Shqipëria

Shqiptarët dhe kosovarët ndër më të varfrit në Evropë deri në 2026


Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë është një tregues me mjaft rëndësi për mirëqenien ekonomike të një popullsie dhe Shqipëria e Kosova, e kanë PBB-në për frymë ndër më të ulëtat në Evropë.

Por, fakt më shqetësues, është ai i projeksioneve për pesë vitet e ardhshme, të cilat e japin situatën në të njëjtat linja.

I gjithë rajoni i Ballkanit faktikisht – jo vetëm atij perëndimor por si i tëri – është rajoni më i varfër i padiskutueshëm në Evropë.

Kosova është e radhitur në vendin e fundit për PBB për frymë. Gjatë vitit 2021, shifra ndalet në 12 mijë e 546 dollarë. Kjo pozitë e radhit Kosovën aktualisht pas Moldavisë, e cila shënon shifrën e 14 mijë e 258 dollarëve.

Në terma të PBB-së për frymë, radhitjen rritëse e ndjek Ukraina me 14 mijë e 146 dollarë. ndërsa, Shqipëria, e pason me 15 mijë e 487.

Bosnjë dhe Hercegovina janë në statistikën e 16 mijë e 302 dollarëve. Maqedonia e Veriut shkon në 18 mijë e 69 dollarë. Serbia në 21 mijë e 243 dhe Ballkanin Perëndimor e kryeson Mali i Zi me 21 mijë e 387 dollarëve të PBB-së për frymë.

Në mbi 25 mijë e 800 dollarë shkon Bullgaria. Mbi 31 mijë radhitet Kroacia dhe mbi 31 mijë e 800 dollarë Greqia.

Nëse e krahasojmë situatën me vendin e parë, kemi të bëjmë me shifrën astronomike të Luxembourg-ut, i cili kap shifrën e 126 mijë e 569 dollarëve. Ndërsa PBB-ja për frymë në shtetin e luksit, në vitin 2026, projektohet të shkojë në thuajse 150 mijë dollarë.

Rritje margjinale

Fakti se edhe rajoni do të ketë rritje të PBB-së për frymë, është i pakundërshtueshëm. Por, pavarësisht kësaj, kjo rritje nuk do të jetë e mjaftueshme për t’u afruar me pozitat e vendeve të tjera.

Fjala bie, Kosova pritet të shohë deri në vitin 2026, një rritje me diçka më shumë se 4 mijë dollarë, duke e çuar në 16 mijë e 746 nga 12 mijë e 546. Kjo, sërish e lë atë të fundit në rajon.

Ukraina pritet të shkojë në 19 mijë e 481, duke u renditur tashmë e parafundit në Evropë. Pas, do ta ndjekë Shqipëria, me 21 mijë e 305 dollarë. Rritje kjo me diçka më pak se 6 mijë dollarë për frymë.

Moldavia do të ngrihet ndjeshëm duke e tejkaluar edhe Shqipërinë, në 22 mijë e 735 dollarë.

Bosnjë dhe Hercegovina do të shohë rritje të ulët, duke shkuar në 21 mijë e 675 dollarë. Maqedonia e Veriut shkon në 24 mijë e 400 dhe Serbia në rreth 30 mijë dollarë për frymë.

Mali i Zi, mbetet disi më mbrapa me 28 mijë e 500 dollarë. Kroacia pritet të shkojë në thuajse 43 mijë dollarë, duke tejkaluar Greqinë, e cila mbetet në 41 mijë dollarë.

Tek “të mëdhatë” ndërkaq, nuk priten ndryshime të mëdha mbi renditjen aktuale. Ndryshoret do të vijojnë të mbeten të përafërta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore