Paris 2024

Shqiptarët e bronzit


Dy mundësit shqiptarë Islam Lechiyevich Dudaev dhe Chermen Akhsarbekovich Valiev shkruan historinë gjatë Lojërave “Paris 2024” për sportin kuqezi dhe përfaqësimin në nivel olimpik, duke i sjellë Shqipërisë dy medalje bronzi në kategoritë përkatëse 65 kg dhe 74 kg.

Ky kulmim ishte njësoj si fundi i “la douleur exquise” (dhimbje e mprehtë – ed.) për publikun sportdashës në Shqipëri dhe jo vetëm.

Sportistët me origjinë ruse arritën në këtë mënyrë të bëheshin shqiptarët e parë të dekoruar në një podium ekselence duke shfaqur një nga vlerat kryesore të olimpiadës, atë të gjithëpërfshirjes.

Por, fitoret e regjistruara në harkun e 24-orëve të fundit të Lojërave Olimpike, u shoqëruan me diskutime të shumta nëpër media sociale mes komentuesve shqiptarë, të cilët ju gëzuan nga njëra anë medaljeve të para, por duke mos e konsideruar tërësisht “kuqezi” suksesin e arritur në Paris.

Shkak është bërë prejardhja e sportistëve shqiptarë, Dudaev është nga Çeçenia ndërsa Valiev vjen nga Osetia e Veriut, të dyja republika me tradita të kahershme mundjeje në Federatën Ruse.

Kjo ndjenjë e ushqyer në opinionin e gjerë njësoj si “l’esprit de l’escalier” (mendimi i shkallëve – ed.), term i përdorur nga filozofi francez Denis Diderot, duket se i jep vrull gjithmonë përgjigjes me vonesë – edhe në rast fitoreje.

Shembulli më i mirë për këtë ngjarje (pa ndodhi) ishte para syve të spektatorit.

Shkolla ruse

Të dielën, në tapetin e mundjes së Paris 2024, dy nxënës të shkollës ruse u takuan edhe një herë – Islam Dudaev (për Shqipërinë) dhe Ismail Musukaev me origjinë nga Nalçiku, i cili garonte për Hungarinë.

Kur garonin për Rusinë, asnjëri prej tyre nuk arriti ndonjë sukses të mirëfillë, mes tyre numërohen tre medalje të kampionatit rus, asnjë e artë.

Musukaev ishte i pari që vendosi të ndryshojë shtetësinë e tij, në vitin 2019.

Dhe në Hungari e kuptuan menjëherë se kishin marrë vendimin e duhur – në kategorinë 65 kg – Ismail fitoi dy medalje bronzi në Kampionatin Botëror dhe një të artë në Kampionatin Evropian.

Dudaev zgjodhi Shqipërinë në vitin 2021 dhe tregoi pothuajse menjëherë talentin për flamurin e tij të ri, duke marrë dy medalje (ari dhe bronzi) në Evropian në dy vjet. Për më tepër, ishte Musukaev ai që dërgoi Dudaev në ndeshjet e ashtuquajtura “të ripeshkimit” në turneun e vitit 2022.

Për të provuar se shkolla ruse, dikur sovjetike e mundjes, mbetet ndër më të fortat në botë, të shtunën në finalen e kategorisë deri në 74 kg u takuan sportistët Viktor Rassadin dhe medalisti shqiptar Chermen Valiev.

Valiev ka qenë një student i Kakhaber Dzukaev dhe ishte gjithashtu i preferuari i katër herë kampionit botëror Besik Kudukhov.

Shumë prej njerëzve të sportit të cilët kanë punuar me Valiev theksojnë punën e tij të pabesueshme dhe të palodhur, dhe faktin që ai gjithmonë lufton deri në fund.

Chepik (kështu quhet Chermen që nga fëmijëria – ed.) ka mbledhur një koleksion të madh medaljesh në Rusi dhe në mesin e të rinjve, ka fituar vazhdimisht Çmimin e Madh.

Një ndër arsyet që mendohet pse Valiev vendosi të ndryshojë shtetësinë e tij – që nga shkurti i vitit 2024 duke përfaqësuar Shqipërinë – ishte konkurrenca me Zaurbek Sidakov.

Sidakov ishte kampioni olimpik në fuqi në 74 kg dhe tre herë kampion bote, duke pretenduar titujt e tij në vitet 2018, 2019 dhe 2023.

Trendi i kalimit të sportistëve me prejardhje ruse në kombëtare të tjera mundjeje nuk është fenomen i kohëve të fundit.

Përfaqësimi më i madh i tyre gjatë Lojërave “Paris 2024” ishte në turneun e mundjes së lirë.

Mes sportistëve mund të përmendim: Zelimkhan Abakarov (57 kg, Shqipëri); Islam Dudaev (65 kg, Shqipëri); Chermen Valiev (74 kg, Shqipëri); Vladimir Egorov (57 kg, Maqedonia e Veriut); Ismail Musukaev (65 kg, Hungari); Georgy Okorokov (65 kg, Australi); Razambek Zhamalov (74 kg, Uzbekistan); Magomedhabib Kadimagomedov (74 kg, Bjellorusi); Victor Rassadin (74 kg, Taxhikistan); Taimuraz Salkazanov (74 kg, Sllovaki).

Mundës të tjerë me prejardhje ruse ishin po ashtu: Hetik Tsabolov (74 kg, Serbi); Dauren Kurugliev (86 kg, Greqi); Osman Nurmagomedov (86 kg, Azerbajxhan); Magomedkhan Magomedov (97 kg, Azerbajxhan); Magomed Ramazanov (97 kg, Bullgari); Akhmed Tajudinov (97 kg, Bahrein) dhe Jabrail Shapiev (97 kg, Uzbekistan).

Pa harruar dhe përfaqësimin në mundjen greko-romake me pesë sportistë të cilët garonin për Serbinë, Danimarkën, Republikën Çeke dhe Uzbekistanin.

Shembulli amerikan

Basketbollistë dhe atletë të ndryshëm të cilët erdhën në Shtetet e Bashkuara për shkollim dhe sporte profesionale, vendosën të përfaqësojnë vendin e tyre të ri në rang ndërkombëtar.

Shumë prej 594 atletëve të emëruar në ekipin olimpik amerikan janë emigrantë ose fëmijë emigrantësh, të cilët të gjithë kanë zgjedhur të përfaqësojnë SHBA-të.

Një analizë nga Instituti për Kërkimet e Imigracionit të Universitetit “George Mason” zbuloi se 3.7 për qind e atletëve në ekipin olimpik të këtij viti të SHBA-ve janë të lindur jashtë vendit, ndërsa më shumë se 7 për qind janë fëmijë emigrantësh ose emigrantësh të gjeneratës së dytë.

Disa sportistë erdhën në SHBA posaçërisht për sport dhe më pas morën shtetësinë.

Leonard Korir ishte një nga shumë vrapues në distanca nga Afrika që kanë ardhur në SHBA për kolegj dhe kanë përfunduar duke përfaqësuar vendin e tij të ri.

Por edhe në një sport si basketbolli, i dominuar prej kohësh nga atletët amerikanë, emigrantët mund të shfaqen në listë. Joel Embiid lindi dhe u rrit në Kamerun përpara se të vinte në SHBA si nxënës i shkollës së mesme për të ndjekur një karrierë basketbolli.

Atletë të tjerë me origjinë të huaj i janë bashkuar Ekipit të SHBA-ve për një mori arsyesh, nga mundësitë atletike deri tek arratisjet e tmerrshme nga situata të rrezikshme në vendet e tyre të lindjes.

Abdihamid Nur, vrapuesi i distancave ka lindur në Somali, por familja e tij nuk qëndroi atje shumë më gjatë pas lindjes së tij.

Ata u arratisën në Kenia, më pas jetuan disa vjet në Egjipt para se të vinin në SHBA.

Xhudistja Maria Laborde fitoi një medalje bronzi në Kampionatin Botëror 2014, ndërsa konkurronte për Kubën.

Por në një konkurs tjetër më vonë atë vit në Meksikë, Laborde u largua nga delegacioni kuban dhe kërkoi azil, duke hequr dorë nga një vend i mundshëm në Lojërat Olimpike 2016.

Pasi përfaqësoi Eritrean në Kampionatin Botëror të Juniorëve 2014 në Hayward, Weini Kelati kërkoi azil.

Ajo u transferua në Virginia, fitoi një bursë në Universitetin e New Mexico-s dhe fitoi nënshtetësinë e saj pak para provave olimpike në 2021 – të mbajtura në Hayward Field.

Sportistja e badminton-it, Beiwen Zhang ka lindur në Kinë dhe gjithashtu përfaqësoi Singaporin ndërkombëtarisht përpara se të transferohej në SHBA dhe të vazhdonte një karrierë mes 10 më të mirëve në mbarë botën.

SHBA-të udhëhoqën në përmbyllje Lojërat Olimpike “Paris 2024” me 126 medalje, (40 të arta, 42 të argjendta dhe 44 të bronzta).

Nga ana tjetër, ekipi shqiptar u kthye për të parën herë nga këto Lojëra Verore me dy medalje bronzi.

Gërmat e arta të faqes së parë të sportit olimpik kuqezi u shkruan nga dy shqiptarët e bronzit, Chermen Valiev dhe Islam Dudaev.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore