Lajme

Shtyhet seanca ndaj Sveçlës e tre deputetëve të LV-së për hedhje të gazit lotsjellës


Është shtyrë seanca ndaj ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacollit, Salih Zyba dhe Drita Millaku, të akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës gjashtë vite më parë në Kuvend, meqë ka munguar deputetja Pacolli.

Sipas Prokurorisë, ata akuzohen për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, si dhe për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Aktakuza ndaj tyre është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 29 korrik të 2019-s. Ndryshe, gjyqtari Sabit Sadikaj ka njoftuar se seanca e radhës do mbahet më 1 mars.

Ndërkaq të martën, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur të pafajshëm kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca lidhur me akuzën për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit më 18 gusht të vitit 2016.

Kryetarja e trupit gjykues, Edita Çanta, ka thënë se “përgjatë procesit gjyqësor nuk është vërtetuar që Konjufca e ka kryer veprën penale për të cilën e akuzon Prokuroria Themelore në Prishtinë”.

Mandati i Konjufcës mund të përfundojë nëse dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për gazin lotsjellës?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore