Shqipëria

Shqipëria i dhuron botës debatin më të gjerë ndërkombëtar mbi luftën në Ukrainë


Një sesion i jashtëzakonshëm maratonë – ende i papërfunduar dhe i shtyrë për pasditen e 21 shtatorit – ishte ai që Shqipëria i dhuroi të gjithë botës, duke lejuar zhvillimin e debatit më të gjerë ndërkombëtar lidhur me luftën në Ukrainë, që prej kur kjo e fundit ka filluar me agresionin rus më 24 shkurt 2022.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, seketari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Disa prej emrave të spikatur të kësaj mbledhjeje, të moderuar në mënyrë jo thjesht dinjitoze, por në detaje të përsosura nga Shqipëria, e cila është kujdesur që nën privilegjin e Presidencës së Këshilli të Sigurimit, të lejonte gjithë botën të shprehte mendimet mbi luftën.

Hapja ishte jo e lehtë nën moderimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, pasi siç pritej, menjëherë u hodh në sulm ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya.

Ky i fundit, e ka akuzuar Presidencën shqiptare për thyerje të rregullores së Këshillit të Sigurimit, me lejimin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të folur përpara anëtarëve të Këshillit në rend.

Megjithatë, Rama e ka bërë të qartë se nuk ka asnjë shkelje të rregullores.

Madje, edhe me batuta të tipit: “Kur vjen nga ju leksioni për mosrespektimin e rregullave është mbresëlënëse”, apo “dua t’i siguroj kolegët rusë dhe gjithë të pranishmit se ky nuk është një ‘operacion special’ i Presidencës shqiptare”.

Përkundrazi, nëse Rusia dëshiron që Zelensky të mos flasë i pari, atëherë çështja është e thjeshtë, pasi mjafton që agresioni ndaj Ukrainës të ndalojë.

Këtë, ambasadori rus nuk e ka pritur mirë dhe i ka kërkuar kryeministrit shqiptar të mos sillet si lider i një shteti, por si President i Këshillit.

Në përgjigje të kësaj, Rama tha se nuk është ai që po sillet si kryeministër, por është përgjigjur në kapacitetin në të cilin ambasadori vetë e ka thirrur.

Më tej, kryeministri shqiptar i dha fjalën sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Guterres, për qëndrimet e para.

Pushtimi rus në Ukrainë në shkelje të kartë së OKB-së

Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres deklaroi se pushtimi i Rusisë në Ukrainë është shkelje e kartës së OKB dhe po kërcënon sigurinë rajonale.

Ai bëri thirrje për ndalimin e sulmeve kundër civilëve dhe infrastrukturës civile.

“Janë dokumentuar dëshmi të shkeljeve të theksuara dhe tronditëse të të drejtave të njeriut, duke përfshirë dhunën seksuale të lidhur me konfliktin, arrestimet arbitrare, ekzekutime në tërësi, kryesisht nga Rusia, dhe transferimin me forcë të civilëve ukrainas, përfshirë fëmijët, në territorin nën kontrollin rus ose në Rusi”.

Guterres theksoi gjithashtu se lufta ka kontribuar në rritje të çmimit të ushqimeve duke lënë mijëra në uri.

“Gjatë periudhës 1 vjeçare nisma e detit të zi sëbashku me memorandumin ka ndikuar në uljen e problemeve që shkaktoi nga marsi i vitit kaluar. Kemi 33 milionë metra ton produkte ushqimore që po përpiqemi të përballojmë dhe problemet ushqimore me Afganistanin dhe Somalinë. Jemi të keqardhur që në korrik Rusia u tërhoq nga nisma e detit të zi dhe nisi me sulmet. Janë të papranueshme, duhet mbarojnë njëherë e përgjithmonë”.

Ndër të tjera tha se “karta e kombeve të bashkuara është udhërrëfyesi ynë për një botë të paqtë”.

“Së bashku përpjekjet tona kanë paralandaluar luftën në shkallë globale, me operacione paqeruajtëse dhe programe për zhvillim. Vetëm këtë javë samiti i objektivave miratoi një plan për parandalimin e krizave të shumëllojshme”.

Takimi që pothuajse ndodhi

Megjithatë, sipas tij, instrumentet dhe mekanizmat po mpaken përballë sfidave gjeopolitike.

Gjithashtu Guterres theksoi se “çarmatimi bërthamor ka mbetur në vend”.

“Ju bëj thirrje qeverive të angazhohen më shumë, të përdoren mjetet diplomatike, për të përcaktuar si përparësi kalimin e krizave”.

Zelensky falënderon Edi Ramën për mbështetjen e Ukrainës në Këshillin e Sigurimit

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përpara se të merrte fjalën në KS, ka falënderuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama, si edhe ekipin diplomatik shqiptar, për gjithë mbështetjen e dhënë në çështjen e Ukrainës, si edhe zërin e ngritur në Këshillin e Sigurimit për këtë kauzë.

Lideri ukrainas ka publikuar një median sociale X, njohur më parë si Twitter, një fotografi nga një tryezë e zhvilluar me kryeministrin shqiptar dhe delegacionin e tij, përpara një mbledhjeje historike që Shqipëria ka thirrur në Këshillin e Sigurimit për Ukrainën.

“I jam veçanërisht mirënjohës Shqipërisë për anëtarësimin në Deklaratën e G7 për garancitë e sigurisë për Ukrainën. Ne nënshkruam gjithashtu një deklaratë të përbashkët për mbështetjen për integrimin e Ukrainës në NATO”, shkruan Zelensky.

Më tej, ai erdhi me propozime konkrete, duke kërkuar një reformim të organit të lartë të OKB-së, duke sugjeruar se vetoja nuk është më një opsion në realitetin e sotëm.

Mbi të gjitha, kur atë e ka në dorë edhe një vend agresor si Rusia.

“Fuqia e vetos në duart e agresorit është ajo që e ka shtyrë OKB-në në një rrugë pa krye. Pavarësisht se kush jeni, sistemi aktual i OKB-së ju bën ende më pak me ndikim sesa fuqia e vetos që zotërohet nga disa dhe keqpërdoret nga një – Rusia – për të në dëm të të gjithë anëtarëve të tjerë të OKB-së”, përforcoi ai.

Sipas Zelenskyt, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së duhet të marrë fuqinë për të tejkaluar vetot.

Për shembull, në rastin kur dy të tretat e vendeve anëtare arrijnë të bien dakord mbi një çështje, nuk ka më pse të ketë veto nga shtete të caktuara dhe nuk ka pse të pranohen ato.

Reflektime të tilla nga Zelensky, vijnë për shkak se vendi i tij po ndëshkohet ashpër nga kjo luftë dhe Kievi po e sheh se OKB-ja, pavarësisht vullnetit apo dëshirës për të ndihmuar, e ka të pamundur me një koncept të tillë.

“Duhet të pranojmë se OKB-ja e gjen veten në një ngërç për çështjen e agresionit. Njerëzimi nuk i mbështet më shpresat te OKB-ja kur bëhet fjalë për mbrojtjen e kufijve sovran të kombeve. Por unë nuk do të isha këtu sot nëse Ukraina nuk do të kishte propozime për zgjidhje”, shton më tej ai.

Po ashtu, unioni afrikan duhet me patjetër të ketë një vend të përhershëm në Këshill, për të pasur sa më shumë gjithëpërfshirje globale dhe barazi në këtë organ.

Rama kërkon bashkim

Shqipëria mund të jetë një vend i vogël dhe pa ndikim në terren në Luftën në Ukrainë, por fjala e saj u dëgjua sot zëlartë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit, kur kryeministri Edi Rama, i kërkoi të gjithëve të mbajnë përgjegjëse Rusinë për çfarë po ndodh në Ukrainë.

Një luftë kjo, e cila jo vetëm që nuk është thjesht e Ukrainës sipas tij, jo vetëm që nuk është thjesht e Evropës, por është e një kërcënimi botëror.

Vetë prania e personaliteteve të larta të politikës botërore në këtë mbledhje, e reflekton qartë se sa rëndësi mbledhja e thirrur nga Shqipëria ka.

Kjo, pasi është e prapranueshme sipas kryeministrit, që në shekullin e XXI-të, kontinenti të vihet në rrezik nga një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit.

Një tragjedi, e cila është bërë nga vetëm një njeri, i cili po kërcënon me uri dhe skamje miliona njerëz në gjithë botën.

Ky nuk ka si të jetë problem vetëm i Evropës, sipas Ramës.

Duke risjellë në vëmendje fjalën e pastorit Martin Niemoller, Rama e shpjegoi në mënyrë të përkyrer gjithë çfarë po ndodh sot.

“Së pari erdhën të merrnin Gjeorgjinë dhe nuk bëra zë, më pas erdhën për Krimenë, nuk ishte vendi im, kështu që nuk fola. Më pas erdhën për të gjithë Ukrainën por nuk isha ukrainas e kësisoj nuk thashë asnjë fjalë , pastaj erdhën për të më marrë mua por askush nuk kishte mbetur për të më ndihmuar e për të më mbrojtur”.

Reflektim i qartë i asaj çfarë sot po ndodh me luftën në Ukrainë.

Në mbyllje, sërish, kryeministri e ka bërë të qartë, se sot është dita për të mbështetur Ukrainën dhe nuk ka rrugë tjetër. Të gjithë, duhet të jenë së bashku në këtë përpjekje.

Blinken thotë se Amerika nuk tërhiqet nga mbrojtja e Kievit

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken e nisi fjalën e tij me shembull nga një qytezë ukrainase ku forcat ruse kishin kryer “sulme mizore”

“Isha në një qytezë ukrainase ku forcat ruse kishin arrestuar banorët, kishin çuar në shkollë dhe detyruan qindra gra, pleq të qëndronin në një vend, në dhoma të vogla pa ujë. I mbajtën për 28 ditë duke i përdorur si mburoja njerëzore. Dy banorë më dërguan aty ku ishin burgosur, aty ku nuk kishin pasur mundësi të merrnin frymë. Ka një listë emrash në korridoret e bodrumit, një ishte me ata që ishin ekzekutuar dhe ata që kishin vdekur në bodrum duke filluar nga 90-vejç deri në fëmijë 6 javësh”.

Blinken theksoi se “kjo është një luftë ku presidenti Putin deklaroi është për të fshirë Ukrainën nga harta e vendeve sovrane”.

“Rusia po kryen krime kundër njerëzimit. Rusia po përdor urinë si armë, kjo e tregon dalja nga marrëveshja e detit të zi”.

Sekretari amerikan tha ndër të tjera se sa më e uritur të jetë bota, aq më shumë përfiton Rusia.

“Rusia në fakt, bëri një takim me Kim Jong Un, i cili u shpreh se do kishte, mbështetje të plotë dhe pa kushte për luftën dhe agresionin e Rusisë. Nëse vazhdon me dhunën, bota do të heqë dorë nga parimet dhe Ukraina do ndalë së mbrojturi veten”.

Ai theksoi se “SHBA-të janë kryesues në përpjekje për t’u përgjigjur domosdoshmërive të kësaj kohe”.

“Duhet të ruajmë shtyllat e bashkëjetesë paqësore. Mesazhi duhet të jetë i qartë jo vetëm për Rusinë por për çdo agresor. Ne do të ngrihemi, nuk do rrimë pa bërë gjë. Nuk do rrimë pa bërë gjë, kur rregullat që kemi bërë të gjithë thyhen. E hapa duke ndarë me ju tmerret në Hitni, por atë ditë pashë vullnetarë që po përpiqeshin ta ringrinin vendin. Pashë një komb që po rindërtohej dhe po merrte në dorë fatin e vetë. Këtë mbrojmë kur ngrihemi për rendin ndërkombëtar, për të shkruar të ardhmen e tyre. Populli ukrainas dhe jo vetëm, kanë të drejtë të shkruajnë të ardhmen e tyre, nuk do lejojmë ta shkruajnë të tjerët”.

Në ekipin diplomatik të nivelit të lartë të SHBA, merr pjesë edhe Yuri Kim, e cila është emëruar në një post të lart në Departamentin e Shtetit. Kujtojmë se Kim ka shërbyer si ambasadore e SHBA-ve në Shqipëri.

Lavrov thotë se Rusia nuk po heq dorë nga negociatat për Ukrainën

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se Rusia nuk refuzon negociatat për zgjidhjen e krizës ukrainase.

“Edhe tani ne nuk po i refuzojmë ato (negociatat – ed.) – Presidenti Putin ka folur për këtë shumë herë, duke përfshirë edhe së fundmi”, shtoi zyrtari rus.

Ai kujtoi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky miratoi një dekret që ndalon negociatat me qeverinë aktuale në Rusi.

“Nëse Shtetet e Bashkuara janë kaq të interesuara për to, atëherë, mendoj, nuk do të jetë e vështirë të jepet urdhri që ky dekret i Zelensky-it të anulohet”, vuri në dukje ministri i Jashtëm. “Faktet flasin për një krizë të thellë në marrëdhëniet ndërkombëtare, për mungesën e dëshirës dhe vullnetit të Perëndimit për të kapërcyer këtë krizë”.

“Por unë shpresoj se një rrugëdalje nga situata aktuale ende ekziston dhe do të gjendet”, vërejti Lavrov.

Ministri vuri në dukje gjithashtu se rreziqet e burimeve të reja të tensionit në botë dhe konfliktit global janë në rritje.

“Sot, Perëndimi u drejtohet normave dhe parimeve statutore në mënyrë selektive, rast pas rasti, vetëm në përputhje me nevojat e tij egoiste gjeopolitike. Kjo çon në mënyrë të pashmangshme në minimin e stabilitetit global, përkeqësimin e atyre ekzistuese dhe ndezjen e vatrave të reja të tensionit”, tha Lavrov. “Rreziqet e konfliktit global janë gjithashtu në rritje”.

Sipas tij, për të ndalur këto rreziqe dhe ngjarje të drejtpërdrejta në një drejtim paqësor, Rusia “insiston që të gjitha dispozitat e Kartës së OKB-së të respektohen dhe zbatohen jo në mënyrë selektive, por në tërësinë dhe ndërlidhjen e tyre, duke përfshirë parimet e barazisë sovrane të shteteve, mosndërhyrja në punët e tyre të brendshme, respektimi i integritetit territorial dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje”.

Ministri i Jashtëm theksoi se “sot nuk bëhet fjalë për nënshtrimin ndaj një lloj rendi botëror të bazuar në rregulla, por për përmbushjen nga të gjithë të detyrimeve të marra përsipër me nënshkrimin dhe ratifikimin e Kartës (të OKB-së) në tërësinë e saj dhe ndërlidhjen”.

Britania thotë se duhet punuar kolektivisht për një paqe e gjatë dhe e vazhdueshme

Problemet e dala nga lufta në Ukrainë janë treguese të zhvillimit të një bote gjithnjë e më të pasigurt, sipas Britanisë së Madhe.

Kështu ka deklaruar nga Këshilli i Sigurimit, zëvendëskryeministri britanik, Oliver Dowden, i cili i është adresuar fillimisht Shqipërisë, duke e falënderuar për një tryezë kaq të rëndësishme të thirrur.

Sipas Downed, nuk ka gjë më të qartë se sa krimet ruse të kryera në Ukrainë, përfshi deri edhe rrëmbimin e fëmijëve nga familjet.

Gjithsesi, për të luftuar këtë, duhet një aksion kompakt kolektiv, për të siguruar një paqe të gjatë dhe të vazhdueshme në botë.

Aksioni kolektiv sipas tij është me rëndësi dhe këtë gjë Rusia e di mirë.

Po ashtu, zyrtari i lartë britanik nuk la pa përmendur edhe kundërofensivën ukrainase, e cila vijon ende dhe ka shpresë për të fituar terren.

Zvicra falënderon Shqipërinë për mbledhjen dhe promovimin e paqes, kërkon mënyra alternative për zbatimin e Kartës së OKB-së

Presidenti i Zvicrës, Alain Berset, ka falënderuar Shqipërinë për mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur në Këshillin e Sigurimit për çështjen e Ukrainës, si edhe për rolin e vendit në promovimin e paqes.

Kështu e ka hapur ai fjalën e tij gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme, pasi ka qenë vetë i pranishëm në tryezën e diskutimit, për të përfaqësuar Zvicrën.

Sipas Berset, pasojat e kësaj lufte janë planetare, pasi ka rreziqe bërthamore, pabarazia është rritur dhe karta e OKB-së është shkelur rëndë nga Rusia.

Për këtë arsye, ai ka kërkuar që integriteti i Ukrainës të respektohet plotësisht dhe i kërkoi Moskës të tërheqë menjëherë agresionin.

Një gjuhë e fortë kjo, pavarësisht neutralitetit ushtarak që Zvicra gëzon tashmë prej dekadash në Evropë.

Të gjithë qytetarëve të Ukrainës u duhet garantuar e ardhmja, mbi të gjitha fëmijëve.

Por, Këshilli i Sigurimit, rolin e tij e ka të kufizuar dhe duhen gjetur mënyra alternative se si karta e OKB-së të zbatohet plotësisht.

Në këtë frymë, vetë Zvicra po bën të pamundurën për të ndihmuar Ukrainën në mënyra humanitare, apo edhe me çminimin e zonave të minuara nga Rusia në Ukrainë.

Teksa, si synim dhe opsion i vetëm, multilateralizmi është rruga e duhur, në sytë e presidentit zviceran.

Kina me katër pika për zgjidhjen e luftës në Ukrainë

Kina ka ardhur me një plan katër pikësh në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit mbi Ukrainën, të thirrur nga Shqipëria.

Gjatë fjalës së tij, zëvendësministri i Jashtëm kinez, Ma Zhaoxu, theksoi se qëndrimi i Kinës është i qartë për të arritur paqen dhe për këtë, ka pasur qartësi në të shkuarën edhe nga presidenti kinez, Xi Jinping.

Katër pikat e paraqitura nga Pekini zyrtar, janë si vijojnë:

Së pari, duhet lehtësuar dialogu mes vendeve, pasi lufta nuk zgjidh asgjë. Zgjidhja sipas Kinës duhet të jetë vetëm politike dhe asnjëherë ushtarake. Ndaj, bisedimet dhe tryezat mes palëve duhet të fillojnë sa më parë.

Së dyti, duhet shmangur hedhja e benzinës në zjarr. Çdo veprim i palëve, i cili mund të përshkallëzojë situatën, është kategorikisht i dëmshëm dhe jo i frytshëm për çfarë po ndodh.

Pika e tretë lidhet me marrëveshjen e Detit të Zi, të cilës palët duhet t’i rikthehen të dyja, pasi siguria ushqimore botërore po cenohet.

Ndërsa, pika e katërt, lidhet me një aksion humanitar që duhet të zërë vend në rajonet e prekura nga lufta, pasi miliona njerëz janë zhvendosur dhe infrastruktura me rëndësi janë shkatërruar.

“Duhet bërë me shumë për të lejuar aksesin humanitar dhe për të punuar mbi ringritjen humanitare në zonat e dëmtuara”, theksoi Zhaoxu në fjalën e tij.

Teksa, në mbyllje, i bëri thirrje të gjithë vendeve ta mbështesin këtë plan të Kinës dhe të fillojë puna për të parë palët në tryezë bisedimesh sa më shpejt.

Michel me autokritika të ashpra: Ukraina është e sulmuar dhe agresori është ulur këtu, çfarë po bëjmë ne?

Ukraina është një skenë krimi dhe agresori i saj është ulur këtu, në këtë sallë (Këshillin e Sigurimit), por çfarë po bëjmë ne?

Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, ka reflektuar ndoshta një prej autokritikave më të ashpra ndaj Bashkimit Evropian dhe gjithë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke thënë se fuqitë botërore nuk kanë arritur të shmangin një situatë të tillë katastrofike.

Kjo ka ardhur sigurisht nga ëndrra e një vendi si Rusia për të rikthyer perandorinë e mëparshme. Vallë, shtron pyetjen ai, kush do të jetë vendi i ardhshëm, i cili do t’i kënaqë dëshirat e Putinit?

Por fakti sot është se Ukraina po përballet një luftë, të cilën nuk e donte.

“BE-ja qëndron pranë Ukrainës për mbrojtjen e të pafajshmëve”, tregoi ai, “por duhet menduar se çfarë mund të bëjë një botë e tërë, për të mbajtur përgjegjëse një anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit”.

Po ashtu, Michel e tregoi haptazi se Evropa e përshëndet Kinën për gjithë punën e bërë me Rusinë dhe faktin se ajo ka parandaluar përdorimin e armëve bërthamore në këtë luftë.

Por, ka kërkuar gjithashtu që të dyja palët të bëjnë shumë më shumë në këtë kauzë që duhet të jetë e përbashkët.

E gjitha në një kohë kur Kremlini po i përkeqëson gjërat edhe më shumë, me tërheqjen nga një nismë e mirë, si ajo e Detit të Zi për kalimin e grurit.

Por, predhat në Odesa sot, nuk vrasin ukrainasit, sa vrasin ata më të dobët e më të varfër në Afrikë, të cilët furnizohen nga ky grurë dhe ushqehen me të.

Me thirrjen e hapur për të vepruar dhe për t’u reformuar, pa pasur gabim nga kritikat ndaj vetes dhe strukturave që duan përmirësim, Michel kërkoi përfundimisht të ketë reflektim mbi situatën dhe të gjendet një zgjidhje.

Scholz: Rusia zgjodhi luftën kundrejt diplomacisë

Kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë fjalës së tij në Këshillin e Sigurimit theksoi se lufta e Rusisë në Ukrainë është një luftë që po ndodh në Evropë, por pasojat po ndihen në mbarë botën.

“Rusia qëllimisht po vë në qëllim vend depozitimet e drithërave. Rusia mbizotëron tregun e  dertilizantëve në botë. 2022 ishte viti rekord i eksporteve të tyre. Rusia do të vazhdojë me planin për pushtimin e Ukrainës fqinje”.

Sipas tij, Rusia zgjodhi luftën kundrejt diplomacisë.

“Të gjithë duam të përfundojnë vrasjet sot jo nesër. Paqja pa liri nuk është opsion. Paqja nënkupton respektimin e kartës së OKB-së”.

Lufta në Ukrainë nxorri në pah krizën e vërtetë brenda OKB-së, sipas Turqisë

Sipas zëvendësministrit të Jashtëm të Turqisë, Burak Akçapar, lufta në Ukrainë e nxorri në pah vërtetë gjithë krizën brenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Për fat të keq, sipas Akçapar, OKB-ja po i vërteton vetes se është një mekanizëm, i cili i shërben në fakt vetëm të fortëve dhe kataklizma të tilla si lufta në Ukrainë, janë shembull konkret për këtë.

Jemi 18 muaj brenda luftës sipas tij dhe asgjë s’ka ndryshuar që prej fillimit, me Ukrainën që pëson dëme të shumta dhe asnjë përparim në dialog.

Megjithatë, ai e pranon se Turqia është tërësisht e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit territorial të Ukrainës dhe pavarësisë së saj.

Po ashtu, ai theksoi se Ankaraja ka bërë shumë, qoftë në bisedimet ndërmjetësuese me marrëveshjen e grurit, apo edhe me shkëmbime të burgosurish.

Mënyra e vetme për sukses sipas tij, është vetëm dhe vetëm diplomacia.

Një traktat paqeje ndërkaq, duhet të përfshijë si Ukrainën, ashtu edhe Rusinë, pa përjashtime.

Sllovenia dënon ashpër Rusinë për sulmin dhe vjen me tre pika kyçe të konfliktit

Presidentja sllovene, Natasha Pirc Musar, ka dënuar ashpër agresionin rus në Ukrainë dhe ka ardhur po ashtu me tre pika kyçe lidhur me qëndrimet e Sllovenisë në këtë çështje.

Sipas saj, pretendimet ruse për multilateralizëm të Ukrainës janë të pabaza, pasi agresioni i saj nuk reflekton diçka të tillë.

Agresioni rus në Ukrainë gjithsesi nuk është i vetmi në botë, pasi mbi 50 të tjerë janë regjistruar në botë gjatë 2022 dhe të gjithë duhet të kenë vëmendje, për të pasur zgjidhje përfundimtare dhe paqe në botë.

Kjo gjithsesi, duhet të vijë edhe me një reformim të Këshillit të Sigurimit.

Duke e përsëritur sërish për të disatën herë, anëtarët e Këshillit nuk mundet të mbetet në dorë të shteteve që e thyejnë rolin e tyre në Këshill dhe që cenojnë paqen në botë.

Pika e tretë ndërkaq, është kërkuese, pasi Musar kërkon që të mbahen përgjegjës të gjithë personat, të cilët kanë kryer krime lufte.

Në këtë mënyrë, ajo i ftoi të gjithë vendet të bashkohen me nismat sllovene, duke qenë se vendi do të jetë anëtare e ardhme e Këshillit të Sigurimit, duke zëvendësuar Shqipërinë në dy vitet e ardhshme.

Presidenti lituanez i bën “dush të ftohtë” botës: Lufta filloi 9 vite më parë dhe nuk u përgjigjëm, nuk ka bisedime pa integritetin e plotë të Ukrainës

Presidenti lituanez, Gitanas Nauseda, i ka bërë një dush të ftoftë të vërtetë gjithë botës me fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit, të thirrur nga Shqipëria për Ukrainën, duke thënë se lufta nuk ka filluar në vitin 2022, por nëntë vjet më parë, me pushtimin e Krimesë nga Rusia dhe bota në atë kohë, nuk u përgjigj si duhet.

Këtu, ai përfshiu edhe Këshillin e Sigurimit, edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara, të cilat sipas tij mbetën dhe u manipuluan nga loja e Rusisë diplomatikisht.

Gabime të tilla toleruese nuk duhet të ndodhin më në të ardhmen, në fjalët e Nausedas.

“Rusia nuk mundet më ta manipulojë Këshillin e Sigurimit dhe të thyejë kartën e OKB-së”, përforcon ai.

Teksa, mbi zhvillimin e bisedimeve të paqes, tregon se nuk ka asnjë mundësi që ato të bëhen, nëse nuk kanë në themel integritetin territorial të Ukrainës dhe pa këtë të fundit të plotë territorialisht, nuk ka tryeza paqeje.

Ndaj, ai ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit dhe OKB-ja që të bëjnë më shumë në këtë drejtim dhe të mos lejojnë më Rusinë të sillet ashtu si do.

Kjo vjen nga një vend, i cili është fqinj me Rusinë, si Lituania dhe e cila ndihet e rrezikuar.

Në mbyllje, ai ka thënë se të gjithë duhet të punojnë së bashku për të arritur paqen jetëgjatë.

Pendarovski kërkon mision paqeruajtës në Ukrainë

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit që të ngrejë një mision paqeruajtës në Ukrainë, në mënyrë që të qetësohet situata e krijuar nga agresioni rus.

Sipas Pendarovskit, agresioni ka qenë një goditje e fortë ndaj paqes dhe rendit ndërkombëtar. Madje, Moska ka arritur deri aty sa të sfidojë veprimin shumëpalësh, duke mos respektuar sovranitetin e Ukrainës.

Mirëpo, kritika ka ngritur edhe ndaj Këshillit, i cili sipas tij, e gjeti veten të bllokuar dhe kjo është shkaktuar nga mospajtueshmëria dhe nga shpërfillja e situatës.

Ky neglizhim e ul besimin e qytetarëve te OKB-ja, kështu që duhet krijuar një alternativë e besueshme për dëshpërimin e njerëzve.

Çështja e vetos gjithashtu duhet trajtuar, mbi të gjitha kur një prej anëtarëve të Këshillit është pjesë e konfliktit, apo deri edhe shkaktar, si Rusia.

Ndërsa, në mbyllje, përkufizoi se integriteti territorial i Ukrainës, është shumë i rëndësishëm.

Abazoviç përgëzon Ramën për iniciativën: Jemi të vegjël, por po ndihmojmë për luftën

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka gjetur rastin të përgëzojë kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për nismën e organizimit të mbledhjes së posaçme të Këshillit të Sigurimit për Ukrainën, duke thënë se vendet si i tiji janë të vogla, por po japin ndihmën e tyre në luftë.

Arritja e objektivave personale përmes luftës, sipas Abazoviç, janë krejtësisht të papranueshme, pasi kështu nuk e pëson vetëm Ukraina, por gjithë liria universale.

Në krahasim me numrin e banorëve, ai ka shtuar se Mali i Zi ka shifrën më të lartë të refugjatëve të pritur.

Ai ka shtuar se shumica e vendeve të botës janë të bashkuar në një front dhe e kanë shtuar solidaritetin me njëra-tjetrën.

Ndaj, në këtë frymë, të gjithë duhet të jenë të bashkuar dhe të marrin veprime konkrete për situatën.

Tajani kërkon reformim të Këshilli të Sigurimit dhe më shumë gjithëpërfshirje për paqen botërore

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, e ka cilësuar si themelor reformimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke përfshirë vende nga blloku i Afrikës, Azisë dhe Oqeanisë, për të pasur një gjithëpërfshirje sa më të madhe për paqen në botë.

Tajani e ravijëzoi disa herë gjatë fjalës së tij në mbledhjen e posaçme të thirrur nga Shqipëria, se Italia nuk ka kushte kur vjen çështja për të mbështetur Ukrainën në këtë luftë.

Mirëpo e gjithë bota po vuan nga një efekt domino.

Kriza ushqimore po shton krizën e emigrantëve (me të cilën Italia më së shumti në Evropë po përballet).

Kështu, duke e vënë theksin te fakti se nuk ka të bëjë me një konflikt mes dy shteteve, por me një konflikt botëror.

Mbështetja e pakushtëzuar për planin e paqes së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili përmban 10 pika, është i pamohueshëm për Italinë.

Po ashtu, keqardhje ka shprehur edhe sa i takon largimit të Rusisë nga marrëveshja e Detit të Zi.

“Italia do të luftojë për paqen dhe është e gatshme për të bërë pjesën e saj”, përmbylli ai.

Osmani: E jashtëzakonshme që dy vende ballkanike po drejtojnë struktura multilaterale botërore

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, njëkohësisht mbajtës i Presidencës së OSBE-së gjatë këtij viti, Bujar Osmani, ka thënë se është një situatë e jashtëzakonshme për rajonin, që dy vende ballkanike po drejtojnë struktura multilaterale të kësaj rëndësie botërore, si Këshilli i Sigurimit dhe OSBE-ja.

Për këtë, ai edhe e falënderoi kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për gjithë organizimin dhe mundësinë e dhënë për të folur globalisht rreth luftës në Ukrainë.

Sipas Osmanit, agresioni rus është sfida më e ngutshme e gjithë botës, pasi ai shkatërron gjithë jetën e Ukrainës dhe shkatërron çfarë ai shtet ka ndërtuar.

“Ne e ndjejmë ndikimin e kësaj lufte në popujt e rajonit tonë”, shtoi Osmani. “Por veprimi shumëpalësh kërcënohet të bëhet viktimë tjetër e kësaj lufte”.

Për të, askush nuk fiton prej kësaj lufte dhe të gjitha vendet do të njohin veçse humbje prej saj.

Në cilësinë e Presidentit të OSBE-së, ai tha se nuk ka për këtë organizatë ndërkombëtare një çështje me më shumë rëndësi.

“Ne e duam ndaljen e kësaj lufte”, përforcoi ai. “Duam të ndihmojmë njerëzit në terren, ata të cilët mbështesin kauzën e drejtë”.

Po ashtu, ai ka kërkuar edhe lirimin e menjëhershëm të të burgosurve të luftës dhe ka shtjelluar se aktorët ndërkombëtarë, duhet të bëjnë më shumë dhe më mirë që shtrirja globale e OSBE-së, të vihet në punë më së miri.

Me fjalët e Nënë Terezës, ai e përmblodhi gjithë mesazhin në këtë takim: Unë vetë nuk di të bëj shumë gjëra. Ti vetë nuk di të bësh shumë gjëra. Por të dy së bashku, mund të bëjmë shumë gjëra.

Rikthimi i luftës në Evropë e ka tronditur gjithë botën, thotë Trudeau

Sipas kryeministrit kanadez Justin Trudeau, rikthimi i luftës në kontinentin e vjetër e ka tronditur të gjithë botën.

Kështu tha ai gjatë një fjale të mbajtur në Këshillin e Sigurimit, gjatë një mbledhje të thirrur prej Shqipërisë me në vëmendje Ukrainën.

Trudeau paralajmëroi se nuk e vuan këtë gjë vetëm Ukraina, as vetë Evropa, por e gjithë bota mbarë, përfshi edhe hemisferën jugore të globit.

Kanadaja, në fjalët e kryeministrit, është e rreshtuar qartë në krahun e së drejtës dhe asnjë alternativë tjetër veç dënimit të Rusisë nuk ka.

Por, nga ana tjetër, një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit e ka shkaktuar luftën dhe një gjë e tillë është e papranueshme.

Ndaj, bota duhet të gjejë forcën që të kthehet në një vend ku mbizotëron e drejta dhe ligji duhet të jetë themelor dhe i panegociueshëm në ideologjinë e vendeve.

Mbështetja ndaj Ukrainës do të vazhdojë, përkufizoi Trudeau, pa kushte dhe të gjithë në bllok qëndrojnë të bashkuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore