Shqipëria

Shqipëria s’e harron zakonin e vjetër të pagesave “cash”, më të lartat në Evropë


Që prej fillimit të pandemisë COVID-19, në gjithë botën u pa një qasje e largimit nga pagesat e bëra me para në dorë dhe shtim të pagesave nëpërmjet kartave të kreditit – contactless aty ku mundësia është e pranishme.

Gjatë intervalit kohor 2018-2019, pati një rritje prej 14% të pagesave pa para në dorë. Sasia e transaksioneve arriti në 708.5 miliardë të tilla.

Por, “zakonit të vjetër” të pagesave “cash”, nuk i ka shpëtuar Shqipëria apo një pjesë e mirë e rajonit.

Në Evropë, duke iu referuar bazës së të dhënave nga “finance.ua”, shqiptarët rezultojnë kombësia që kryejnë pagesat më të mëdha “cash”, duke evituar kështu përdorimin e kartave apo blerjet online.

Janë 87.8% e shqiptarëve, të cilët vijojnë pagesat me para në dorë. Një shifër tejet e lartë nëse krahasohet me vendet e tjera.

Islanda, sakaq, është vendi evropian me më shumë pagesa pa para në dorë. Vetëm 8.4% e tyre, ndodhin “cash”. Vendet nordike ndjekin, si edhe vendet e zhvilluara, si: Franca, Danimarka, Zvicra, Holanda apo Belgjika.

Ajo që bie në sy, është fakti që edhe gjermanët, vijojnë të preferojnë pagesat me kartëmonedha.

Janë 63% e tyre, të cilët vijojnë ta ruajnë traditën. Kundrejt kësaj rryme po shkon Turqia, ku 48.7% e transaksioneve ndodhin me para në dorë.

Në rajon, Serbia ka pagesa “cash” të larta me 81.3% të totalit. Bullgaria, vetëm 0.2% më të ulët se serbët.

Greqia është vend anëtar i Bashkimit Evropian, por 75% të pagesave i bën me para në dorë.

Teksa habisin vende si Bjellorusia apo Ukraina, të cilat radhiten poshtë 50%-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore