Përballje

Shpresat e Shqipërisë dhe ato të Kosovës përballen mes tyre


Kombëtarja U21 e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, do të ballafaqohen këtë të martë me fillim nga ora 19:00, në ndeshjen e vlefshme kualifikuese të Kampionatit Evropian për këto grupmosha.

Shpresat e Shqipërisë vijnë në këtë sfidë pas humbjes dëshpëruese nga Sllovenia U21 në ndeshjen e fundit të zhvilluar para katër ditësh, derisa Kosova U21 gjatë muajit nëntor nuk kishte zhvilluar ndeshje.

Këto dy kombëtare janë ballafaquar edhe në vitin e kaluar ku ishin në grup të njëjtë, sfida në të cilat Shqipëria ia doli të triumfojë në të dy rastet.

Sa i përket renditjes në tabelë, kuqezinjtë e rinj pozicionohen në vendin e tretë me nëntë pikë të grumbulluara, ndërsa verdhekaltrit kanë vetëm tri pikë dhe gjenden në vendin e parafundit.

Shqipëria e Alban Bushit, deri më tani në pesë ndeshjet e kaluara, ka mposhtur dy herë kombëtaren U21 të Andorrës dhe Slloveninë në shtëpi, derisa ka pësuar dy humbje, nga Sllovenia në udhëtim dhe nga Republika Çeke.

Ndërkohë, Kosova e Michael Nees, në katër ndeshjet e para, ka fituar ndaj Andorrës dhe ka humbur përballjet me Anglinë dhe dy me Republikën Çeke.

Kurse, tabelës së këtij grupi, momentalisht i prin Republika Çeke, të cilët pas pesë ndeshjeve kanë grumbulluar 12 pikë, të ndjekur nga Anglia me 10 pikë në katër duele.

Ndeshja Kosovë U21 – Shqipëri U21, do të zhvillohet me fillim nga ora 19:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore