Kosova

Shtyhet seanca e Kuvendit, vetëm 48 deputetë të pranishëm


Seanca e Kuvendit të Kosovës.

Seanca e cila ishte paraparë që të mbahej të mërkurën dhe të fillonte në ora 12:00 është shtyrë për të enjten.

Kjo për shkak të mungesës së deputetëve.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca deklaroi se në këto kushte nuk mund ta mbajnë seancën.

“Gjysmë ore është bërë prej kur është e ftuar kjo seancë dhe është dashur t’ia niste. Kështu që vetëm 48 deputetë me sa po e shoh janë të pranishëm. Nuk ka kushte për t’u mbajtur seanca, shihemi në seancën e nesërme”, tha Konjufca.

Ishte planifikuar që deputetët e Kuvendit të Kosovës të përfundojnë pikat që kishin mbetur nga seancat e muajve të kaluara.

Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e filluar më 2 shkurt dhe vazhduar 22 mars 2023 ishin votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2021.

Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2021, shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Po ashtu, formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb.

Të tjerat të mbetura nga seanca plenare e filluar më 9 shkurt ishin edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-199 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-060 për Mjekësinë Ligjore, shqyrtimi i rekomandimeve për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.04/L-109 për Komunikimet Elektronike, përzgjedhja e një (1) anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Disa pika të papërfunduar kishin mbetur edhe nga seanca plenare e filluar më 23 shkurt.

Votimi i Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-208 për parqet industriale dhe teknologjike, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-209 për investime të qëndrueshme, shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë për miratimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “Moxico Luma Kosova Mining L.L.C.”.

Shqyrtimi i Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”,Propozimi i GP “Multietnik” për shkarkimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bekim Arifi.

Ndërsa nga seanca plenare më 9 mars kanë mbetur shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2021, shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra”, shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Performanca financiare dhe operative NP “Trepça Sh.A”.

Emërimi i drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, shqyrtimi i Projekt-Deklaratës në mbështetje të Fondit Kosovaro-Amerikan për Arsim (KAEF).

Pika të papërfunduara kanë mbetur edhe nga seanca plenare e filluar më 23 mars 2023 votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-214 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-163 për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-158.

Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, formimi i Komisionit Ah-hoc për përzgjedhjen e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar.

Zgjedhja e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave, zgjedhja e një (1) zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-210 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-218 për organizimin e tregut për produktet bujqësore, themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore