Shëndet

Shtatë rregulla për të jetuar më gjatë dhe më të shëndetshëm


Njeriu ka qenë në kërkim të sekretit të pavdekshmërisë për qindra vjet.

Tema është bërë një biznes i vërtetë dhe konferencat mjeko-ekonomike që kanë të bëjnë me jetëgjatësinë janë gjithnjë e më të shpeshta.

Kufiri i ri i mjekësisë rigjeneruese dhe kundër plakjes varion nga terapia me oksigjen në një dhomë hiperbarike (e cila premton të zgjasë telomeret dhe të ketë efekte në mitokondri)  deri te krioterapia, (e cila ndër të tjera do të ngadalësonte plakjen) përmes dritave infra të kuqe.

Më pas është bota plot ngjyra e suplementeve, por mbi të gjitha kërkimi i furishëm i pilulës magjike që ju bën të rinoheni.

Sigurisht, do të ishte e përshtatshme që të mos shqetësoheshit për obezitetin, diabetin, aktivitetin fizik dhe të zgjidhni çdo problem duke marrë një pilulë të aftë për të çliruar proteina që rinovojnë qelizat e plakura, duke vazhduar të jetosh, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, duke pirë alkool, duke fjetur pak dhe duke ngrënë keq.

Por gjërat nuk funksionojnë kështu: trupi i njeriut është një mekanizëm shumë kompleks dhe mënyrat e jetesës së shëndetshme kontribuojnë të gjitha për të jetuar më gjatë dhe më të shëndetshëm.

Ne e dimë sekretin e jetëgjatësisë, “pilula magjike” është tashmë këtu.

Aktiviteti fizik

Ekspertët rekomandojnë që ta mbani trupin aktiv.

Tanimëka dhjetëra studime që kanë treguar se si ushtrimet fizike reduktojnë rrezikun e vdekjes së parakohshme.

Aktiviteti fizik mban të shëndetshëm zemrën dhe sistemin kardiovaskular dhe mbron nga një sërë sëmundjesh kronike, përfshirë ato neurodegjenerative.

Aktiviteti fizik forcon muskujt dhe lufton sarkopeninë, duke reduktuar rrezikun e rënies tek të moshuarit.

Çfarë ushtrimesh duhet të bëjmë? Në realitet, mjekët geriatër dhe sportistë sugjerojnë të bëni atë që ju pëlqen.

Rekomandimet ndërkombëtare flasin për 150 minuta ushtrime me intensitet mesatar në javë ose 75 minuta stërvitje intensive.

Më mirë të zgjidhni aktivitete që kombinojnë stërvitjen aerobike dhe forcën: not, basketboll, futboll, çiklizëm por mbi të gjitha tenis që, siç dihet tashmë, zgjat jetën.

E rëndësishme është të filloni, atëherë do të ndiheni aq mirë sa nuk do të mund të bëni dot pa të.

Ushqimi: më shumë fruta dhe perime

Nutricionistët në përgjithësi rekomandojnë të hani në mënyrë të moderuar dhe të konsumoni më shumë fruta dhe perime dhe më pak ushqime të përpunuara.

Dieta mesdhetare është modeli ideal sepse favorizon produktet e freskëta si dhe drithërat, bishtajoret, arrat, peshkun dhe vajin e ullirit.

Dieta mesdhetare është vërtetuar se zvogëlon rrezikun e sëmundjeve të zemrës, kancerit, diabetit dhe demencës.

Gjumi

Ndikimi i gjumit në jetëgjatësi është vendimtar.

Gjumi ndonjëherë neglizhohet, por ai luan një rol të rëndësishëm në plakjen e shëndetshme.

Hulumtimet kanë zbuluar se sasia e gjumit që një person merr mesatarisht çdo natë lidhet me rrezikun e vdekjes nga çdo shkak dhe se gjumi i qëndrueshëm dhe me cilësi të mirë mund të shtojë disa vite në jetën e një personi.

Gjumi duket të jetë veçanërisht i rëndësishëm për shëndetin e trurit: Një studim i vitit 2021 zbuloi se njerëzit që flinin më pak se pesë orë në natë kishin dyfish rrezikun e zhvillimit të demencës. Zakonisht rekomandohet 7-8 orë gjumë për natë.

Mos e teproni me duhanin dhe alkoolin

Dihet: pirja e cigareve rrit rrezikun e prekjes nga sëmundjet fatale.

Nuk ka asnjë dozë cigaresh që nuk është e keqe për ju.

Konsumimi i tepërt i alkoolit është gjithashtu i dëmshëm.

Pirja e më shumë se një gotë verë në ditë për gratë dhe dy për burrat (dhe ndoshta edhe më pak) rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, fibrilacionit atrial, sëmundjeve të mëlçisë dhe madje edhe disa llojeve të kancerit.

Menaxhoni sëmundjet kronike

Sëmundjet kronike duhet të trajtohen. Të gjitha sjelljet e listuara më sipër ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të këtyre gjendjeve kronike dhe parandalimin e zhvillimit të sëmundjeve edhe më të rënda.

Ndonjëherë, në situata më të rënda, ndërhyrjet në stilin e jetesës nuk janë të mjaftueshme dhe për këtë arsye është thelbësore të ndiqni këshillat e mjekut dhe të adoptoni terapi farmakologjike, nëse është e nevojshme.

Shmangni izolimin

Shëndeti mendor shpesh zë një vend të pasmë ndaj shëndetit fizik.

Megjithatë, ne e dimë se izolimi dhe vetmia janë po aq të këqija për shëndetin tonë sa edhe pirja e 15 cigareve: vetmia mund të shkaktojë stres kronik dhe presion të lartë të gjakut.

Vetmia mund të kontribuojë gjithashtu në rritjen e niveleve të inflamacionit, një tipar i përbashkët i shumë sëmundjeve kronike degjenerative si diabeti, obeziteti, sëmundjet kardiovaskulare, kanceri dhe sëmundjet neurodegjenerative.

Sipas komisionit Lancet, izolimi përbën 5 për qind të rrezikut të Alzheimer-it. Marrëdhëniet janë të rëndësishme jo vetëm për të jetuar shëndetshëm, por edhe më të lumtur.

Optimizmi

Të menduarit pozitivisht mund t’ju ndihmojë gjithashtu të jetoni më gjatë.

Disa studime kanë zbuluar se optimizmi është i lidhur me një rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës dhe njerëzit që kanë rezultate të larta në testet e optimizmit jetojnë 5 deri në 15 për qind më gjatë se njerëzit më pesimistë.

Kjo mund të jetë për shkak se optimistët priren të kenë zakone më të shëndetshme dhe shkallë më të ulët të disa sëmundjeve kronike, por edhe duke marrë parasysh këta faktorë, hulumtimet tregojnë se njerëzit që mendojnë pozitivisht jetojnë më gjatë.

Ndikimi i gjenetikës

Secili prej nesh ka një gjyshe, një xhaxha, një fqinj që është mbi 95 vjeç, në përgjithësi me shëndet të mirë, pavarësisht nga pirja e alkoolit, ngrënia e ushqimeve të përpunuara, pa pasur asnjë aktivitet fizik në jetën e tij/saj.

Është e vërtetë që gjenetika ndikon në jetëgjatësinë me rreth 25 për qind, por zakonet e mira kontribuojnë 60 për qind ose më shumë për të jetuar gjatë dhe të shëndetshëm.

Plus, të gjitha këshillat në listë janë aktivitete të realizueshme që madje mund t’ju kursejnë para.

Një studim statistikor i botuar në “British Medical Journal” arriti në përfundimin se një mënyrë jetese e shëndetshme mund të kompensojë efektet negative të gjeneve që shkurtojnë jetën me më shumë se 60 për qind.

Përkundrazi, ata që janë të predispozuar për një jetë të gjatë do të vdesin ende të rinj nëse bëjnë një jetë me shumë teprime.

Marrë dhe përshtatur nga Corriere della Sera për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore