Kosova

Shqiptarët sërish do të protestojnë në Serbi


Ilustrim

Pas protestës së parë të 12 gushtit shqiptarët në Luginë të Preshevës do të vazhdojnë me organizimin e protestave gjithëpopullore për shkak të diskriminimit të shqiptarëve nga ana e shtetit të Serbisë.

Kështu të paktën ka bërë të ditur deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

“Protesta vazhdon. Për identitet e dinjitet! Të marshojmë, të gjithë bashkë. Kundër diskriminimit, shtypjes dhe shkeljeve që i bëhen shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Të marshojmë për barazi dhe drejtësi!”, shkroi ai në platformën sociale, Facebook.

Protesta e radhës, sipas Kamberit, do të organizohet më 23 shtator në Komunën e Preshevës

Protesta pritet të nis në orën 13:00.

“Në Gusht ishim në Bujanoc, në Shtator jemi në Preshevë, për të dëshmuar se jemi një. Problemet tona nuk mund të shtyhen më. Aspak më pak se sa na takon, asnjëherë më shumë, por gjithmonë atë që meritojmë!”.

Protesta, sipas Kamberit, ka për qëllim “ndërprerjen e pasivizimit të adresave, për njohjen e diplomave tona, për vende pune dhe për institucione të hapura për të gjithë. Për zbatimin e Marrëveshjeve të nënshkruara dhe për përmbushjen e detyrimeve të shtetit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.

“Për Preshevën me Gjykatë, për institucione shtetërore ku përfaqësohen shqiptarët! Kjo është për të gjithë ne, për dinjitetin dhe identitetin tonë. Dilni dhe marshoni!”.

“Për Identitet dhe Dinjitet” – më 12 gusht shqiptarët protestojnë në Serbi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore