Shqipëria

Shuhen tre vatra zjarri, vijojnë përpjekjet në Karaburun


Tre vatra të mëdha zjarri janë shuar plotësisht në Shqipëri, ndërsa helikopterët holandezë vijojnë betejën me flakët për t’i dhënë fund “ferrit” në gadishullin e Karaburunit.

Vatrat në Dukat dhe Gjirin e Gramës kanë qenë ndër të parat e shuara gjatë punës në ditën e 12-të të luftës me flakët. Një vatër tjetër me shumë rëndësi, po e shuar, është ajo e pikës kufitare Rips në fshatin Livadhja, ku është shmangur edhe rreziku i cenimit të banesave.

Një vatër e re është raportuar ndërkohë në Kepin e Rodonit në Durrës. Puna po vijon edhe aty tashmë për vënien e saj në kontroll.

Në Bashkinë e Librazhdit ka një vatër të re në malin e Xhyrës, ku një sipërfaqe me shkurre e ferra po digjet. Në Thirrë, vatra është zgjeruar duke shkaktuar një sasi të lartë tymi në gjithë pjesën kodrinore.

I izoluar nga ana tjetër, është zjarri në fshatin Munellë-Domgjon. Maja e Rrunës në Kukës, vijon të jetë ndër më problematiket. Kjo, edhe për shkak të terrenit të vështirë. Zonat e banuara mbeten të rrezikuara, por autoritetet po punojnë që të mos i lejojnë flakët të shkojnë pranë shtëpive.

Nën kontroll mbeten edhe fshatrat Klysyrë dhe Vermoshi.

Asnjë rajon i Shqipërisë nuk është kursyer nga vatrat e zjarreve verën e vitit 2021. Dëmet më të mëdha janë shkaktuar në zonën jugore. Gjithsesi, vatra zjarresh të mëdha ka pasur edhe në Shqipërinë e Mesme dhe atë Veriore.

Puna vijon me disa helikopterë, ku më të rëndësishmit janë dy holandezët që po punojnë në Karaburun.

Është evituar deri në këto çaste edhe kalimi i flakëve në Llogara, duke shmangur një katastrofë të mundshme pyjore në zonën e parkut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore