Lajme

Shteti s’obligohet, familjet s’kanë mundësi – Kush do të paguajë për zhdëmtimin e viktimave nga procesi gjyqësor i Hagës?


Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka shqiptuar urdhrin për zhdëmtim të viktimave në rastin e ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i cili u shpall fajtor për krime lufte, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme, në luftën e fundit në Kosovë, për çka u dënua me 26 vjet burgim.

Mustafës vendimi për vuajtje dënimi ju dha me 16 dhjetor të vitit 2022, ndërsa katër muaj më vonë, kjo gjykatë mori një tjetër vendim, për të dëmshpërblyer viktimat në këtë rast me vlerë prej 207 mijë eurove.

Familja e Mustafës, të rënduar emocionalisht nga ky proces nuk duan fare të komentojnë se si do t’i bëhet qarja pagesës për dëmshpërblim të viktimave në këtë rast.

“Çdo gjë që keni drejtohuni tek avokatët e tij, ne nuk mund të themi asgjë”, ka thënë gruaja e Salih Mustafës, Vlora, pasi u kontaktua përmes telefonit nga Albanian Post.

“Për çdo gjë që doni të dini, ju lutem pyesni avokatët”, ripërsëriti Vlora Mustafa.

Julius von Bone, avokati i Salih Mustafës ka njoftuar Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë se kjo pagesë nuk mund të bëhet nga familja. Pasi që krahas njoftimit për 207 mijë euro zhdëmtim të viktimave, trupi gjykues ka bërë të ditur se këtë shumë familja Mustafa nuk ka mundësi ta bëjë dhe ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të krijojë një mekanizëm të ri për zbatimin e këtij vendimi.

Por, njohësit e çështjeve juridike dhe ligjore në Kosovë, vlerësojnë se Qeveria e Kosovës nuk është e obliguar të paguajë dëmshpërblim për këto viktima.

“Nuk është obligim i shtetit, që ta zhdëmtojë këtë kategori të viktimave, të paktën jo, në kuadër të legjislacionit aktual”, ka thënë Arbër Jashari, avokat, në një prononcim për Albanian Post.

“Sipas nenit 46 paragrafi 6, të Ligjit për dhomat e Specializuara, përgjegjësia për kompensimin e dëmit, bije mbi të akuzuarin i cili është shpallur fajtor. Ligji e thekson se:  ‘…Dhomat e specializuara mund ta urdhërojnë vetëm personin e dënuar që ta dëmshpërblejë ose ta kompensojë viktimën apo viktimat bashkërisht, ose mund ta urdhërojnë konfiskimin e pronës, të ardhurave dhe të aseteve që përdoren për kryerjen e krimit dhe që rrjedhin nga kryerja e krimit dhe kthimin e tyre tek pronari i ligjshëm apo shitjen dhe ndarjen mes viktimave sipas nenit 22’”, citon Jashari.

“Ligji ka lënë mundësinë që Gjykata Speciale, vet ta nxjerrë urdhrin për kompensim, ose palët t’i udhëzojë në kontest civil, pranë ndonjë gjykate tjetër të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

“Konsideroj se Gjykata Speciale, në rastin Mustafa, në mungesë të një baze ligjor, qëllimisht është thirrur gabimisht në dispozitat e ‘Ligj për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre’, i cili ligj rregullon një çështje krejt tjetër, nga ajo për të cilën po bëhet fjalë, dhe s’mund të aplikohet në këto raste”, përfundon ai.

Me kushtet e deritanishme Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, përveç që nuk mund të obligojnë Kosovën të paguaj për zhdëmtim të këtyre viktimave në këtë mënyrë, as nuk mund të obligojë shtetin që të hartojë legjislaturë të re e cila mund t’i përshtatej kësaj kërkese, ka thënë Ramiz Durmishi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

“Gjykata ka nxjerrë një vendim pa pas një bazë ligjore edhe për këtë nuk ka mundësi të obligojë qeverinë as kuvendin me nxjerrë ligj që ja përshtatin urdhrit të gjykatës”, ka thënë Durmishi për Albanian Post.

“Nuk kemi një ligj të veçantë që e rregullon këtë materie dhe prandaj si e tillë do të duhet trajtuar me legjislacionin në fuqi dhe jo të obligohej Qeveria të krijoj mekanizma, apo thënë ndryshe, të obligohej Kuvendi që të nxjerr një ligj me të cilin do ta mundësonte zbatimin e urdhrit për kompensim”.

Por, nëse Qeveria e Kosovës do që të marrë përsipër kompensimin e këtyre viktimave, atëherë kjo gjë mund të bëhet “në bazë të ligjit për kompensimin e viktimave të krimit i cili është në fuqi në Kosovë”, thotë Durmishi.

Nëse i dënuari nuk ka mundësi të bëjë kompensimin e viktimave të krimit, sipas legjislacionit në fuqi, viktimat duhet t’i drejtohen Komisionit për Kompensimin e viktimave të Krimit dhe atë “pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit”.

“E pastaj, komisioni të vendos për lartësinë e kompensimit. Kurse në rastin konkret gjykata ka vendosur edhe për kompensimin edhe për lartësinë e tij pa i lënë hapësirë Komisionit të vlerësoj dhe të vendos”, thotë Durmishi.

Për t’i dhënë epilog kësaj problematike, njohësi i çështjeve ligjore nga IKD vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet ta ankimoj këtë vendim. Viktimat t’i drejtohen Komisionit për Kompensim të Viktimave i cili më pas në bazë të kompetencave ligjore dhe profesionale do të caktonte lartësinë e kompensimit për këto viktima. Në të kundërtën urdhri për kompensim mbetet i pa ekzekutueshëm në Kosovë nga ana ligjore.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore