Kosova

“Shpresoj mos të ekstradohet në Serbi, e ka mbrojtur vendin – s’ka kryer krime”, gruaja e ish-ushtarit të UÇK-së që u arrestua në RMV për AP


Valbona Ramadani, bashkëshortja e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerimit, të cilin autoritetet e Maqedonisë së Veriut e arrestuan në bazë të një fletarresti të Serbisë më 17 korrik, në një bisedë për Albanian Post thotë se shpreson që burri i saj të lirohet sa më shpejt.

“Kemi qenë javën e kaluar për vizitë, besoj që edhe këtë javë do të shkoj. Gjendja e tij është e mirë. Për lirimin e tij nuk e di çka të them. Shpresoj që nuk do të ndodh ekstradimi në Serbi dhe besoj që nuk ka arsyeje për të ndodhur”, tha Ramadani.

Valbona thotë se bashkëshorti i saj ka luftuar për ta mbrojtur vendin e vet, por nuk ka kryer “krime”, siç pretendon Serbia, teksa pret angazhim më të madh të institucioneve për mos ta lejuar ekstradimin e tij në Beograd për shkak të akuzave të fabrikuara nga shteti serb.

“Burri e ka mbrojtur vendin dhe shtëpinë e vet. Ne kemi pritur që të lirohet për disa ditë, por për këtë vendos shteti i Maqedonisë së Veriut. Duhet ta ngrisim zërin sa më shumë e gjithë Kosova, siç bëri Blerimi në një kohë për ne, i cili la jetën rinore për të marrë ne sot aromë lirie”, theksoi Ramadani.

Ndërkaq 10 ditë më parë, zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Punëve të Brendshme Ivica Daçiç, ka thënë se pret që Maqedonia e Veriut t’ia ekstradojë Serbisë, ish-ushtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadanin.

“Ndodh shumë shpesh që shtetet ta arrestojnë dikë dhe më pas të mos e ekstradojnë. Nëse ka akuza të dokumentuara, atëherë sigurisht që presim që të ekstradohen për t’u gjykuar për krimet”, potencoi Daçiç.

Në anën tjetër në një konferencë për media javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se është në komunikim me autoritet në RMV për lirimin e Ramadanit.

“Jemi në komunikim me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe me sektorët përkatës atje në mënyrë që të marrim vesh më shumë për shtetasin e Kosovës i cili po mbahet në paraburgim atje dhe që mos të ketë nënshtrim ndaj agresivitetin të Serbisë kundër Kosovës që reflektohet edhe në fletarrestime të tilla për qytetarët tanë”, tha Kurti.

Megjithatë, Ramadanit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore e Shkupit. 

Por, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, theksoi më 26 korrik për Albanian Post se “jemi duke punuar” për lirimin e ish-ushtarit e UÇK-së.

“Ka pasur edhe në të kaluarën raste të ngjashme. Po punojmë për ta evituar si problem”, theksoi Mexhiti për AP, derisa tregoi edhe për veprimet që janë duke i bërë për rastin në fjalë dhe jo vetëm.

“Jemi duke punuar edhe për këtë rast, por edhe për rastet tjera”, potencoi zëvendëskryeministri shqiptar në qeverinë e RMV-së. Kjo ka ndodhur, siç tregoi Mexhiti, pasi që Serbia, ish-ushtarët e UÇK-së, i paraqet në INTERPOL.

Ramadani ishte anëtar i Zonës Operative të Nerodimes dhe fletarresti serb ndaj tij u lëshua me pretendimin se kreu krime lufte ndaj serbëve në verën e vitit 1999 në rajonin e Ferizajt.

Ky nuk është rasti i vetëm kur autoritetet e Maqedonisë së Veriut arrestojnë ish-ushtarë të UÇK-së, për shkak të fletarresteve nga Serbia.

Në vitin 2016, pikërisht për shkak të flearrestit nga Serbia, ishte arrestuar në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Gafurr Elshani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore