Shqipëria

Shqipëria vijon progresin në matjet e Indeksit të Demokracisë


Shqipëria ka vijuar progresin e saj mbi gjendjen e demokracisë sipas një studimi të publikuar të enjten e 2 shkurtit nga grupi britanik “The Economist” që kryen një indeks të demokracisë në 167 vende.

Vendi ynë u rendit në vendin e 64-të duke u përmirësuar me 4 pozita dhe u vlerësua me 6.41 pikë duke u rritur me 0.30 pikë nga vlerësimi i vitit të kaluar.

Ajo kategorizohet mes vendeve në pragun e “demokracive me të meta” së bashku me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Ndërsa Bosnjë dhe Hercegovina kategorizohet sërish si regjim hibrid.

Renditjen më të mirë në rajon e ruan Mali i Zi në vendin e 61-të me një vlerësim prej 6.45 pikësh.

Pas Shqipërisë, pozicionohet Serbia dhe RMV-ja – respektivisht në vendin e 68-të dhe 72-të – me një vlerësim prej 6.33 dhe 6.10 pikësh.

Bosnjë dhe Hercegovina sakaq renditet e 97-ta me një pikavarazh prej 5 pikësh nga Njësia e Inteligjencës së “The Economist”.

Edhe këtë vit, Kosova nuk u përfshi fare në këtë matje.

Rusia është vendi ku demokracia ka rënë më së shumti në vitin 2022 përpara Burkina Fasos dhe Haitit.

Pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, Indeksi i Demokracisë së Rusisë pa rënien më të madhe në vitin 2022, duke e zbritur atë me 22 vende në renditjen botërore të këtij studimi nga divizioni i kërkimit dhe analizës së grupit (EIU), e cila e rendit Rusinë në vendin e 146-të.

Lufta në Ukrainë “ekspozoi ndarjet midis demokracive të zhvilluara që mbështesin Ukrainën dhe shumë vendeve në zhvillim që kanë zgjedhur të mos mbajnë anën”, thekson studimi.

Midis “regjimeve autoritare”, vende të tjera si Haiti “i cili duket se është në një gjendje shpërbërjeje të brendshme” (135, -16 vende) dhe Burkina Faso (127, -16 vende), ku “një kryengritje islamike ka humbur kontrollin të një pjese të territorit ndaj shtetit” gjithashtu panë një rënie të ndjeshme të indeksit të tyre në vitin 2022.

Në të kundërt, Tajlanda është vendi që pa rritjen më të fortë të indeksit në vitin 2022, duke u avancuar me 17 vende në vendin e 55-të në renditje.

Heqja e kufizimeve të lidhura me pandeminë COVID-19 ka rritur rezultatin e shumë vendeve duke përfshirë Francën (e 22-ta, e qëndrueshme), Spanjën (gjithashtu e 22-të, +2 vende) dhe Kilin (vendet e 19-ta +6) të cilat bëjnë rikthimin e tyre në grupin e “demokracive të plota”.

Në nivel rajonal, Evropa Perëndimore është i vetmi rajon që përmirëson me vendosmëri vlerësimin e saj në vitin 2022.

“Ato të Amerikës së Veriut, Azisë, Australisë, Evropës Lindore ‘Afrika Lindore dhe Sub-Sahariane ngecën, dhe ato të Amerikës Latine, Lindjes së Mesme dhe Afrika e Veriut pësoi rënie”, shton studimi.

Në nivel global, indeksi i demokracisë 2022 ra nga 5.28 në 2021 në 5.29 në 2022.

Një stabilizim pas rënies prej 0.09 pikësh vitin e kaluar.

Por si në vitin 2021, më pak se gjysma e popullsisë së botës jetonte në një demokraci në vitin 2022 dhe vetëm 8 për qind në një “demokraci të plotë”, në një renditje që ende kryesohet nga Norvegjia dhe mbyllet nga Afganistani.

Studimi identifikon pesë kategori kriteresh për vendosjen e renditjes: proceset zgjedhore dhe pluralizmi, funksionimi i qeverisë, pjesëmarrja politike, kultura politike dhe liritë civile.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore