Lajme

“Shtetet e Bashkuara nuk duhet të krijojnë asnjë iluzion për Tajvanin”


“Nuk ka vend për kompromis mbi Tajvanin dhe Shtetet e Bashkuara nuk duhet të krijojnë asnjë iluzion për këtë”.

Kështu është shprehur të enjten Ministria e Mbrojtjes së Kinës, duke shtuar se Washingtoni kohët e fundit ka bërë një seri “provokimesh” për disa çështje.

Kina thotë se çështja e Tajvanit, të cilin e pretendon si territor kinez, është më e ndjeshme në lidhjet e saj me Shtetet e Bashkuara, vendi që është gjithashtu mbështetësi dhe furnizuesi më i rëndësishëm ndërkombëtar i Tajvanit me armë.

Dallimet mbi Tajvanin vazhduan gjatë një takimi virtual në fillim të këtij muaji midis presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, dhe presidentit kinez Xi Jinping.

Biden ia ka thënë në sy – virtualisht – homologut të tij kinez, Xi Jinping, se SHBA-të janë thelbësisht kundër përpjekjes së Pekinit zyrtar për të ndryshuar status quo-në dhe për të rrezikuar paqen në Tajvan.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden dhe presidenti kinez, Xi Jinping

I pyetur në një konferencë për lajmet në Pekin, për të komentuar lidhjet ushtarake kino-amerikane, zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes, Wu Qian, tha se “të kesh një marrëdhënie të shëndetshme dhe të qëndrueshme është e mirë për të dy vendet dhe për atë që pret bota”.

Kina është e gatshme të ruajë shkëmbimet dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, shtoi ai.

“Megjithatë, për një periudhë kohore, pala amerikane ka thënë shumë gjëra të papërgjegjshme dhe ka bërë shumë gjëra provokuese në Tajvan dhe Detin e Kinës Jugore”, tha Qian.

Wu Qian

Kina ka parime për zhvillimin e marrëdhënieve midis dy ushtrive, që do të thotë se sovraniteti, dinjiteti dhe interesat thelbësore të saj nuk mund të cenohen, shtoi ai.

Tajvani, i sunduar në mënyrë demokratike, ka denoncuar Kinën për presionin e saj të shtuar diplomatik dhe ushtarak në përpjekje për të detyruar ishullin të pranojë sovranitetin kinez.

Nën politikën e “një Kine”, SHBA-të mbajnë raporte zyrtare vetëm me Kinën dhe jo me ishullin e Tajvanit.

Këtë aspekt, kinezët e shohin si një hapësirë për t’u bashkuar me vendin ishullor pas dekadash shkëputje.

Politika “Një Kinë”, të cilës Biden dhe Jinping besohet se i janë referuar, është një gur themeli kryesor i marrëdhënieve kino-amerikane, por është i ndryshëm nga parimi Një Kinë, ku Kina këmbëngul se Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e Kinës.

Mirëpo, SHBA-të aderojnë edhe në aktin e raporteve tajvaneze, ku ata zotohen se, në rast sulmi nga kinezët, duhet t’i ndihmojnë tajvanezët.

Për këtë çështje, Biden ka thënë muajin e shkuar se janë gati për ndërhyrje ushtarake nëse është e nevojshme. Disa avionë kinezë kanë hyrë kohët e fundit në hapësirën ajrore të Tajvanit.

Incidente të rënda ende nuk ka, por frika mbetet për destabilitet në detin e Kinës Jugore.

Marrë nga Reuters, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore