Shqipëria

Shqiptarët të tretët nga numri i bandave kriminale në Gjermani


Numri i shqiptarëve të organizuar nëpër banda kriminale, të cilët kanë qenë nën hetim për pjesëmarrje në organizata kriminale, është rritur.

Kështu ka rezultuar në Raportin Federal të Situatës për Krimin e Organizuar 2021, i cili u publikua më 21 shtator në Berlin nga Ministria Federale e Brendshme dhe Zyra Federale e Policisë Kriminale

Me një faqe të rezervuar për krimin e organizuar shqiptar, raporti ka nxjerrë se në vitin 2021, në Gjermani kanë qenë nën hetim rreth 40 banda të udhëhequra nga shqiptarë, shumica dërrmuese e të cilave (36)  është marrë me trafikun e lëndëve narkotike.

Kurse në katër rastet e tjera bandat janë marrë me krime tatimore, trafik ilegal të njerëzve, pastrim parash dhe krim ekonomik.

Shifrat i radhisin sërish shqiptarët të tretët pas gjermanëve (261)  dhe turqve (90) për nga numri i grupimeve të dominuara nga një etni.

Të tilla janë ato grupime që udhëhiqen nga një grup personash të një etnie të caktuar, pavarësisht se shumë bashkëpunëtorë mund të mos i përkasin të njëjtës kombësi.

Sakaq, vendin e gjashtë e zënë kosovarët, me 20 banda kriminale, pas rusëve dhe polakëve. Dhe në fund të dhjetë shtetësive më të spikatura janë serbët me 14 banda.

Situata në Gjermani

Raporti ka nxjerrë se në Gjermani, dëmi ekonomik i shkaktuar nga krimi i organizuar në vitin 2021 ka qenë dyfish më i lartë se një vit më parë.

Nga 873 milionë euro në vitin 2020 ai u rrit në 2,2 miliardë euro në vitin 2021.

Për vitin 2021, të ardhurat e kriminelëve kanë qenë 1,4 miliardë euro. Dhe shumica e tyre vijnë nga tregtia e drogës.

Por kjo rritje nuk është vënë re vetëm te të ardhurat. Raporti ka zbuluar edhe një shtim të numrit të hetimeve në sektorin e krimit të organizuar, nga 600 në 700.

Shtimi lidhet me deshifrimin e platformave të komunikimit të koduar, sidomos EncroChat. Më shumë se një e katërta e të gjitha hetimeve të nisura në fushën e krimit të organizuar (187 hetime, 26.9 për qind) mund të gjurmohen në të dhënat e siguruara nga EncroChat,

Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, ka thënë se “presioni mbi krimin e organizuar në Gjermani është më i lartë se kurrë më parë”.

Sipas ministres, lufta kundër krimit të organizuar është vendosur në fokus të punës së saj.

“Ndryshe nga aktet e ekstremistëve apo terroristëve, krimi i organizuar në përgjithësi nuk është shumë i dukshëm. Kjo është pikërisht arsyeja pse nuk duhet të nënvlerësojmë se sa të mëdha janë rreziqet”, ka vijuar ajo.

Faeser ka treguar se ka disa struktura shumë profesionale që veprojnë në mënyrë konspirative dhe të rrjetëzuar ndërkombëtarisht.

Referuar raportit, grupet e krimit të organizuar po bëhen gjithnjë e më të gatshme të përdorin ndonjëherë dhunë edhe drastike.

Se çfarë efekti mund të ketë krimi i organizuar për sigurinë e brendshme, kjo mund të shihet te vendet fqinje të Gjermanisë, si Holanda dhe Suedia, ku krimi i organizuar ka marrë përmasa shqetësuese për qetësinë publike.

Marrë nga “DW News”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore