Shqipëria

Shqipëria, brenda dekadës eksportuese e energjisë elektrike, thotë Rama


Gjatë një konferencë me investitorë të rëndësishëm nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama theksoi rëndësinë e investimeve në energji.

Para investitorëve, Rama tha se Shqipëria së shpejti do të kthehet në eksportuese të energjisë elektrike.

“Shqipëria do të kthehet në një eksportuese neto e energjisë dhe kampione e Ballkanit për energjinë”.

“Para disa vitesh na është dashur të marrin në dorë një sistem të falimentuar. Borxhi i OSHEE shkonte në 5% të PBB tonë si shtet. Por të ardhmen e shohim me buzëqeshje”, tha Rama

Gjenden mijëra arsye për të parë drejt së ardhmes, tha kryeministri, prandaj “ne duhet të ecim më shpejt për t’i realizuar këto projekte”.

“Kjo dëshmon interesin tuaj që së bashku do të zhvillojmë atë çka është vërtet program ambicioz për Shqipërinë dhe rajonin”, u shpreh Rama.

Gjithashtu, kreu i Qeverisë përmendi edhe synimin e Shqipërisë, por edhe vendeve të BE-së, për pavarësinë nga gazi rus.

“Disa ditë më parë vizitova Presidentin Alijev dhe me kënaqësi ndjeva interesin e lartë që ka për tu përfshirë në tubacionin joniano-adriatik, që mund të jetë një fuqi e madhe energjie për Evropën që sa më shumë të fitojë një pavarësi nga gazi rus”.

Rama foli edhe për energjinë alternative, duke përmendur mullinjtë e erës, termocentralin e Vlorës apo hidrocentralin e Skavicës. Të cilat do të afrojnë Shqipërinë me qëllimin e saj për pavarësinë energjetike.

“Me shumë kënaqësi shikoj punën për shndërrimin e TEC-it të Vlorës në një impiant përpunim energjie. Shumë punë po kryhet për energjinë e erës. Por edhe ëndrra e gjatë e hidrocentralit të Skavicës, i cili do të rrisë me 20% prodhimin energjisë dhe në të njëjtën kohë do të na japë ne një shtytje përpara drejt pavarësisë energjetike”.

Në fjalën e tij mbyllëse, kryeministri Rama ka falënderuar SHBA-të dhe ambasadoren Kim për mbështetjen e tyre dhe partneritetin.

“Unë e kam zët ta them, por më dihet të falënderoj ambasadoren amerikane pasi ka qenë gurë themeli për hapjen e një dere për investime vërtetë të mëdha në vendin tonë që kanë të bëjnë me diçka themeltare që është furnizimi me energji. E kam zët ta them sepse të falënderosh perandoritë nuk është shumë kënaqësi sjellëse, por jam mirënjohës dhe më duhet të them se pas 30 vitesh që na kanë furnizuar me parime dhe standarde”.

Të pranishëm në konferencë ishin edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore