Shqipëria

Shtim i aksidenteve rrugore në muajin shkurt


Numri i aksidenteve rrugore për muajin shkurt të këtij viti është rritur me 14,3 për qind.

Referuar të dhënave të INSTAT-it, në muajin shkurt numërohen 88 aksidente rrugore nga 77 të ndodhura në po të njëjtin muaj të vitit 2022.

Sakaq, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 123 persona nga 100 në muajin shkurt të vitit 2022.

Në 81,8 për qind të rasteve, aksidentet rrugore kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.

Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 35-44 vjeç, duke zënë 22,7 për qind të numrit të aksidenteve gjithsej.

Ndërkaq, aksidentet në këtë grup-moshë janë rritur me 11,1 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Këtë muaj shkurt, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur ditëve të hëna dhe të enjte, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur ditëve të mërkura.

Ndërkohë, numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur gjatë harkut kohor 19:00-24:00 duke përbërë 29,5 për qind të numrit gjithsej të aksidenteve në muajin shkurt të vitit 2023.

Në dymujorin e parë të vitit, numërohen 172 aksidente rrugore nga 184 aksidente, të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sakaq, numri i aksidenteve rrugore është ulur me 6,5 për qind.

Numri i të aksidentuarve është 242 persona nga 247 persona të aksidentuar në dymujorin e parë të vitit 2022.

Aksidentet rrugore, në 19,2 për qind të rasteve, në dymujorin e parë të vitit 2023 kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit.

Kurse numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është rritur me 13,8 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore