Shqipëria

Shqipëria digjitale, autonomia spitalore dhe kriza e çmimeve – Vendimet e fundit të Qeverisë


Këshilli i Ministrave në Shqipëri ka zhvilluar një mbledhje, ku janë marrë një sërë vendimesh me rëndësi, mes të cilave heqja e sporteleve fizike në administratë, autonomia spitalore dhe disa çështje të peshkimit.

Mbi të parën folën ministri i Mbrojtjes, Bledi Çuçi, dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Siç është bërë me dije edhe më herët, prej datës 1 maj, në të gjithë Shqipërinë, do të reduktohen zyrat e gjendjes civile.

Nga mbi 400 aktuale, ato do të reduktohen në 150 sportele.

Rreth 90 shërbime do të ofrohen tërësisht online për qytetarët, duke shmangur kështu pritjen për marrjen e dokumentacioneve të ndryshme.

E gjithë kjo, falë digjitalizimit të shërbimeve, të cilat kalojnë nëpërmjet portalit e-Albania.

Sa u përket personave, të cilët mund të hasin vështirësi në marrjen e shërbimeve online për arsye të ndryshme, ministrja Ibrahimaj ravijëzoi se do të ketë qendra të kontrollit dhe të komunikimit në formën e “call center”, të cilat do t’u vijnë në ndihmë qytetarëve.

Ndërsa, sipas Çuçit, përtej lehtësimit të qytetarëve në marrjen e shërbimeve, një zhvillim mjaft i mirë është edhe fakti se vetë institucionet publike, mund të shkëmbejnë lehtësisht informacione mes tyre.

Autonomia spitalore

Sakaq, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, deklaroi se në fokus të mbledhjes së kabinetit qeveritar ishte miratimi i projektligjit për autonominë spitalore.

“Ishte koha që ky projektligj të vinte, i cili do të kalojë për diskutime në komisionet parlamentare për të sjellë një model të ri të shërbimit spitalor, atë të autonomisë spitalore”, tha fillimisht ministrja.

Në vijim, ajo shpjegoi se “autonomia spitalore vjen përmes kartës së performancës, që plotësohet sipas kritereve që do të vendosen nga Këshilli i Ministrave, nga spitalet që kanë aftësi për ta përfituar kartën e performancës dhe të autonomisë spitalore”.

Ajo tha se do të ketë autonomi financiare dhe menaxheriale.

“Qëllimi është përmirësimi i shërbimeve të kujdesit spitalor. Do të çojë në një eficiencë më të mirë të fondeve, duke angazhuar të gjitha fondet e struktura të tjera dhe të gjithë strukturat e spitaleve në vend”.

Manastirliu ravijëzoi se do të ketë një planifikim spitalor kombëtar nëpërmjet një komiteti ekspertësh që do ta hartojnë.

“Do të kemi organizim duke filluar nga spitalet ditore, në ato bashkiakë, rajonalë, qendrat rajonale të spitaleve, do të kemi spitale me shërbime të dedikuara me bazë rajoni. Do të krijojmë polet rajonale të shërbimit spitalor në vend”.

Në mbyllje, ministrja njoftoi se fillimisht do të aplikohet në Spitalin Rajonal Memorial, në Fier, brenda këtij viti.

Kriza e çmimeve

“Kriza ka prekur dhe bujqësinë. Jemi përballë rritjes së çmimeve të imputeve”.

Kështu ka deklaruar ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, pas mbledhjes së Qeverisë, duke iu referuar ngërçit të fundit ekonomik që e gjithë Evropa po kalon, pas pushtimit rus në Ukrainë.

Gjithsesi, sipas Krifcës, Qeveria u është gjendur pranë fermerëve, duke u vënë në dispozicion buxhetin më të madh ndonjëherë.

Mbi imputet bujqësore, ajo vijoi të thoshte se Shqipëria është e varur nga çmimet ndërkombëtare.

Megjithatë, investime të ndryshme janë bërë për të përballuar pasojat e krizës.

Çmimet ndërkaq, janë rritur edhe për fermerët. Një aspekt pozitiv ndërkohë, është edhe ai se vendi i plotëson vetë nevojat e veta për disa produkte, si për shembull produkti dhe nënproduktet e qumështit.

Një urdhër është dhënë, po ashtu, për ruajtjen e niveleve të kapjes së peshkut krap, për shkak të shumimit në këtë periudhë dhe për të mos e dëmtuar specien.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore