Lajme

Shtyrja e vendimit për dinarin, Bajrami për AP: Kush mban përgjegjësi për kritikat që mori Kosova nga aleatët?


Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, në një bisedë për Albanian Post ka thënë se dikush duhet të mbajë përgjegjësi për kritikat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i bën në adresë të Qeverisë për ndalimin e përdorimit të dinarit, meqë Banka Qendrore e Kosovës, njoftoi këtë të hënë se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj e cila e ndalon përdorimin e kësaj monedhe do të zgjasë tre muaj.

“Kujt ju deshtë politizimi i rregullores së BQK-së deri në Këshill të Sigurimit, ku u pa qartazi se kjo rregullore dhe politizimi i saj ishin bërë pa koordinim me aleatët tonë, të cilët po në këshill e kritikuan Kosovën bash ditën kur Parlamenti Evropian nxori Rezolutë për hetim ndërkombëtar rreth manipulimit të zgjedhjeve në Serbi nga ana e Aleksandër Vuqiçit”, tha Bajrami për AP.

Bajrami ka pyetur se pas këtij vendimi të BQK-së, “kush humbi e kush fitoi?”, derisa ka shtuar se “mos të harrojmë asnjëherë faktin” se falë kësaj Qeverie, Kosova ka 230 ditë që është nën sanksione nga ana e Bashkimi Evropian dhe po kritikohet haptas nga ShBA-ja.

“Sot, Banka Qendrore paska njoftuar për periudhën tranzitore tre mujore për zbatimin e rregullores. Mirë shumë deri këtu, se po thonë që BQK është institucion ‘i pavarur’, por kush mban përgjegjësi për krejt kritikat që Kosova mori nga pothuaj secili aleat i saj gjatë dhjetë ditëve të kaluara, apo me rëndësi është popullzimi i momentit”, potencoi ajo.

Tani sipas Bajramit, kthimi mbrapa nuk është që ka ndonjë efekt te populli, teksa shton se “druaj as të aleatët, por pëlqimet u morën, vargje patriotike u thurën, videot u bënë virale, ani pse Kosova po numëron në vend”.

Ndryshe, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka bërë të ditur se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj e cila e ndalon përdorimin e dinarit serb do të zgjasë tre muaj.

“Veprime shtesë të cilat pritet të realizohen në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre (3) muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet tjera financiare”, është thënë nga BQK-ja.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë që nuk do të ketë masa ndëshkuese për ata që nuk e respektojnë vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit për pagesa.

“Qeveria e Kosovës, brenda kompetencave të veta, nuk do të shqiptojë masa ndëshkuese gjatë periudhës tranzitore dhe thërret edhe shtyllat tjera (institucionale) që të mbajnë të njëjtin qëndrim”, shkroi Kurti në platformën “X”.

Në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë.

Dorëzohet edhe BQK, shtynë 3 muaj vendimin për dinarin – “e quan fazë tranzitore”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore