Shqipëria

Shqipëria në rritje të qëndrueshme ekonomike, parashikon Banka Botërore


Në publikimin e një raporti të fundit nga ana e Bankës Botërore, pasqyrohet se rritja ekonomike e Shqipëria u ngadalësua, pas një rimëkëmbjeje të fortë në vitin 2022, por sërish ajo do të mbetet në terma të qëndrueshëm dhe mbi mesataren historike.

Tregu i punës, siç theksohet në raport, është përmirësuar, me rritjen e punësimit dhe pjesëmarrjen në forcën punës, dhe ngadalësimin e rritjes së pagave reale.

Po ashtu, inflacioni vijoi trendin rënës, por presionet inflacioniste nga kërkesa e brendshme mbeten të larta.

Teksa, bilancet e jashtme pritet të përmirësohen si rezultat i zgjerimit të turizmit të huaj. Shqipëria pritet të shënojë një bilanc primar pozitiv në vitin 2023.

Në terma konkretë, rritja në vitin 2023 ka qenë në 3.6%. Ajo e vitit 2024 pritet të jetë 3.2% dhe më tej edhe 2025-a, shfaqet në rend të njëjtë.

Si i ndan konkretisht Banka Botërore termat e rritjes ekonomike për Shqipërinë?

Zhvillimet e Fundit Ekonomike

Pas një ecurie të fortë pozitive në vitin 2022, ritmi i rritjes ekonomike filloi të moderohet në fillim të vitit 2023 për shkak të ngadalësimit të rritjes së kërkesës globale, e cila ndikoi negativisht në prodhimin industrial të Shqipërisë. Në TM1 2023, PBBja u rrit me 2.7 për qind. Shërbimet, përfshirë tregtinë dhe aktivitetin e pasurive të paluajtshme, kontribuan me 2.5 pikë përqindjeje në rritjen tremujore të PBB-së, ndjekur nga sektorët e ndërtimit dhe prodhimit, ndërsa industria nxjerrëse dhe sektori i bujqësisë pësuan tkurrje.

Në anën e kërkesës, pas rritjes me 6.9 për qind në vitin 2022 konsumi privat ka vijuar të jetë mbështetësi kryesor i rritjes ekonomike, ndërsa kontributi i konsumit publik ishte negativ. Konsumi privat u rrit me 3 për qind në tremujorin e parë 2023 (vmv), duke u mbështetur nga rritja e punësimit dhe e pagave, forcimi i besimit të konsumatorit, normat relativisht të ulëta të interesit dhe kushtet favorizuese të kredisë, pavarësisht normalizimit të politikës monetare.

Formimi bruto i kapitalit fiks (FBKF) u rrit me 7 për qind në tremujorin e parë 2023, duke reflektuar investimet më të larta publike krahasuar me tremujorin e parë 2022, por aktivitet më të dobët të sektorit privat të ndërtimit.

Eksportet neto të mallrave dhe shërbimeve dhanë kontribut negativ në rritjen e PBB-së: rritja e konsumit mbështeti një rritje të kërkesës për importe në TM1 2023, e cila tejkaloi rritjen e eksporteve. Treguesit kryesorë ekonomikë sugjerojnë se rritja e PBB-së u përshpejtua gjatë T2 dhe T3 2023, e mbështetur nga zgjerimi i aktivitetit të ndërtimit dhe rritja e numrit të turistëve që shënoi një rekord të lartë historik në muajin korrik.

Rritja e të ardhurave nga punësimi, rritja e kredisë, treguesit e besimit të biznesit dhe konsumatorit, si dhe të ardhurat e larta tatimore tregojnë për një rritje të kontributit të konsumit, investimeve dhe eksporteve në rritjen ekonomike neto në tremujorin e dytë dhe të tretë. Punësimi u rrit me 2.7 për qind në terma vjetorë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2023.

Rritja e pagave nominale dhe punësimi nxitën pjesëmarrjen në forcën e punës (mosha 15+), e cila vazhdoi të rritet në përputhje me tendencat e viteve të mëparshme, duke arritur në 63.9 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2023—niveli më i lartë që nga viti 2019. Rritja mesatare e pagave të sektorit privat arriti në 9.5 për qind në tremujorin e parë të vitit 2023, krahasuar me 14.2 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2022, e nxitur kryesisht nga rritja e pagave në sektorët e tregtisë, transportit, akomodimit dhe administratën publike.

Në terma realë, pagat u rritën me 3 për qind krahasuar me 6,3 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2022. Papunësia arriti në 10,9 për qind në tremujorin e parë të vitit 2023, me një rritje të lehtë në krahasim me fundin e vitit 2022. Inflacioni vijon të mbetet mbi objektivin e bankës qendrore, megjithëse në nivele shumë më të ulëta se niveli më i lartë historik i shënuar në vitin 2022.

Norma vjetore e inflacionit ra në 4.0 për qind në gusht 2023 krahasuar me nivelin më të lartë historik prej 8.3 për qind në tetor 2022, si rezultat i presioneve rënëse nga çmimet më të ulëta të importit, mbiçmimi i monedhës vendase dhe normalizimi i politikës monetare. Presionet rritëse të inflacionit përfshinin rritjen e pagave dhe normën e lartë të shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi që mbajtën të larta kostot e prodhimit.

Ushqimet e papërpunuara ishin kontribuesi më i madh i rritjes së inflacionit, të shoqëruara nga rritja e çmimeve të shërbimeve. Duke reflektuar presionet e kërkesës, inflacioni bazë ishte mesatarisht 5.5 për qind në tremujorin e dytë 2023, duke shënuar rënie krahasuar me nivelin 8 për qind në tremujorin e parë 2023. Në të kundërt, inflacioni jobazë arriti në 2.8 për qind në tremujorin e dytë, dhe është duke u kthyer gradualisht në nivelin mesatar të paraluftës.

Trendi i mbiçmimit të kursit të këmbimit, që ka ardhur duke u përshpejtuar që prej vitit 2021, ka vijuar dhe në vitin 2023 duke arritur në 12.1 për qind në korrik 2023. Ky trend reflekton reduktimin gradual të deficitit të llogarisë korrente (CAD) dhe një përmirësim të bilanceve të jashtme si rezultat i rritjes së eksporteve të shërbimeve.

Për shkak të mbiçmimit të monedhës vendase, normalizimi i politikës monetare ishte më i ngadalshëm se sa pritej; banka qendrore mbajti normën bazë të interesit të pandryshuar në 3 për qind në gusht 2023, dhe ky nivel nuk ka ndryshuar që nga rritja e fundit në mars 2023. Në sektorin financiar, pavarësisht rritjes së normave bazë të interesit, kreditimi për sektorin privat vazhdoi të mbështesë zgjerimin e kërkesës.

Rritja e kredisë për sektorin privat arriti në 1.6 për qind në qershor 2023 (vmv), duke shënuar ngadalësim në krahasim me fundin e vitit 2022 për shkak të disa faktorëve, si normat më të larta të interesit, shtrëngimi nga bankat i standardeve të kredisë, veçanërisht për bizneset, dhe mbiçmimi i kursit të këmbimit. Në mënyrë të ngjashme, depozitat bankare vazhduan të rriten me 9.5 për qind, ku kursimet e individëve janë kontribuesit më të mëdhenj në rritjen e totalit të depozitave në sistemin bankar.

Pozicioni fiskal i qeverisë u përmirësua në gjysmën e parë të vitit 2023. Qeveria shënoi një suficit të lartë si rezultat i rritjes së fortë të të ardhurave dhe shpenzimeve më të ulëta.

Të ardhurat nga grantet dhanë kontributin më të lartë në rritjen e totalit të të ardhurave (14.5 për qind në terma vjetorë, për shkak të disbursimeve të BE-së), të ndjekura nga të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, duke reflektuar rritjen e pagës minimale të detyrueshme. Rritja e shpenzimeve ishte relativisht e vogël me 3.4 për qind (në terma vjetorë), por ritmi i rritjes pritet të përshpejtohet gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2023 për shkak të rritjes së shpenzimeve kapitale.

Me një deficit të parashikuar prej 2.5 për qind të PBB-së në vitin 2023, borxhi publik pritet të arrijë në 63.4 për qind të PBBsë në vitin 2023, nga 65.1 për qind e PBBsë në vitin 2022. Në linjë me Strategjinë e Menaxhimit të Borxhit të qeverisë dhe kushtet e favorshme për Shqipërinë, qeveria emetoi Eurobond-in me vlerë 600 milionë euro në korrik 2023, për të lejuar shlyerjen e një pjese të një eurobondi tjetër që maturohet në vitin 2025.

Vlerësimi për vendin u konfirmua në B1 nga Moody’s në vitin 2023. Deficiti i llogarisë korente vijoi të ngushtohej për shkak të rritjes së fortë të eksportit të shërbimeve (me 38 për qind), nga të cilat turizmi përjetoi rritje me 52 për qind dhe remitancat me 16 për qind. Deficiti i llogarisë korente u ngushtua me 45.9 për qind në TM1 2023 në terma nominalë, duke arritur në 3.1 për qind të PBB-së.

Deficiti i të ardhurave parësore gjithashtu u ngushtua me 6.7 për qind gjatë së njëjtës periudhë, ku të ardhurat nga puna u rritën më shumë se flukset dalëse të të ardhurave nga investimet. Investimet e huaja direkte (IHD) financuan 195 për qind të deficitit të llogarisë korente dhe kontribuan në rritjen e rezervave.

Rezerva valutore në fund të tremujorit të parë 2023 ishte e mjaftueshme për mbulimin e 6.8 muaj importe mallrash dhe shërbimesh dhe 3.3 herë të borxhit të jashtëm afatshkurtër.

Perspektiva dhe Rreziqet

Në kontekstin e shtrëngimit të kushteve financiare në tregjet ndërkombëtare dhe rritjes së kufizuar ekonomike në Europë, rritja e PBB-së pritet të ngadalësohet në 3.6 për qind në vitin 2023.

Megjithatë, rritja e sektorëve të turizmit dhe ndërtimit pritet të nxisë eksportet, konsumin dhe rritjen e investimeve me ritme të ngjashme me periudhën para pandemisë. Kontributi i përgjithshëm i investimeve në rritjen ekonomike pritet të ngadalësohet, për shkak të efektit të bazës shumë të lartë krahasuese dhe përfundimit të programeve për rindërtimin pas tërmetit.

Norma e inflacionit parashikohet të fillojë të kthehet në objektivin prej 3 për qind në vitin 2024. Bilanci primar pritet të arrijë në 0.1 për qind të PBB-së në vitin 2023 dhe të qëndrojë pozitiv në përputhje me rregullin fiskal. Në anën e shpenzimeve pritet konsolidim fiskal. Për të ardhurat, qeveria planifikon të prezantojë masa të mëtejshme të politikës tatimore, siç parashikohet në Strategjinë Afatmesme për të Ardhurat. Borxhi publik pritet të vijojë rënien gjatë periudhës afatmesme, si rezultat i rritjes më të lartë nominale dhe përmirësimit gradual të bilancit primar.

Duke pasur parasysh varësinë në rritje të Shqipërisë nga financimi i jashtëm, rreziqet që lidhen me kursin e këmbimit, normën e interesit dhe rifinancimin mbeten të larta. Rritjet e mëtejshme të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë përbëjnë një rrezik të rëndësishëm për rritjen ekonomike, pasi ato mund të ndikojnë negativisht në të ardhurat reale të disponueshme, të ngadalësojnë uljen e varfërisë dhe potencialisht të kufizojnë hapësirën fiskale.

Si një ekonomi e vogël dhe e hapur, Shqipëria është shumë e ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme, si recesioni në Europë ose shtrëngimi i mëtejshëm i kushteve të financimit në tregjet ndërkombëtare të kapitalit në vitet në vijim.

Rreziqet e brendshme burojnë nga fatkeqësitë natyrore, partneritetet publike-private dhe ndërmarrjet shtetërore, si dhe rreziqet fiskale që rrjedhin nga një sektor energjetik i bazuar në hidrocentrale të cilat varen kryesisht nga ndryshimet në kushtet hidrologjike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore