Sport

Shqiponjat kuq e zi fluturojnë në ‘Air Albania’


Ishte një mbrëmje e jashtëzakonshme në “Air Albania”, teksa djemtë e Sylvihno-s dukeshin sikur po kërcenin samba përballë një kundërshtari tepër të fortë si Polonia. “Shqiponjat kuqezi” triumfuan 2-0 përballë “shqiponjave të bardha” polake në ndeshjen e pestë të kualifikueseve për Euro 2024.

Një “raketë” nga Jasir Asani në pjesën e parë dhe një gol tjetër nga Mirlind Daku në pjesën e dytë i dhanë krah “Shqiponjave” duke i katapultuar në vendin e parë në Grupin E.

Shqipëria dominoi takimin dhe arriti të neutralizonte yjet polakë edhe pse në anën kundërshtare ishin disa nga super yjet e futbollit botëror si Robert Lewandowski, Piotr Zielinski, apo dhe Wojciech Szczesny.

Në “Air Albanian” e stërmbushur nga tifozët kuqezi, skuadra në fushë tregoi gjithë potencialin e saj për të mos zhgënjyer mbi 22 mijë të pranishmit.

Para se të niste ndeshja pati disa incidente të vogla mes dy tifozerive, por pas ndërhyrjes së policisë gjithçka u qetësua. Teksa në sekondat e para të takimit, tifozët shqiptarë hodhën tymuese në fushë duke shkaktuar ndërprerjen e ndeshjes për pak minuta.

Me vijimin normal të ndeshjes, polakët dukeshin se kishin diçka më tepër në fushë. Madje ata arritën të gjenin golin në minutën e 24 pasi Jakub Kiwior dërgoi në rrjetë një top që kishte mbetur vakant pas një përplasje në zonë.

Megjithatë, pas ndërhyrjes së VAR, goli i polakëve u anulua pasi lojtari i Arsenal-it ishte në pozicionë jashtë loje në nisje të aksionit.

Pasi VAR anuloi golin e polakëve, Shqipëria ishte më prezente në fushë duke krijuar disa raste. Kristjan Asllani pati një rast të artë shumë pranë portës, por e dërgoi topin mbi traun e portës.

Pas atij rasti të Asllanit do të vinte edhe super goli i Asanit. Në minutën e 37, futbollisti i lindur në Shkup arriti të shënonte në portën e Szczesny-t nga distanca, duke mos i lënë asnjë shans portierit të Juventus-it për ta pritur atë top.

Me “perlën” e Asanit Shqipëria mbylli edhe pjesën e parë me avantazhin 1-0.

Në pjesën e dytë, kuqeiznjtë do të ishin përsëri zotër të fushës. Polakët duket se e kishin humbur kthjellësinë dhe super ylli i tyre, Lewandowski, kishte humbur pothuajse çdo duel përballë Ardian Ismajlit dhe Berat Gjimshitit.

Në minuten e 64, Sylvinho hodhi në fushën e lojes sulmuesin Mirlind Daku. Këtij të fundit i mjaftoi vetëm një prekje për të realizuar golin e parë me fanellën kuqezi.

Pasi humbi një mundësi të artë pasimi që mund t’i jepte Shqipërisë fitoren ndaj Çekisë tre ditë më parë, Daku shleu gabimin duke realizuar këtë mbrëmje.

Gjatë festimit të golit, sulmuesi i Rubin Kazan-it zbuoi dhe tatuazhin e tij në shpatull “Katana 138”, kushtuar komandandit legjendar të UÇK-së, Agim Ramadanit.

Pas golit të Dakut, Shqipëria dukej më e sigurtë në fushë dhe kishte gjithçka nën kontroll. Madje rrezikuan të realizonin golin e tretë por topi i gjuajtur nga Taulant Seferi kaloi pasqyrën e portës pa krijuar rrezikshmërinë e duhur.

Pas fishkëllimes së tre fishtë të gjyqtarit të ndeshjes, në “Air Albania” shpërtheu festa. Shqipëria mori një tre pikësh të artë dhe tashmë e shikon veten me 10 pikë, në krye të Grupit E.

Pas Shqipërisë në renditje vijnë Çekia dhe Moldavia me nga 8 pikë. Polonia ka 6 pikë. Dhe, në vendin e fundit qëndrojnë Ishujt Faroe me 1 pikë.

Edhe pse triumfoi, Shqipëria do të ketë një tjetër ndeshje të madhe në “Air Albania”. Në tetor, kuqezinjtë do të presin Çekinë, të cilët kanë 2 pikë më pak, por dhe një ndeshje më pak. Një triumf ndaj tyre do të thotë që Shqipëria do të jetë vetëm një hap larg “Gjermani 2024”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore