Euro 2024

Shqipëria barazon ndaj Kroacisë, një ndeshje që mund të ishte fituar


Shqipëria dhe Kroacia e kanë mbyllur në barazim 2-2 takimin e kësaj të mërkure, një ndeshje e cila fliste shumë për kuqezinjtë, të cilët mund ta kishin mbyllur ndryshe takimin.

Dy kombet ballkanike u ndeshën për herë të parë në historinë e tyre dhe luajtën një sfidë të zjarrtë deri në momentin e fundit.

Kjo ishte ndeshja e parë në Euro 2024 ku të dyja skuadrat shënojnë të paktën dy herë. Ishte gjithashtu hera e parë që Shqipëria shënonte më shumë se një herë në një ndeshje në një turne madhor.

Djemtë e Sylvinho-s e kishin përgatitur mirë ndeshjen, sidomos gjatë pjesës së parë, ku qëndruan solid dhe madje gjetën golin e avantazhin.

Kroatët qarkulluan më shumë topin, por lëvizjet e tyre ishin të ngadalta dhe shpeshherë të lexueshme.

Në pjesën e dytë, kroatët filluan me dy zëvendësime dhe me një tjetër ritëm. Megjithatë, në përmbysjen e tyre ndikoi jo pak edhe tërheqja e Shqipërisë.

Skuadra e Zlatko Dalic arriti të përmbyste ndeshjen me dy gola në dy minuta, por kuqezinjtë arritën të barazonin në frymën e fundit.

Shqipëria kishte mundësinë për të përmbysur takimin në fund, por shpeshherë kuqezinjtë gabuan në momentin e fundit.

Golat e ndeshjes

Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 11 nga Qazim Laçi, pasi mesfushori devijoi me kokë një krosim nga Jasir Asani.

Gjatë kësaj pjese, kuqezinjtë do të kishin dhe dy raste të pastra shënimi, fillimisht me Kristjan Asllanin dhe më pas me Rey Manajn.

Megjithatë, me golin e shënuar dhe rastet e pashfrytëzuara, Shqipëria kryesoi pjesën e parë me rezultatin e ngushtë 1-0.

Në minutën e 74, Andrej Kramaric përfitoi nga një vendosje jo e mirë e kuqezinjëve në prapavijë dhe realzoi golin e barazimit për 1-1.

Një minutë më vonë, Thomas Strakosha bëri heroin duke pritur një rast të madh për kroatët. Por, sërish një minutë më vonë, kroatët do të kishin një tjetër rast. Kësaj here topi do të përfundonte në rrjetë, i përplasur në këmbët e Klaus Gjasulës.

Sylvinho më pas do të hidhte në fushë emra si Arbër Hoxha dhe Mirlind Daku, të cilët do t’i jepnin disa shkëndija sulmit kuqezi.

Daku në dy raste dhe Seferi në dy-tre raste të tjera do t’i jepnin shpresë Shqipërisë se mund të arrinte një barazim në këtë sfidë.

Megjithatë, golin e barazimit do e shënonte Gjasula, si për t’u shfajsuar për atë autogol të realizuar disa minuta më herët.

Kuqezinjtë vendosin një tjetër rekord në Euro

Pasi shënuan golin më të shpejtë në historinë e Kampionatit Evropian, pas vetëm 23 sekondash ndaj Italisë, me Nedim Bajramin, kuqezinjtë kanë arritur një tjetër rekord këtë të mërkurë ndaj Kroacisë.

Goli i Klaus Gjasules, në 94 minuta e 23 sekonda, për ta bërë rezultatin 2-2, është goli më i vonë i realizuar në historinë e Kampionatit Evropian që barazon një ndeshje (duke përjashtuar kohën shtesë).

Notat e ndeshjes (Whoscored)

Andrej Kramaric shpallet “Lojtari i Ndeshjes”

Golashënuesi i Kroacisë, Andrej Kramaric, është shpallur “Lojtari i Ndeshjes Vivo”.

Paneli Teknik i Vëzhguesve të UEFA-s tha: “Ai gjithmonë kishte zgjidhjen e duhur. Ai ishte një lojtar që bëri diferencën”.

Renditja në Grupin B

Me barazim e arritur mes Shqipërisë dhe Kroacisë, Spanja dhe Italia qëndrojnë në krye me nga tre pike dhe një ndeshje mes tyre për të zhvilluar (20 qershor).

Kuqezinjtë dhe kroatët kanë nga një pikë. Për shkak të golavarazhit, Shqipëria qëndron në vendin e tretë.

Ndeshja e fundit e Shqipërisë në grupet e Euro 2024 do të luhet ndaj Spanjës më 24 qershor, duke filluar nga ora 21:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore