Vende

Shpëtimi i Venecias nga skenari më i keq i përmbytjes


Venecia është mahnitëse.

Një qytet i ndërtuar rreth 120 ishujve, i kryqëzuar nga 177 kanale dhe eksplorohet më së miri nëpërmjet përdorimit të 391 urave të tij.

Është një labirint me ujë, plot me shtigje të vogla dhe sheshe të fshehura, muzeume të fshehura dhe kisha të izoluara shekullore.

Por në “La Serenissima”, nëse nuk merren masa drastike, ditët e qytetit mund të jenë të numëruara.

Venecia është në rrezik dhe në skenarin më të keq, qyteti mund të zhduket nga rritja e nivelit të detit në vitin 2100.

Ndërkohë, shumë prej ndërtesave po fundosen ose po dëmtohen nga valët e varkave. Po ashtu është e mbingarkuar në mënyrë rutinore nga turistët teksa popullsia lokale është në rënie të vazhdueshme.

Në të gjithë globin, një sërë qytetesh po goditen në mënyrë të ngjashme nga problemet thelbësore të Venecias të rritjes së nivelit të detit.

Çdo qytet në rrezik ka sfidat e veta për të trajtuar. Por duke pasur parasysh madhësinë e vogël, famën dhe aftësinë e Venecias për të aksesuar fonde, mund të jetë një terren ideal prove për teknologjitë dhe qasjet që do të luajnë rol kyç në luftën globale kundër rritjes së nivelit të detit.

Në nëntor 2019, Venecia pësoi përmbytjen e dytë më të rëndë që nga fillimi i regjistrimeve pothuajse 100 vjet më parë. Kjo krijoi tituj në mbarë botën, me shikuesit të mahnitur nga imazhet e pabesueshme të Sheshit të Shën Markut, një nga zonat më ikonike të qytetit.

Batica arriti një lartësi maksimale prej 187 centimetra mbi nivelin e detit, duke rezultuar në më shumë se 80 për qind të qytetit nën ujë.

Sipas kryetarit të bashkisë së Venecias, Luigi Brugnaro, është shpallur një gjendje e jashtëzakonshme dhe ka pasur dëme në vlerë prej rreth një miliardë eurosh.

Ngjarja më e keqe e përmbytjeve, e cila ndodhi në vitin 1966, pa nivelet e ujit të rriten në 194 centimetra mbi nivelin e detit dhe mendohet se ka dëmtuar rëndë të paktën tre të katërtat e bizneseve të qytetit.

Sakaq, tendencat e fundit sugjerojnë se nuk do të duhet të presim gjysmë shekulli për të parë një tjetër përmbytje katastrofike.

Që kur nivelet e ujit filluan të regjistroheshin zyrtarisht në vitin 1923, ato kanë arritur 150 centimetra.

“Ndryshimi i klimës ka shkaktuar një rritje të nivelit të detit, kështu që çdo qytet i ndërtuar në nivelin e detit është veçanërisht i prekshëm”, ka thënë arkitektja Sally Stone.

Venecia ka qenë gjithmonë e detyruar të luftojë kundër detit, me ngjarje të vogla, të menaxhueshme, ku qyteti përmbytet përkohësisht në periudha të ndryshme të vitit.

Por vala e fundit e baticave të larta është e paprecedentë. Dhe është vendosur të vazhdojë.

Sipas një raporti të vitit 2021, edhe nëse temperaturat globale mbahen nën një rritje prej 2 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, niveli i detit të Venecias do të rritet me 32 centimetra deri në vitin 2100.

Një skenar i rastit më të keq të rritjes së temperaturës 4 gradë Celsius, i lidhur me shkrirjen dramatike të shtresave të akullit, mund të ketë 180 centimetra rritje relative të nivelit të detit deri në vitin 2100.

Për më tepër, themelet e ndërtesave të Venecias janë ndërtuar duke përdorur një sistem shtyllash të gjata druri që shtyhen vertikalisht në baltën e lirshme dhe argjilën e lagunës poshtë.

Shkëmbi i ngurtë i lagunës është shumë më poshtë sipërfaqes se kjo baltë, kështu që themelet po shtyhen në një shtresë më thelbësore, por ende pak të prekshme, prej balte të ngjeshur.

Me kalimin e shekujve, shumë prej ndërtesave të ndërtuara në majë të këtij themeli të paqëndrueshëm kanë ndryshuar pozicion dhe kanë filluar të zhyten në baltë.

Nxjerrja historike e ujërave nëntokësore e ka rritur këtë ndikim dhe Venecia është fundosur afërsisht 15 centimetra gjatë shekullit të kaluar.

Ndërkohë, nuk ekziston asnjë zgjidhje e thjeshtë për këtë fundosje të ngadaltë.

Çka është bërë është vendosja e barrierave mbrojtëse të përbëra nga 78 porta të lëvizshme dhe të vendosura në vende strategjike për të krijuar një kordon bregdetar.

Përmes tij shpresohet të minimizohen ngjarjet e mëdha të përmbytjeve.

Barrierat qëndrojnë të zhytura gjatë periudhave të qetësisë, por ngrihen për të bllokuar valën hyrëse kur ujërat rriten në 110 centimetra.

Këto u konceptuan për herë të parë në vitin 1992 dhe që atëherë ka pësuar vonesa dhe kosto të larta.

Ndërtimi filloi në vitin 2003, me synimin fillestar për të përfunduar punën deri në vitin 2011. Në realitet, projekti i quajtur Mose u aktivizua vetëm për herë të parë në vitin 2020.

Sot, nuk është ende plotësisht funksional. Është planifikuar të përfundojë në fund të vitit 2023.

Ai mund të përfundojë duke kushtuar rreth tetë miliardë euro kundrejt një buxheti fillestar afro 4,7 miliardë euro.

Ndërkohë ka gjithashtu një barrë të madhe financiare për përdorimin e pengesës.

Ai është projektuar për të luftuar rritjet e mëdha të nivelit të ujit, dhe kështu nuk do të jetë në gjendje të ndalojë përmbytjet e zonave veçanërisht të ulëta.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore