Lajme

Shqiptarët në SHBA të hënën protestojnë para OKB-së, kërkojnë që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin në Banjë


Ilustrim.

Të hënën e 23 tetorit, shqiptarët do të mblidhen para selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York për të protestuar.

Kërkesë e tyre do të jetë që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të mos jetë pjesëmarrës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që është paraparë të mbahet më 23 tetor.

Po ashtu ata do të kërkojnë që Serbia të mbahet përgjegjëse për krimet e luftës dhe sulmin terrorist në Banjë.

Protesta është organizuar nga anëtari i Këshillit bashkiak të New Yorkut, Mark Gjonaj, me mbështetjen e plot shoqatave të tjera shqiptaro-amerikane.

Më 23 tetor, temë kryesore në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të jetë sulmi terrorist në Banjë.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së.

Kosovën do ta përfaqësojë presidentja, Vjosa Osmani.

Ndërsa nga raportimet e mediave serbe fillimisht u tha se Serbinë do e përfaqësoj Aleksandër Vuçiç, ndërsa ditë më vonë u raportuar se do e përfaqësoj Ana Bërnabiç.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore