Shqipëria

Shqipëri – Kosovë miratojnë rregullat për bursën e energjisë


Shqipëria dhe Kosova këtë të martë të 27 dhjetorit kanë miratuar rregullat e tregut të energjisë elektrike për funksionimin e Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX.

Rregullat u miratuan nga bordet e dy institucioneve Entit Rregullator të Energjisë (ERE) në Shqipëri, dhe Zyrës Rregullatore të Energjisë, në Kosovë.

Petrit Ahmeti, kryetari i Bordit të Energjisë Elektrike (ERE) theksoi se miratimi i rregullave për funksionimin e ALPEX, vendos bazat për krijimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike të dy vendeve.

“Shqipëria dhe Kosova janë palë nënshkruese të Traktatit të Energjisë dhe janë zotuar në krijimin e një tregu konkurrues dhe transparent të energjisë, ndaj modelet e tregjeve të dy vendeve parashikojnë që nëpërmjet ALPEX të zbatohet modeli i synuar evropian i tregut”, tha Ahmeti.

ALEPX do të fillojë me operimin e tregut të ditës në avancë në Shqipëri dhe më pas brenda një periudhe 2-mujore do të operojë me bashkimin e këtij tregu me atë të Kosovës.

Sipas kalendarit, tregtimi i energjisë elektrike për tregun e ditës në avancë për Shqipërinë do të nisë përgjatë gjysmës së dytë të vitit 2023.

Kryetari i Bordit të Zyrës Rregullatore të Energjisë në Kosovë, Ymer Fejzullahu theksoi se tregu i përbashkët i energjisë do të përmirësojë sigurinë e furnizimit me energji elektrike për të dyja vendet.

Kjo duke pasur parasysh se të dy vendet tona kanë sistem komplementar të prodhimit të energjisë elektrike, si dhe do ti hapë rrugë tërheqjes së investimeve nga burimet e ripërtëritshme.

Pas zvarritjeve disa-vjeçare, Bursa e Energjisë është gati

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore