Shqipëria

Shqipëria zgjat gjendjen e emergjencës për energjinë elektrike


Qeveria shqiptare ka zgjatur deri më 30 qershor të vitit 2023 gjendjen e emergjencës për energjinë elektrike.

Lajmi u bë i ditur pas mbledhjes të Këshillit të Ministrave.

Fillimisht, gjatë muajit prill gjendja e emergjencës elektrike do të shtyhej deri në fund të vitit 2022.

Nga Samiti i Pragës, kryeministri shqiptar Edi Rama theksonte se jemi në një “epokë të re rreziku”, ku janë mbledhur të gjithë dhe po bashkohen të gjithë për shkak të inflacionit të luftës.

“Nuk ndahen dot në pjesë kriza e klimës, kriza energjetike, demokratike. Jemi në një epokë të re rreziku, kemi dalë nga epoka e sigurt. Kjo epokë e rrezikut i ka mbledhur të gjithë dhe i ka nxitur të afrohen sa më shumë për shkak të inflacionit të luftës”, vërejti Rama.

Kjo e fundit, shtoi kryeministri, nuk është shkaktuar nga “ne” por na prek të gjithëve përmes rritjes së çmimeve të energjisë.

“Ne në Shqipëri do vazhdojmë të insistojmë që të mos rritet çmimi i energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël”, garantoi kryeministri.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi më herët se mund të ketë një rishikim të fashës prej 800 kWh-ësh për konsum familjar pas 31 dhjetorit.

“Ky çmim do qëndrojë në fuqi deri në 31 dhjetor, pasi pas kësaj date do të rishikohet çmimi sipas kushteve. Nëse kemi më pak importe dhe kushte më të mira hidrike edhe çmimi i fashës 800 kWh do të ulet ndjeshëm apo mund edhe të heqim fashën në varësi të prodhimit vendas”, tha Balluku.

Më 3 tetor të vitit të kaluar, Rama, njoftoi se kriza e jashtëzakonshme energjetike do të përfshinte dhe vendin tonë.

Sipas Ramës, kjo krizë kishte nisur të jepte shenjat nga Kina e Koreja e Jugut, në Amerikë, në Britaninë e Madhe dhe në hapësirën e Bashkimit Evropian, e deri në vendet fqinje, si Italia e Greqia.

“Temperatura e kësaj krize po rritet kudo, tanimë me orë jo me ditë, ndërkohë që ulja e temperaturave të motit, po afron bashkë me dimrin dhe me rritjen e natyrshme të nevojës edhe për ngrohje”, deklaronte asokohe Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore