Sport

Shqipëria, vendi që “djeg” talentet


Sporti është një ndër veprimtaritë e vjetra njerëzore, me qëllim argëtimin dhe zhvillimin e aftësive psikiko-fizike. Shpesh të marrit me sport shihet edhe si një mënyrë për të bashkuar njerëzit, si dhe për të afruar të rinjtë në aktivitete larg stresit, jetesës pasive dhe, mbi të gjitha, për të nxjerrë profesionistët e së ardhmes në disiplina të ndryshme.

Çfarë ndodh në Shqipëri?

Shqipëria, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme, përsëri vazhdon të jetë vendi që “djeg” talente, qofshin këta në futboll, basketboll, volejboll, atletikë etj.

Futbolli, p.sh., kërkon shumë investim, terrene, mirëmbajtje të tyre, trajnime, dieta, regjime e një mori gjërash, të cilat në vendin tonë janë të vështira për t’u realizuar, ose që në të shumtën e rasteve neglizhohen me ose pa shkak.

Por, edhe pse jemi mësuar që në kohët e sotme globalizimi ka ndryshuar shumë situata, teknologjia ka “vrarë” aktivizimin fizik në sporte. Gjithashtu, për sa i përket Shqipërisë, ka dhe një arsye tjetër që të rinjtë shpeshherë e braktisin sportin më shpejt seç e fillojnë: të ndjekin arsimin e lartë.

Ky i fundit, në një vend që kaloi një kohë të gjatë nën diktaturën komuniste dhe ku në fakultet shkonte një pjesë e vogël e njerëzve që mësonin ose ata që kishin njohje, tanimë është kthyer në mani.

Për shqiptarët, diploma e shkollës së lartë, qoftë edhe më e pavlera, vlen më shumë se një medalje olimpike.

Karriera sportive 

Përpos arsyeve të lartpërmendura, Albanian Post (AP) do të sjellë në vëmendje disa raste specifike të të rinjve, karriera e të cilëve në futboll më shpejt ka përfunduar sesa ka nisur. Kjo e ndikuar nga kushtet dhe mundësitë që u janë ofruar në Shqipëri.

Në një prononcim për AlbanianPost (AP) ishte Edisoni, i cili, për arsye personale hezitoi të përmendte emrat e klubeve ku është aktivizuar, por nuk mund të mos thoshte se cilat kanë qenë arsyet që e larguan nga futbolli i luajtur që 22 vjeç. Kjo moshë konsiderohet dhe idealja për shpërthimin e një futbollisti.

“Mungesa e meritokracisë, ndërhyrjet për lojtarët, mungesa e pagave dhe kushtet ekonomike  kanë qenë faktorët kryesorë që e lashë futbollin. Për momentin, emigrimi është ai që të jep zgjidhje më të mira për të patur një jetesë të kënaqshme”, u shpreh Edisoni.

Në një kohë kur Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) dhe Liga Profesioniste, që u krijua rishtazi para pak se klubet e Kategorisë Superiore të bojkotonin kampionatin, duke i kërkuar kushte më të mira qeverisë, për investimet në futboll e deri te mospagimi i taksave nga futbollistët, a nuk e ka menduar njeri se si sillen klubet me lojtarët e tyre?

Kur do të marrë fund, apo do të përmirësohet ndjeshëm kjo histori? I dukshëm është fakti që rregulli për lojtarët e huaj në formacion, një herë lejohen deri në katër të huaj e një herë deri në pesë nuk është zgjidhje.

Zgjidhje nuk është as afrimi në ekip i lojtarëve nga Afrika ose Amerika e Jugut, që nuk njihen dhe afrohen vetëm duke u parë videot në Youtube. Paguhen e stërpaguhen, ndërsa në Shqipëri edhe kategoritë më të ulëta, të cilat marrin lojtarë të huaj, prodhojnë akoma një lojë gati amatore.

Rasti tjetër që sjell AP është ai i Afrimit. Një lojtar, i cili ishte pjesë e një klubi profesionist – nuk dëshiron t’ia përmendë emrin – rrëfen çka i ndodhi aty.

“Po ngjisja shkallët e karrierës: nga akademia në ekipin e parë, bëra debutim, luajta disa kohë. Më pas erdhi e keqja. U dëmtova keq në stërvitje. Këputa ligamentin e gjurit. Ky moment shënoi dhe fundin e karrierës. Klubi as operacionin e as fizioterapinë nuk më pagoi. U detyrova ta braktisja futbollin e t’i rikthehesha shkollës”.

A është i vetmi rast? Normalisht që jo. Janë të shumtë rastet ku lojtarët mbahen nga pasioni dhe jo nga rrogat mediokre që përfitojnë.

Kur do të ndryshojë situata? Është një pyetje, së cilës mund t’i përgjigjen vetë klubet, FSHF-ja dhe organet përgjegjëse. Ato, përpara se të kërkojnë diçka nga shteti, duhet të jenë të vetëdijshme për atë që shkaktojnë dhe prodhojnë.

Të rinjtë nuk afrohen në futboll kur shikojnë se si klubet kanë vepruar dhe veprojnë me të njohurit dhe bashkëmoshatarët e tyre. Dhe nuk afrohen kur ajo që japin është shumë herë më e madhe se e dikujt që vjen nga një tjetër vend, nga një tjetër kontinent, por ajo që marrin është shumë herë më e pakët.

Çfarë do të ndodhë në vazhdim, pritet të shihet. Por, e sigurt është se, nëse nuk ndryshon mënyra e trajtimit të talenteve, nuk do të kemi gojë të flasim se përse lojtarët tanë më cilësorë përfaqësojnë fanella të tjera dhe jo atë kuq e zi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore