Shqipëria

Shqipëria shënoi rekord në Evropë për turizmin 2023, tregon Eurostat


Gjallëria e turizmit shqiptar në vitin 2023 nuk ka qenë thjesht një perceptim, por një arritje e madhe reale e vendit, duke ndërthurur si turizmin e brendshëm, ashtu edhe atë të huaj.

Në bazë të të dhënave të fundit të publikuara nga Eurostat, sa i takon numrit të netëve të qëndrimit në akomodime turistike në gjithë kontinentin, reflektohet në Shqipëri një rritje prej 56.8% krahasuar me vitin 2023 dhe mbi 84% krahasuar me vitin 2019, kur nisën edhe kufizimet e pandemisë.

Kjo gjë jo vetëm që ka pasur reflektime në ekonomi, por e ka bërë Shqipërinë edhe vendin me rritjen më të madhe dhe një rekordmene të vërtetë të turizmit, ku vendi pasues për rritjen e turizmit është Malta me 20.5% – pra një ndryshore prej mbi 36% më pak se sa Shqipëria kryesuese.

Ndërsa, nëse krahasohet me mesataren e Bashkimit Evropian, Shqipëria është mbi 50% më mirë në shifra, ku mesatarja e rritjes është prej 6.1% në BE.

Një rritje edhe më e madhe ndërkaq u shënjua edhe sa i takon vizitorëve ndërkombëtarë në Shqipëri, pasi netët e qëndrimit u rritën me 81.7% në vitin 2023, kur mesatarja e BE-së për këtë është në rënie, me -0.3%.

Serbia u radhit e dyta sa i takon ecurisë me netët e qëndrimit nga shtetasit e huaj, duke shënuar rritje me 39.3%.

Njëkohësisht, në Shqipëri, netët e qëndrimit nga vizitorët vendas u rritën me 90.3%. Por, kjo nuk e bën të zënë vendin e parë, pasi për turizmin e brendshëm, këtë vit kryeson Islanda me një rritje 109.3%.

Në tërësi Shqipëria arriti të presë mbi 10 milionë turistë të huaj në vitin 2023 – një shifër rekord kjo dhe e para herë në historinë e vendit.

Nga ana tjetër, edhe viti 2024 ka nisur i mbarë për turizmin, pasi vetëm në dy muajt e parë të vitit ka pasur një rritje të konsiderueshme, me ardhjen e 1 milion turistëve të huaj në vend.

Nëse progresioni mbetet i tillë, Shqipërinë gjatë vitit 2024 mund ta vizitojnë deri në 13 milionë turistë të huaj, duke thyer rekordin e vitit të mëparshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore