Shqipëria e gatshme për hapjen e “kapitujve themelorë”

Në javët që vijnë diplomacia shqiptare do të mirëpresë vendimet e vendeve anëtare të BE-së si dhe Konferencën e Dytë Ndërqeveritare
SHFLETO
Klevis Hoxhaj
02.10.2024 14:02
Loading Icons...

Këshilli i Ministrave të Shqipërisë miratoi të mërkurën pozicionin negociues të vendit për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian lidhur me hapjen e grupit të parë të kapitujve (Cluster 1) i njohur si themelorët.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja për Integrimin në Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka.

“Me këto zhvillime pozititve nga BE-ja, vendet anëtare, Komisioni Evropian, Shqipëria hyn në një fazë të re të negociatave për anëtarësim në Union, sigurisht ky është një proces kompleks, dinamik me zhvillime shumë pozitive si në drejtim të progresit të Shqipërisë, por edhe në drejtim të BE-së”, u shpreh fillimisht zyrtarja shqiptare.

Sipas saj, në javët që vijnë diplomacia shqiptare do të mirëpresë “vendimet e vendeve anëtare të BE-së si dhe Konferencën e Dytë Ndërqeveritare për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE”.

Dhuka theksoi se vendi ynë është në miljet e fundit të rrugës për t’i përmbushur kriteret për anëtarësim në BE.

E pyetur mbi ndikimin që kanë krijuar trazirat e opozitës në Kuvend mbi procesin e integrimit, Dhuka nënvizoi se “opozita dhe mazhoranca në Shqipëri janë bashkë për sa i përket anëtarësimit në BE dhe i kanë marrë bashkë këto vendime të rëndësishme”.

Ministrja shprehu bindjen se “Shqipëria do të progresojë për t’u bërë anëtarë në BE, pavarësisht situatave të ditës”.

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian u dakordësuan më herët për të hapur kapitullin e parë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Shqipëria vendosi të hapë pesë kapituj të anëtarësimit (të ashtuquajturit bazat) më 15 tetor, duke ndarë rrugën me RMV-në, të cilën e kishte pikënisur në verën e vitit 2022.

“Mund të konfirmoj se Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Këshillit miratoi një letër drejtuar Shqipërisë, duke informuar se BE-ja konsideron se Shqipëria është mjaftueshëm e përgatitur për negociatat për Cluster-in 1. Shqipëria është ftuar të paraqesë pozicionin e saj negociues me synimin për hapjen e këtij grupi”.

Kështu deklaroi për AP-në, zyrtarja në Zyrën e Shtypit të Këshillit të BE-së, Liis Jaansalu.

Ky grup përfshin disa kapituj – Prokurimi, Statistikat, Gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria si dhe kontrolli financiar.

Bëhet fjalë për kapitullin e parë nga 33 në përgjithësi që Shqipëria duhet t’i hapë dhe mbyllë për t’u anëtarësuar në Union.

“Komisioni (Evropian ed.) pret fillimin e negociatave për grupin themelor sa më shpejt të jetë e mundur me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut sa më shpejt që të jetë e mundur pasi RMV-ja të ketë përmbushur kriteret përkatëse të dakorduara nga Këshilli”, tha për AP-në zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero.