Shqipëria

Shqipëria çel konkursin për projektin “Auto Moto Park Albania”


Qeveria shqiptare ka çelur të premten e 3 shkurtit konkursin ndërkombëtar për projektin “Auto Moto Park Albania”.

Kjo e fundit, do të financohet nga fondet e DPSHTRR-MIE në bashkëpunim me bashkinë e Elbasanit.

Konkursi po zhvillohet me praninë e kompanive prestigjioze të interesuara për zhvillimin e këtij projekti, e cila sjell një hap më pranë realizimin e cirkuitit të parë moto-sportiv sipas standardeve të FIA-s dhe FIM që do të ndërtohet në Krastë të Elbasanit.

Ky projekt pritet të kthehet gjithashtu në një destinacion tërheqës për garuesit e huaj dhe do të zhvillojë turizmin dhe ekonominë vendase duke e kthyer Shqipërinë në epiqendrën e rajonit për organizimin e eventeve motorsportive.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama falënderoi në radhë të parë kompanitë pjesëmarrëse në këtë event historik për automotorizmin shqiptar por edhe për Shqipërinë.

Kjo, sepse, falë ideve të tyre dhe projekteve të tyre, ne do të përzgjedhim edhe projektin më të mirë apo atë që ne do na duket më i miri për t’i hapur rrugë një epoke të re, një epokë të re për Elbasanin dhe Shqipërinë, shtoi kreu i qeverisë.

Sipas tij, synimi është për ta vendosur Shqipërinë në një tjetër hartë ku ajo mungon plotësisht dhe për t’i hapur Shqipërisë një tjetër derë prej ku një tjetër kategori vizitorësh do të mund të hyjnë për të fuqizuar më tutje ekonominë tonë, për të fuqizuar më tutje imazhin tonë.

“Nga ana tjetër, ky projekt i hap rrugë edhe një tjetër fronti të punësimit cilësor të të rinjve, jo thjesht vende pune, por vende pune të mirë paguara, teknologji e lartë pa diskutim dhe mundësira të reja dhe horizonte të reja për gjeneratën e re”, kujtoi Rama.

Në përmbyllje kryeministri cilësoi se edhe ajo çka do të dukej e pamundur deri më sot që në Shqipëri të kishim edhe një garë të Formula 1, e ardhmja do të tregojë se edhe kjo është e mundur.

Autoparku i Elbasanit

Së shpejti, Shqipëria do të ketë një Autopark.

Lajmin e pat bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një postimi në Facebook.

Ai e ka cilësuar këtë si “një ëndërr, nga ato që kanë hyrë në rrugën e realizimit”.

Projekti është zhvilluar në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA) dhe po zbatohet nën udhëheqjen e drejtorit të Transportit Rrugor Shqiptar, Blendi Gonxhe.

Përtej kësaj, Rama theksoi asokohe edhe faktin se presidenti i FIA-s, ish-drejtues teknik i Ferrarit, Jean Todt, po kujdeset po ashtu për projektin.

Pista do të jetë 5.3 kilometra e gjatë dhe do të përmbushë çdo standard të vendosur.

Në ndërtesat rreth saj, do të përfshihet edhe një muze “Retro”, si dhe një akademi për restaurimin e mjeteve historike.

Pista do të jetë edhe offroad, duke ofruar një terren të përshtatshëm për dashamirësit e Motocross-it, Trial, Autocross dhe Rallycross.

Një poligon profesional manovrash drejtimi dhe qendra e test-homologimit do të jetë pjesë e kompleksit.

Kartodromi do të ketë mundësi të presë gara si kombëtare, ashtu edhe ndërkombëtare.

Një akademi për formimin e pilotëve do të marrë jetë. Pista do të jetë e përdorshme edhe si heliport. Ndërsa, observatori panoramik do të japë mundësi soditjeje edhe për njerëzit që nuk e preferojnë shpejtësinë.

Qendra e eventeve do të mundësojë zhvillimin e panaireve, konferencave dhe trajnimeve.

Ndërsa për banorët e rajonit, aty do të vendoset edhe qendra e re e kontrollit teknik të automjeteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore