Shqipëria nuk ia del, mundet nga Spanja dhe eliminohet nga Euro 2024

SHFLETO
Romario Ismailaj
24.06.2024 23:23
Loading Icons...

Kombëtarja e Shqipërisë është eliminuar nga Euro 2024, pasi u mund minimalisht 1-0 nga Spanja mbrëmjen e kësaj të hëne në “Dusseldorf Arena”.

Kuqezinjtë donin vetëm tri pikët për të arritur në raundin tjetër të Euro 2024, por duket se edhe fati nuk ishte me ta këtë mbrëmje.

Një vendosje jo shumë e mirë në prapavijë solli golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 13-të, me Ferran Torres që shfrytëzoi maksimalisht asistin e shokut të skuadrës, Dani Olmo.

Shqipëria u mundua në disa raste të afrohej me portën kundërshtare, por mungoi konkretizimi i aksioneve. Sulmi kuqezi u ndez më shumë në pjesën e dytë me futjen në fushë të lojtarëve si Armando Broja dhe Arbër Hoxha.

Kuqezinjtë patën 10 gjuajtje drejt portës së David Raya-s, katër prej tyre shkuan në kuadrat. Në krahun tjetër, Spanja pati 17 gjuajtje dhe vetëm tre në kuadrat, një prej të cilave ishte goli i Torres-it.

Me vetëm një pikë në tre ndeshje, Shqipëria përshëndetet me Euro 2024, si skuadra e fundit në Grupin B, të cilësuar si “Grupi i Vdekjes”. Spanja kualifikohet si skuadra e parë në grup me 9 pikë të plota. Italia kualifikohet si skuadra e dytë më e mirë, pasi arriti një barazim të vonë me Kroacinë, 1-1, me 4 pikë. Kroacia qëndron në vendin e tretë me 2 pikë.

Megjithatë, pavarësisht eliminimit, Shqipëria arriti të linte gjurmën e saj në Euro 2024. Loja e treguar dhe mbështetësit e zjarrtë kuqezi kanë bërë për vete shumë personalitete të shquar të futbollit.

Ky Kampionat Evropian mund të jetë pikënisja e një Shqipërie të re, e cila mori eksperiencën e duhur për të ecur përara. Nations League dhe kualifikueset e Kupës së Botës 2026 janë dy obejktivat e reja të kuqezinjëve.

Statistikat e ndeshjes

Spanja edhe një herë tregoi se bazohet te kontrolli i topit, edhe pse jo aq masiv sa në vitet e kaluara. Spanjollët e zotruan topin në masën 60% mbrëmjen e sotme.

Spanja gjithashtu ishte dominuese në xG (gola të pritshëm), duke e pasur 1.37 kundrejt 0.46 të Shqipërisë.

Ekipi i drejtuar nga Luis de la Fuente kreu 596 pasime dhe 91% e tyre ishin të suksesshme. Ekipi i Sylvinho-s kreu 404 pasime, me një saktësi prej 84%.

Në distancën e përshkuar, spanjollët qëndrojnë më lartë me 117.62 kilometra. Lojtarët e Shqipërisë përshkuan 116.77 kilometra.

Intervali i sulmeve të dy skuadrave

Intervali i kërcënimeve sulmuese të dy skuadrave tregon dukshëm spanjollët të cilët kanë kryer me shumë sulme në periudha të ndryshme të lojës.

Sulmet e Shqipërisë kanë qenë në fillim të pjesës së parë dhe gjatë pjesës së dytë. Më së shumti pas minutës së 60-të.

Notat e lojtarëve (sipas Whoscored)

Sipas “Whoscored”, Dani Olmo i Spanjës ishte lojtari më i mirë në fushë. Ylli i RB Leipzig në Bundesliga u vlerësua me notën 7.9.

Te Shqipëria, lojtari më i mirë, po sipas “Whoscored”, ishte Kristjan Asllani, i vlerësuar me notën 7.2. Pas mesfushorit të Inter-it vjen Arlind Ajeti me notën 7.

Nga lojtarët e formacionit fillestar, Rey Manaj u vlerësua si më i dobëti me notën 6.1.

Autori i golit të vetëm të sfidës, Ferran Torres, u shpall “Lojtari i Ndeshjes”.

“Ne kemi një rrugë përpara dhe ne po luajmë në mënyrë fenomenale. Ne jemi një familje, shumë e lidhur ngushtë. Gjëja e këtij ekipi është se çdokush është gati të jetë në 11-shen e parë”, tha Ferran pas ndeshjes.

Ferran Torres

Statistika interesante të arritura në Shqipëri – Spanjë

Spanja, e cila fitoi të tre ndeshjet e grupit në Euro 2024 pa pësuar gol, u bë skuadra e dytë në historinë e Kampionatit Evropian që e arrin këtë (Italia, Euro 2020).

Spanja nuk ka pësuar asnjë gol në një fazë të vetme grupore të një turneu të madh ndërkombëtar (Kupa e Botës + Euro) për herë të parë në histori.

Asnjë lojtar i Spanjës nuk është përfshirë drejtpërdrejt në më shumë gola se Ferran Torres në të gjitha garat me Luis de la Fuente si trajner (5 gola dhe 2 asistime, në nivel me Joselu).

Në moshën 38 vjeç e 216 ditë, Jesus Navas bëhet lojtari më i vjetër që luajti për Spanjën në një turne të madh ndërkombëtar (Kupa e Botës + Euro), duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të Santiago Canizares kundër Arabisë Saudite në Gjermani 2006 (36 vjet e 248 ditë).

Italia me ‘golden goal’ siguron kalimin e grupit, Kroacia thuajse e eliminuar