Lajme

Shqiptarëve të Luginës iu mundësohet të blejnë prona në Kosovë


Lugina e Preshevës. Foto: Krenar Halimi.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e të mërkurës ka miratuar plotësim-ndryshimin e Ligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Kosovë.

Përmes këtij plotësim-ndryshimi, qytetarëve shqiptarë në Luginë të Preshevës do t’u mundësohet fitimi i të drejtës pronësore në Kosovë.

“Jemi zotuar se do të mbështesin bashkëkombësit tanë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc si dhe që do ta avancojmë pozicionin e tyre juridik. Me propozimin e ri nga Ministria e Drejtësisë, qytetarët shqiptarë pra personat fizikë dhe juridikë nga ajo tretë, do të mund të fitojnë të drejta pronësore në Kosovë sipas kushteve të parapara me ligj duke përjashtuar në këtë rast parimin e reciprocitetit”, tha para kabinetit qeveritar, kryeministri Albin Kurti.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ligji aktual për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës përcakton se fitimi i të drejtës pronësore të shtetasve të huaj në Kosovë, bëhet mbi bazën e parimit të reciprocitetit.

“Por, duke pasur parasysh rrethanat dhe mungesën e raporteve bilaterale të Republikës së Kosovës me Serbinë, qytetarëve shqiptarë në Luginë me dispozitat e ligjit që është në fuqi iu bëhet e pamundur fitimi i të drejtës pronësore, pra e kanë të pamundur që të blejnë prona në Kosovë”.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

“Prandaj, Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë nismën për plotësim-ndryshimin e këtij ligji, përmes së cilit ndryshim qytetarët e komunitetit shqiptar në Luginë do të përjashtohen nga kufizimet e reciprocitetit”, u shpreh Haxhiu.

Serbia i diskriminon sistematikisht shqiptarët që jetojnë atje, madje nuk ua lejon as përdorimin e flamurit kombëtar.

Një nga çështjet që së fundmi është ngritur edhe në Senatin Amerikan është edhe pasivizimi i adresave, posaçërisht në Medvegjë.

Shqiptarët në Serbi jetojnë kryesisht në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – komuna të njohura bashkërisht si Lugina e Preshevës.

Në Luginën e Preshevës, sipas regjistrimit të 2002-ës, kanë qenë 88 mijë e 966 qytetarë të regjistruar, prej tyre 57 mijë e 737 shqiptarë, apo 65 për qind.

Numri aktual i shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk është i qartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore