë. Dashuria dhe pasioni për muzikën tek Agimi lindën që në fëmijëri, të cilën ia ushqeu edhe vetë babai i tij.

Fizarmonika u bë shkak që shkoi në Shtëpinë e Pionerit, ku filloi të merrej seriozisht me të. Në vitin 1963, Agimi fillon studimet për teori e kompozicion. Degën e Kompozicionit e ka kryer nën drejtimin e të madhit Çesk Zadeja.

Në vitin 1964 kalon pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, në fillim si instrumentist, e më pas si kompozitor e drejtues orkestre. Veprimtaria e tij muzikore është shumë e gjerë dhe përfshin një periudhë prej tri dekadash.

Ka shkruar muzikë në shumë lloje dhe është bërë i famshëm si me muzikën e lehtë, ashtu edhe me atë popullore, të përpunuar e orkestrale. Ka kompozuar mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë.

Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pasviteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961.

Ai është nderuar me mbi 15 çmime të dyta, tri çmime të treta dhe vetëm një çmim të parë në Festivalin e vitit 1987, me këngën “Nuk e harroj”, të kënduar nga motrat Libohova.

Kolegët e tij e vlerësojnë atë si një artist të përmasave të mëdha që ka sjellë vlera unike në muzikën e lehtë shqiptare dhe atë popullore.

Ministria e Kulturës i ka kushtuar një postim artistit tek shpreh “ngushëllimet më të ndjera familjarëve të kompozitorit Agim Krajka, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës shqiptare. Me krijimtarinë e tij, ai do të mbetet i pavdekshëm”.

Ministrja Margariti ka shprehur pikëllimin e saj duke e vlerësuar kompozitorin për energjinë e jashtëzakonshme dhe krijimtarinë e pakohë.

“I dashur profesor,
Më duket si dje kur së bashku “thyem” karantinën në sheshin “Skënderbej”, në Ditën e Muzikës, me koncertin aq të suksesshëm “Të gjithë e duan Agim Krajkën”.
Ne nuk gjenim dot simbolikë më të bukur se kaq. Sepse shqiptarët të kanë dashur dhe do të të duan përtej çdo kufiri moshor”.

“Do të ishte e zbrazët të thosha se sa shumë do të na mungosh me atë energji e rini të jashtëzakonshme, por me gjasë, tani je duke kompozuar një tjetër muzikë në amshim.
Do të jesh gjithnjë me ne mjeshtër dhe duartrokitjet janë për ty edhe në këtë ditë, kur fizikisht duhet të të themi lamtumirë”, shkruan ministrja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore