Sport

Shtyhet super përballja mes Mike Tyson dhe Jake Paul


Mike Tyson dhe Jake Paul

Përballja e Mike Tyson me Jake Paul është shtyrë për një kohë të pacaktuar pasi legjenda e peshave të rënda mori një paralajmërim nga profesionistët mjekësorë.

Tyson, 57 vjeç dhe Paul, 27 vjeç, do të takoheshin në stadiumin “AT&T” në Arlington, Teksas më 20 korrik në ngjarjen kryesore që do të transmetohej në “Netflix”.

Ngjarja tani është shtyrë për një datë të mëvonshme. Një deklaratë e lëshuar nga kompania promovuese e Paul, “MVP”, njoftoi se Tyson nuk është në gjendje të stërvitet për shkak të një ulçere, duke detyruar që ndeshja të anulohet.

“Gjatë një konsultimi të enjten me profesionistë mjekësorë për shpërthimin e tij të fundit të ulçerës, rekomandimi është që Mike Tyson të bëjë stërvitje minimale ose të lehta gjatë javëve të ardhshme dhe më pas t’i kthehet stërvitjes së plotë pa kufizime”, thuhet në deklaratë.

“Të dy, Mike dhe Jake janë dakord se është e drejtë të sigurohet që të dy atletët të kenë kohë të barabartë stërvitore për t’u përgatitur për këtë ndeshje të rëndësishme dhe të jenë në gjendje të konkurrojnë në nivelin më të lartë”.

“Shëndeti dhe mirëqenia e atletëve është prioriteti ynë kryesor dhe ne e mbështesim plotësisht Mike në marrjen e kohës së nevojshme për ta lejuar atë të performojë në nivelin që pret nga vetja”, vijon deklarata.

Tyson shprehu zhgënjimin e tij, por u premtoi fansave se ndeshja do të zhvillohet më vonë këtë vit.

“Dua të falënderoj fansat e mi në mbarë botën për mbështetjen dhe mirëkuptimin e tyre gjatë kësaj kohe. Fatkeqësisht, për shkak të shpërthimit të ulçerës, jam këshilluar nga mjeku im për të lehtësuar stërvitjen time për disa javë për të pushuar dhe rikuperuar”, tha ai në një deklaratë të lëshuar nga “MVP”.

“Trupi im është në përgjithësi në formë më të mirë se sa ka qenë që nga vitet 1990 dhe së shpejti do t’i rikthehem orarit tim të plotë të stërvitjes”, theksoi ai.

Paul, ndërkohë, tha se është i lumtur të presë të përballet me Tyson “në më të mirën e tij” në vend që të nxitojë në një duel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore