Kosova

Shqiptarët në Serbi protestojnë për identitet dhe dinjitet


Një protestë gjithëpopullore do të mbahet këtë të hënë me fillim në orën 11:00 në Bujanoc me moton “Për Identitet dhe Dinjitet” për shkak të diskriminimit me pasivizimin e adresave nga Serbia.

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se Serbia është duke e shtuar presionin ndaj shqiptarëve të Luginës pasi që është paralajmëruar protesta “për identitet e dinjitet”.

“Në dritën e paralajmërimit të Protestës “Për Identitet e Dinjitet,” që do të mbahet të hënën, ora 11:00 në sheshin e Bujanocit, po përballemi me një valë të re presioni dhe intimidimi të nga ana e Policisë dhe organeve ligj – zbatuese në Bujanoc e Vranjë”, ka shkruar ai më 9 gusht.

Ai ka theksuar se kjo çfarë po bën Serbia është përpjekje e hapur për të frenuar reagimin popullor dhe për të heshtur zërin e shqiptarëve.

Ndërsa të dielën, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës të dalin për të protestuar kundër shtypjes e diskriminimit që u bëhet shqiptarëve në Luginë nga Beogradi.

“Të dashur qytetarë të Komunës së Preshevës. Të nderuar shqiptarë të Luginës. Kanë mbetur edhe pak orë nga protesta. Protestë për drejtësi, barazi. Kundër shtypjes, diskriminimit e shkeljes që na bëhet nga Beogradi. Të dalim bashkë, pa dallim. Të ngrisim zërin tonë. Për identitet e dinjitet. Zërin e shqiptarëve të diskriminuar”, shkroi ajo në Facebook.

Javë më parë, Komisioni Evropian dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, shprehën shqetësimin për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga autoritetet e Serbisë.

Sipas autoriteteve shqiptare në Luginë, deri më tash janë pasivizuar rreth 6 mijë adresa në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Ministria e Punëve të Jashtme gjermane, njoftoi se kjo tendencë e Serbisë bie ndesh me obligimet që ka ky vend për respektimin e të drejtave të pakicave.

Shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës janë të shtypur sistematikisht nga institucionet e Serbisë. Madje, atyre nuk iu lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.

Kjo ishte njëra nga çështjet që ishte ngritur edhe në Senatin amerikan si dhe pasivizimi i adresave që Serbia po i bënë shqiptarëve, posaçërisht në Medvegjë.

Ndërkaq në regjistrimin e fundit të popullsisë në Serbi, kanë dalë rreth 62 mijë shqiptarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore